"Berluskoni, Berisha, qentë dhe emigrantët
ATA do të pranohen pa kushte të udhëtojnë nëpër trena, kurse KËTA, nëse marrin trenin, rrezikojnë të gjejnë Europarlamentarin e Lidhjes së Veriut, Borghezio, që fshin sediljen me alkool për "ta dezinfektuar nga të zinjtë".
Për ATA do të eliminohet lista që përmbledh racat më të rrezikshme, kurse për KËTA, në një proces penal, do shtohet dënimi për 1/3, nëse kapen pa dokumente.
ATA do të varrosen në varreza publike, kurse KËTA, nëse provojnë të ngrenë ndonjë xhami, rrezikojnë të gjejnë mbi atë truall ministrin Calderoli, që del shëtitje me një derrkuc në dorë.
ATA do të kenë paketa vaksinore dhe sanitare falas, kurse për KËTA, nëse klandestinë, edhe ndihma e shpejtë do të jetë e kufizuar. ATA nuk mund të largohen nga nëna para se të kenë mbushur dy muaj jetë, kurse KËTA, nëse për fat të keq kanë vëllezër, nuk mund të bashkohen me nënat e tyre.
ATA do të kenë një jetimore ku mund t'i adoptosh, kurse KËTYRE do t’u ndalohet edhe martesa, nëse nuk kanë një dreq dokumenti.
ATA janë "miqtë tanë me katër putra, kafshë që, në një të ardhme, do të duket qartë që kanë një shpirt". (Francesca Martini, Lidhja e Veriut). Këta janë "një resurs negativ për vendin tonë". (Umberto Bossi, Lidhja e Veriut).
ATA janë qentë. KËTA janë emigrantët.
Dje vizitoi Shqipërinë, Berlusconi për të firmosur disa kontrata energjitike. Por, unë kisha një kërkesë për Berishën: I nderuar Kryeministër! Bashkë me firmën për atë rigazifikatorin, që provinca e Brindisit e ka konsideruar si një "projekt jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe që cenon rëndë mundësinë e zhvillimit të territorit", bëni diçka të mirë për bashkëkombësit tuaj.
Në pushimet midis takimeve, natyrisht, nëse nuk ju prish biznesin dhe, s'ka problem, edhe me zë të ulët, mund t'i sugjeronit zotit Berlusconi të uniformojë standardin e trajtimit të emigrantëve me atë të qenve?