E Diel, 1 Nëntor 2026

Berishizmi, embrion dhe farë e një sëmundjeje sociale

Erion Buhali

Më tremb berishizmi, shumë madje, por jo si individ; më shumë si fenomen, si kulturë, si zakon e aq më keq si sëmundje. Trembem e trishtohem pa masë kur shoh një pjesë të shoqërisë sonë, atje ku berishizmi për fat të keq është instaluar dhe ka futur rrënjët thellë, porsi ai kanceri në trupin e njeriut. Ndihem keq kur mendoj se brezi i të rinjve postkomunist kishte dhe ka mundësinë sot e gjithë ditën të rritet me një mendje të hapur, me një kulturë europiane e të lirë për të menduar, vepruar e gjykuar si çdo i ri që aspiron e ëndërron më të mirën për veten dhe atdheun e vet. Me ose pa dashje, politika e këtyre 20 viteve ka instaluar në mendjen e qytetarëve individin në plan të parë dhe këtu gjuha më shkon tek dhëmbi që dhemb. Berishizmi si sëmundje, si kulturë e si fenomen për t’u marrë shembull. Ndjej zemërim,trishtim kur dëgjoj nëpër ambiente të ndryshme se qenka zotësi të vjedhësh apo të pasurohesh si Zeni e Gita, të justifikosh policin, zyrtarin apo mjekun me shprehjen "hë mo se kështu bëjnë të gjithë". Nuk dua ta besoj dhe aq më keq ta pranoj se ky fenomen na është instaluar keqas si kulturë. Preferoj të mbetem dhe të bëj pjesë tek ata shqiptarë që besojnë se ka një Shqipëri edhe më të mirë se kjo që na kanë paraqitur në këto 20 vite. 


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›