E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha:100 vjetori i pavarsisë, vit i projekteve të mëdha

Në mbledhjen e Qeverisë e nisur pak më parë Kryeministri Berisha u shpreh se 28 nëntori shënon fillimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë duke e cilësuar si një akt madhor.

“Viti pavarësisë nis më 28 nëntor 2011 e vazhdon gjatë gjithë 2012-s. Ky vit duhet të shënohet me veprimtari të shumëllojshme, për nderimin dhe sakriricën e atyre shqiptarëve që ne sot të jemi të lirë dhe të ëndërrojmë një të ardhme të ndritur”, deklaroi Berisha, në një fjalim me doza të qarta patriotike.

“Është një vit që duhet të shënohet me nderim për ata që ngritën në Vlorë në vitin 1912 flamurin e Skëndërbeut, flamurin shqiptar, më të vjetrin dhe më të bukurin në Europë. 100 vjetori është një rast për të nderuar lumin e gjakut të derdhur nga shqiptarët për liri e pavarësi. 100 vjetori i pavarësisë do të jetë viti me të cilën ne do të nderojmë përpjekjet e mëdha të shqiptarëve për bashkimin e trojeve shqiptare dhe sakrficave të tyre të jashtëzakonshme, që nga Lidhja e Prizrenit e deri më sot”.

Kryeministri foli për nevojën e rishikimit të historisë, në të njëjtën kohë që i dha atribute të mëdha shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe diasporë, në arritjen e pavarësisë të këtij shteti.
“100 vjetori duhet të shërbejë si një frymëzim i madh për historianët shqiptarë që të bëjnë një punë edhe më të madhe, e cila shpesh nuk është bërë në këtë kohë, për të zbardhur të gjitha detajet e këtij shekulli. Duhet të vlerësohen ata burra të shquar, ata shqiptarë në Kosovë, Maqedoni dhe diasporë, që luftuan për lirinë e këtij kombi në një kohë kur fuqitë e mëdha kishin plan jo pavarësinë, por zhdukjen tonë”.

Duke u ndalur tek përgatitjet për kremtimin e festës, Berisha lajëmroi për mbajtjen e një “koncerti madhor, një simfonie mbarëshqiptare”, në të gjithë trojet e banuara nga shqiptarë. Në festë do të jenë të pranishëm liderat shqiptarë në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, arbëreshët dhe ata në diasporë.

Planet madhore do të jenë katër. “Parlamenti dhe stadiumi do të ndërtohen. Kjo qeveri është e angazhuar që të çojë deri në fund këtë premtim, por duke respektuar procedurat ligjore të këtij shteti. Vepra më e madhe e këtij 4-vjeçari, tuneli i Elbasanit, është një tjetër monument suksesi i Shqipërisë, i cili do të shërbejë për të lidhur edhe më shumë shqiptarët kudo që ndodhen. Shqipëria dixhitale, ajo që i përket të ardhmes, është gjithashtu një dhuratë e shkëlqyer për shqiptarët”.

Kryeministri propozoi në Këshillin e Ministrave “shpalljen e vitit që nis në 28 nëntor si viti i pavarësisë” dhe “ngritjen e një Komisioni, për kremtimin e 100-vjetorit të pavarësisë”.

Berisha lajmëroi në Këshillin e Ministrave dhe për bisedimet e ditës së mëparshme me udhëheqësit e shtetit maqedonas. “Falenderoj në mënyrë të sinqertë Kryeministrin Gruevski, Presidentin Ivanov dhe të gjithë liderat e tjerë të Maqedonisë, për mikpritjen e shkëlqyer që më rezervuan. Ishte një takim 1-ditor, i shkurtër, por shumë i frytshëm, pasi u arritën marrëveshje të rëndësishme ekonomike”.

Midis tyre, ajo e ndërtimit të një terminali hekurudhor kontenierësh në Strugë, marrëveshja për bashkimin e linjës hekurudhore Lin-Kërçovë, një pakt portual për kalimin e mallrave nga porti i Durrësit në Maqedoni, ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore midis dy vendeve dhe mundësinë për të udhëtuar nga Shqipëria në Maqedoni e anasjelltas thjesht duke mbajtur një kartë identiteti”.

Në vazhdim të fjalës, Berisha veçoi rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, për respektimin e të drejtave të shqiptarvëe në Maqedoni.

Ai tha se programi i Qeverisë së Maqedonisë është një program i integruar.

Berisha theksoi faktin se opozita në Maqedoni mbështet reformat për integrimin dhe veçoi se, “Si t’ia bëj kryetarit të PS, se si nuk mund të bllokohet dhe përdoret pushteti, pavarësisht nga kundërshtitë që ke me rivalin tënd për të ndëshkuar qytetarët e Shqipërisë. Nuk mundesh kurrë të viktimizosh fëmijët, burrat dhe gratë e këtij vendi se pse humb vetë, se të kap sindromi posesiv i "Kurbanit" dhe do të kurbanizosh interesat më jetike të vendit e shqiptarëve”.

Më tej ai u ndal në vizitën në Tetovë, ku tha se u karakterizua nga momente të veçanta dhe veçoi takimet në Universitetet e Tetovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›