E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha uron për Krishtlindje: Festat e ardhshme t’i kremtojmë në liri, dinjitet dhe shpresë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat të mbajtur sot, ka përcjellë urimin e tij me rastin e festës së Krishtlindjes.

Në fjalën e tij, Berisha uroi besimtarët e krishterë shqiptarë që kremtojnë lindjen e Jezu Krishtit, duke e përshkruar atë si figurë që ka ndikuar thellësisht në formësimin e vlerave të qytetërimit perëndimor dhe të mbarë njerëzimit.

“Së pari, urimin më të përzemërt besimtarëve të krishterë shqiptarë, që kremtojnë sonte ditën e lindjes së burrit, hyjit, që me moralin e tij, mësimet dhe udhëzimet e tij, ndikoi më shumë se kushdo tjetër në vlerat e qytetërimit perëndimor dhe mbarë njerëzimit, ditën e lindjes së Krishtit Mbret.”, u shpreh Berisha.

Ai shprehu mirënjohje për klerin e besimit të krishterë, duke vlerësuar rolin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e vlerave shpirtërore dhe morale:

“Uroj përzemërsisht të gjithë klerikët e besimit të krishterë me shumë mirënjohje për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në lartësimin e vlerave hyjnore.”

Në vijim, Berisha artikuloi një mesazh politik, duke e lidhur urimin e tij me gjendjen aktuale në vend:

“Uroj besimtarët dhe mbarë shqiptarët që Krishtlindjet e tjera t’i festojmë pa këtë kolerë të zezë që ka pllakosur vendin. T’i festojmë në liri, në dinjitet, në shpresë dhe besim tek e ardhmja.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›