Berisha:Shtetësi shqiptare çdo të huaji që investon 100 mijë euro
Kryeministri Berisha ka kërkuar sot rishqyrtimin e ligjit për dhënien e shtetësisë shqiptare për shtetasit e huaj. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha theksoi se ligji për shtetësinë duhet të ndryshohet dhe të përcaktohet sipas standarteve të reja duke plotësuar edhe detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e heqjes së vizave.
“Shqipëria duhet t`u japë shtetësi shqiptare të gjithë atyre shtetasve të huaj që investiojnë mbi 100 mijë euro në territorin e saj. Kjo është një masë e cila i jep një shkallë më të lartë sigurie atyre që zbatojnë projektet në këtë vend, atyre që duan të blejnë vila për të kaluar pushimet në Shqipëri” ka theksuar Berisha.
Ai ka theksuar se ligji duhet të përfshijë dekretin për shtetësinë i miratuar nga presidenti në vitet 1994 ndërsa ka shtuar se duhet të ridimensionohet qëndrimi i cili duhet të orientohet drejt investimeve dhe drejt nxitjes së tyre.
Gjithashtu kryeministri Berisha njoftoi edhe ngritjen e komitetit të emergjencave për të ndihmuar zonat e izoluara nga dëbora ndërsa shtoi se ky komitet do të kryesohet nga ministri i brendshëm Bujar Nishani.
“Është e domosdoshme të krijojmë komitetin ndërqeveritar të përballimit të kësaj situate të kryesuar nga ministri i brendshëm po ku do të jenë të pranishëm drejtoritë e institucioneve të tjera, ministria e mbrojtjes, ministria e punëve publike, ministria e shëndetësisë, ministria e bujqësisë, ministria e arsimit. Ky komitet duhet të ndjekë 24 orë situatën në zonat e izoluara nga dëbora. Të gjtiha potencialet duhet të vihen në fuksion të një ndihme në radhë të para mjekësore dhe së dyti furnizimet e mundshme duke qënë në kontakt edhe me kryetarët e komuinave” ka shtuar më tej Berisha.
Kryeministri Berisha bëri me dije se komiteti i emergjencave do të fillojë punën që ditën e sotme ku do të vendosë për masat dhe planin e veprimit në mënyrë qët`u vihet në ndihmë banorëve të zonave të izoluara nga dëbora.
Kryeministri Berisha deklaroi në mbledhjen e qeverisë së epidemia e gripit në Shqipëri duhet të shihet me shumë prioritet. “Vëmendje e veçantë të dëshmohet ndaj epidemisë së gripit. Rastet janë në shtim. Nuk di të them ende nëse është epidemi por ministria e shëndetësisë do të shtojë masat për popullatën”, ka shtuar Berisha.