E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha:Në shtator buxheti, ja prioritetet

Në mbledhjen e qeverisë Kryeministri Sali Berisha deklaroi se deri në shtator do finalizohet buxheti i vitit 2011 duke bërë publike edhe shtyllat mbi të cilat do të mbështetet buxheti. "Duhet miratuar në qeveri buxheti në mënyrë që Kuvendit t'i dorëzohet në tetor dhe të ketë gjithë kohën e nevojshme për shqyrtim të hollësishëm", tha ai.
Kryeministri theksoi se përcaktimet kryesore të buxhetit të 2011-ës do jenë infrastruktura rrugore, turizmi, rritja e rrogave dhe pensioneve dhe ërhapja e teknologjisë dixhitale .

Ai deklaroi se buxheti do mbështesë ndërtimin e rrugëve të reja, rruga e Arbrit, Tiranë-Elbasan, përfundimin e austostradës Levan-Vlorë, Levan-Tepelenë, Konispol-Sarandë, Kardhiq-Delvinë, Shkodër-Theth.Berisha foli edhe për një rrugë të re Lezhë-Velipojë që kalon në majën e kodrave që ndajnë detin nga Toroviza dhe zona të tjera.
Sa i përket turizmit, Berisha theksoi se është e domosdoshme që në zëra të veçantë grantet të mos jepen më si janë dhënë , por do kenë destinacionin e tyre, të qartë në funksion të turizmit. "Do kenë destinacionin e tyre para së gjithash për pastrimin, për ujin, kanalizimet. Ministritë duhet të bashkërendojnë dhe të bëjnë çdo gjë që viti i ardhshëm të jetë një vit ku turistët të kenë lehtësirat më të mëdha", pohoi ai.
Berisha kërkoi që ministri i Kulturës, Xhaferri të sjellë ligjin në Kuvend që do garantojë qytetarët e qyteteve dhe komunave të Ultësirës bregdetare se do ketë plazhe publike për ta. "T'ia japim plazhin vetëm privatëve është babëzi. Do ketë një përqindje të caktuar vetëm për plazhet publike, që do jetë në kujdesin e prefektit", theksoi kryeministri.

Ai i kërkoi ministrit të Mjedisit ndëshkimin më ekzemplar të krimit ndaj mjedisit, duke kërkuar shkatërrimin e çdo biznesi që derdh ujrat e zeza në det."Nuk duhen prishur kanalet, por lokalet që i derdhin në det. Ato duhet të asgjesohen", pohoi ai.
Lidhur me rritjen e rrogave dhe pensioneve pohoi se duhet t'i jemi mirënjohës administratës për përkushtimin ndërsa për pensionistët është respekt ndaj të moshuarve të vendit.
"Shqipëria dixhitale" , tha Berisha "është një shtyllë themelore që do adresohet buxheti i shtetit". Ai theksoi se këtë vit do krijohet fondi i Shqipërisë dixhitale që do mbështetet fuqishëm përhapja e teknologjisë dixhitale në vend.Sipas tij veç në shkolla, të rinjtë do e kenë internetin edhe në shtëpi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›