Berisha uron Pavarësinë e Kosovës: Është shembull për rajonin

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/ Kosova feston sot 17-vjetorin e Pavarësisë. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nga selia blu ka “uruar qytetarët e Kosovës, mbarë shqiptarët për Ditën e Pavarësisë”.
“Pavarësia e Kosovës është pa diskutim ngjarja më e madhe për kombin shqiptar pas pavarësisë së Shqipërisë. Kjo pavarësi pati çmimin më të lartë, qindra mijëra jetë, qindra mijëra të tjerë etnikisht të spastruar nga Kosova, njohu aparteidin dhe segregacionin, shtypjen më të egër, gjenocidin e nacionalizmit të verbër serb në mes të Kosovës”, tha Berisha.
Sipas Berishës “kjo pavarësi para së gjithash dhe mbi të gjitha është produkt i shpirtit të pamposhtur të qytetarëve të Kosovës”.
“Por pavarësia e Kosovës ka një arkitekt, i cili ia doli në rrugë paqësore të ndërtojë tek shqiptarët e Kosovës ëndrrën e shtetit të tyre të pavarur dhe ky është Ibrahim Rugova. Presidenti Rugova në një gjenialitet politik, zgjodhi rrugën paqësore për të promovuar çështjen e drejtë të qytetarëve të Kosovës në të gjitha kancelaritë e mëdha dhe institucionet kryesore ndërkombëtare”, tha Berisha.
“Sigurisht pavarësia e Kosovës nuk mund të realizohej pa epopenë e komandantit legjendar Adem Jashari, luftës çlirimtare, sakrificave dhe martirizimit të mijëra bijave dhe bijve të Kosovës dhe ndërhyrjes ushtarake të aleancës së Atlantikut të Veriut, ndërhyrja më e fuqishme pas Luftës së Dytë Botërore”, shtoi Berisha.
“Ajo sot është një demokraci në konsolidim, por një shembull frymëzimi për vendet e tjera të rajonit. Kosova u përball këto vite me një tradhti të Tiranës zyrtare, bashkërendim të saj me Beogradin, përpjekje për destabilizim dhe të gjitha këto dështuan dhe faktikisht sot Kosova është frymëzim për të gjitha vendet e rajonit, për rritjen progresive të mirëqenies, për funksionimin e shtetit ligjor”, theksoi Berisha.
Edhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uroi Kosovën për Ditën e Pavarësisë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale shkruan “Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosovë e dashur! Forcohesh çdo ditë si faktor i rëndësishëm paqeje, sigurie dhe stabiliteti në rajon, shembull i shkëlqyer i funksionimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe garantimit të votës së lirë”.
“Partia e Lirisë është e vendosur për të mbrojtur pavarësinë e integritetin territorial të Kosovës, si dhe të mbështesë procesin e njohjeve dhe anëtarësimin e saj në gjithë organizatat rajonale dhe në OKB. Urimet më të përzemërta vëllazërore!”, shkruan Meta.
/r.e/a.f/