Berishës i hiqet imuniteti, mbështetësit e tij protestuan para Parlamentit

Mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha u mblodhën në një protestë para Parlamentit, pasi Kuvendi votoi sot pro heqjes së imunitetit të tij, duke i hapur rrugën SPAK për arrestimin. Protesta ishte përgjithësisht e qetë, teksa u regjistrua vetëm një moement tensioni pasi disa protestues tentuan që të çajnë kordonin e policisë para godinës së Parlamentit.
Para protestuesve, Berisha tha se vendimi është një përpjekje, sipas tij, e maxhorancës për të penguar opozitën.
“Ju keni lënë çdo gjë dhe jeni grumbulluar sot këtu, në një moment në të cilin bandat dhe krimi i përfaqësuar nga Edi Rama, Taulant Balla, deputetë dhe qeveritarë delinkuentë, menduan se do shpëtojnë duke hequr imunitetin e Sali Berishës dhe autorizuar bandat e tyre për arrestimin e tij. Kjo është një përpjekje që dëshmon tmerrin që kanë ata sot nga ju, tmerrin që kanë nga opozita e vërtetë, tmerrin që përjetojnë sepse dështuan në sipërmarrjen e tyre më kriminale në historinë e demokracisë, sipërmarrjen e krijimit të opozitës fasadë, sipërmarrjen e realizimit të ëndrrës së Edi Ramës për një narkoshtet pa opozitë, për një paqe në qeverisjen e tij, të njëjtë me atë që kishin etërit e tij barbarë.
Por siç tregoi historia e këtyre dy viteve, opozita shqiptare rezistoi, u ngrit mbi të gjitha pushtetet e krimit në Shqipëri, u ngrit mbi të gjithë agresionin e mafies ndërkombëtare që do një Shqipëri moniste, protektorat të krimit, drogës dhe narkoshtetit. U ngrit jashtë çdo parashikimi dhe i kalli tmerrin regjimit të krimit në Tiranë. Ndaj dhe ata, në një përpjekje fund e krye antiligjore, në një përpjekje fund e krye antikushtetuese, në një përpjekje të bazuar në shpifjen, trillimin, manipulimin e mijëra e mijëra dokumenteve zyrtare, mendoi se duke vepruar në këtë mënyrë si sot, do mund të bjerë në qetësi”, tha Berisha.
Ish-kryeministri Berisha paralajmëroi se protestat do të vijojnë, tashmë jo vetëm përpara Parlamentit, por edhe para SPAK ndërsa tha se, sipas tij, Prokuroria e Posaçme po përdoret nga maxhoranca.
Berisha është nën hetim në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, ndërsa ndaj ish-kryeministrit u caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Kjo masë sigurie nuk është zbatuar nga Berisha, i cili e ka konsideruar atë antikushtetuese. Për pasojë, SPAK ka kërkuar shtrëngim të masës së sigurisë.
Nuk u la të hyjë në Kuvend, deputeti Dogjani: Më përjashtuan 10 ditë, janë bërë 15
Deputeti demokrat, Asllan Dogjani nuk u lejua të futej në ambientet e Parlamentit nga garada. Në një prononcim për mediat ai tha se ishte përjashtuar 10 ditë, por as në seancën e sotme nuk u la të hynte në Kuvend.
“Këtu drejton Edi Rama, urdhëron Edi Rama. Edhe deputetët e mazhorancës thonë jemi nën presionin e Edi Ramës. Jemi 10 deputetë, 7 janë në seancën e fundit dhe 3 në seancën e kaluar. Rregullorja thotë 10 ditë, ne jemi 15 ditë të përjashtuar. Ne fjalën kemi. Kërkojmë komisionet hetimore, kërkojmë që reformën zgjedhore ta bëjmë bashkë”, tha midis të tjerash.
/rtsh.al/