E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur njeriu e braktis atdheun për faktin së nuk ka çka të humbë

18-01-2013 / Nga Skënder Mulliqi

Vetëm Kosova ka mbetur pa liberalizim të vizave.Se sa i kanë  plotësuar shtetet tjera të rajonit kushtet  e proklamuara nga BE-ja për liberalizim të vizave është  shumë diskutabile. Edhe pse marrëveshjet paraprake ndërmjet BE-së dhe shteteve përfituese ishin  që azili nuk do të jetë i lejueshëm, megjithate kjo po ndodhë. Disa  qeveri  për shkak që shumë kush nga vendet e Ballkanit Perëndimor po kërkojnë azil, kanë kërkuar që ta shqyrtojnë regjimin e vizave. Nëse këto vende kanë përfituar që të udhëtojnë pa viza për në Evropë, qytetarët e Kosovës  po emigrojnë ilegalisht për në “tokën e premtuar”. Dhe, sigurisht se nga Kosova po largohen për shkak të paperspektivës së krijuar për të jetuar. Kthimi i shqiptareve në pronat e tyre të shkatërrua nga shovinistet serbë pas përfundimit të luftës kishte mahnitur botën demokratike. Edhe rindërtimi gjithashtu ishte për çdo lakmi. Por çka ndodhi pastaj? U shfaqën një mori dukurish negative të cilat e ngulfatën jetën në Kosovë. Së pari krimi i organizuar dhe korrupsioni e zvetnuan imazhin e mirë të Kosovës të krijuar pas luftës. Lufta për pushtet  bëri që edhe të theksohen  këto  dukuri negative. Ata të cilët e morën timon e shtetit, pak ose fare punuan për mirëqenien e popullit. Shoqëria jonë e re në vend të përparimit gjithnjë e më shumë po degradon pikërisht për fajin e pushtetarëve, të cilët nuk po zgjedhin mjete as metoda për t’u pasuruar. Ne vend që njeriu i këtij nënqielli të shoh përparimin e vendit, gjithnjë e më shumë po dëshpërohet. Shumëkush është margjinalizuar nga shoqëria. Duke menduar kështu me të drejtë, ata po e zgjedhin rrugën e mërgimit. Edhe pse shumica e di se do të kthehen mbrapa nga janë nisur, megjithate ata i mbajnë sadopak shpresat gjallë se mund të përfitojnë nga rrugëtimi i tyre i mbushur me plot rreziqe për jetën. Ata po e braktisin atdheun edhe për faktin se nuk kanë çka të humbin. Në atë vend ku nuk ka zhvillim ekonomik, sigurisht se jeta bëhet e padurueshme. Nëse nga vendet e rajonit ka azilantë të rrejshëm, se në vendet e tyre nuk i kanë punët edhe aq  keq, ata që po largohen nga Kosova e kanë arsyen se kanë mbetur të papunë. Për ta ndaluar këtë migrim ilegal as formalisht nuk po merret kush me atë punë, që është e një rëndësie të jashtëzakonshme për secilin shtet. Ne atë vend ku nuk investohet, lulëzon krimi i organizuar, korrupsioni, droga, prostitucioni, degradon morali etj. Kështu siç po shkojnë punët edhe për shumë kohë njeriut të këtij vendi nuk mund t’i kthehet koha e humbur që për secilin është shumë e vlefshme. Në paperspektivën e krijuar hisedarë janë edhe faktori ndërkombëtar që ishin dhe janë ende të pranishëm në Kosovë. Këta nuk e panë të udhës që qytetarët tanë të udhëtojnë pa viza për në Evropë. Gjithnjë e më shumë po shtohet numri i familjeve të cilat po kërkojnë asistencë sociale. Edhe në këtë vit në raportin e Freedom House mbi liritë në botë, Kosova është renditur  në mesin e vendeve pjesërisht të lira. Sipas Freedom House, vendi ynë renditet si shtet pjesërisht i lirë, ku ka kufizim të respektimit të lirive politike dhe atyre civile. Kjo kastë politike me pahir, në mos dije, apo qëllimisht, e ka humbur siç thuhet rrugën në oborr. Sikur të ishte menaxhuar me mirë situata politike dhe ekonomike, sigurisht së do të kishim një mirëqenie shumë më të mirë, sepse ekzistojnë të gjithë parakushtet për një jetë më të begatë në vendin tonë. Do të ishte e udhës që situata nga ata që janë në krye të shtetit më në fund të perceptohet shumë me pozitivisht, sa ende nuk është humbur krejt durimi i popullit…

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›