E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vërteta për mitin

Si t’ua rrëfejmë Skënderbeun fëmijëve, nxënësve dhe studentëve shqiptarë? Ç’të futim në tekstet e historisë për shkollat, e ç’të lëmë jashtë?

Pyetje të tilla vijnë natyrshëm, sa herë që rrethanat kulturore kërkojnë rishikimin e marrëdhënieve midis historisë së Skënderbeut si dije, dhe mitit historik të Skënderbeut, i cili së paku, që nga Rilindja e në mënyra të ndryshme, merr pjesë në ngjizjen dhe riprodhimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarit.

Duke ndërhyrë për këto çështje në forumin e gazetës “Shekulli” të 18 nëntorit 2008, pata propozuar që, miti, mundësisht, të ballafaqohej me të dhënat historike “në pavarësi të plotë nga shkolla, kultura popullore, simbolet kombëtare dhe përdorimi i rrëfenjave historike si instrumente të edukimit etik dhe qytetar të shtetasve”. Më shtyn të mendoj kështu shqetësimi se një diskutim i hapët në mass mediat rreth kësaj çështjeje, i përzier me alarmin se tekstet shkollore të historisë duhen rishkruar, do të rrëshqiste vetvetiu drejt polarizimit dhe skërmitjeve, derisa pala revizioniste të damkosej me akuzën për tradhti kombëtare, siç edhe ndodhi.

F. Lubonja nuk është i një mendjeje me sugjerimin tim. “A formojmë vërtet një identitet qytetar modern, duke i ushqyer fëmijët me mite nacionaliste, ashtu siç janë farkuar ata një shekull e gjysmë më parë dhe përforcuar me frymë totalitare nga diktatura komuniste”?, pyet ai, në një artikulltë ditëve të fundit: “Nëse fëmijëve tanë do t’u tregojmë gënjeshtra, edhe ata do të vazhdojnë të tregojnë gënjeshtra e ne do të vazhdojmë të kultivojmë kulturën e rrenës dhe manipulimit. Jo vetëm, po cila qenka mosha, në të cilën fëmijëve u duhet thënë e vërteta, duke pasur parasysh se fëmijëria vazhdon deri në moshën 18 vjeç? Si u duhet thënë kjo e vërtetë, mos duke përdorur edhe ca gënjeshtra më të ngrënshme që të mos traumatizohen”?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve të reja, le të nisemi nga arsyet pse studiohet historia në shkollat. Vërtet synojmë që fëmijët t’i qasen historisë në rrugë objektive; por nuk duhet humbur sysh as përmasa etike e edukimit, ose e formimit qytetar të nxënësve e më pas të studentëve. Kurrsesi historia nuk mund të vihet në të njëjtin nivel heuristik me aritmetikën ose më pas fizikën, kiminë dhe biologjinë; sepse historisë nuk mund t’ia heqësh komponenten ideologjike, dhe, të thuash se nxënësve në shkollë u duhet dhënë e vërteta historike, është të besosh në një mit tjetër – së vërtetës historike unike.

Historia, sido që t’i qasemi, mbetet histori; para se të jetë ballafaqim i së vërtetës me mitin dhe i shkencës me paragjykimin, ideologjinë ose besëtytninë është rrëfim, dhe si rrëfim u bindet ligjësive të rrëfimtarisë. Ky tipar e afron disi historinë me mitin nga pikëpamja tipologjike; meqë rrëfimi gjithnjë mund të mbahet pezull midis së vërtetës dhe imagjinares, njëlloj si përrallat, të cilat nuk duhet të ngutemi e t’i shpërfillim kaq shpejt, meqë edhe përrallat, të cilat fëmija njëkohësisht i beson dhe nuk i beson, e kanë këtë veti pothuajse magjike, ose këtë ambiguitet të pezullt. Të njëjtën gjë mund ta thuash edhe për ëndrrat; si përralla që ia rrëfen, si të thuash, nënvetëdija vetëdijes, për ta qetësuar ose për ta mbajtur në gjumë, po t’i besojmë Freud-it. Që historia mëton të jetë dije racionale dhe të mbështetet mbi faktet ashtu siç i njohim, nuk duhet të na bëjë ta humbim nga sytë këtë aspekt subjektiv të rrëfimit historik si manifestim i historianit dhe i epokës së historianit në tekst.

Fëmijëve në shkolla, historia u mëkohet sipas kriteresh të rrepta të metodikës dhe të pedagogjisë, që nuk më takon mua t’i diskutoj as t’i ilustroj; por po mjaftohem të them se rruga drejt dijes, në të gjitha fushat, do të kalojë nëpërmjet formash mitike ose të idealizuara; meqë përndryshe, fëmijëve, që orën e parë të gjeometrisë, në vend që t’u flasim për drejtëzat, trekëndëshat dhe rrathët, do t’u flisnim për gjeometritë joeuklidiane, të Riemann-it dhe të Lobaçevskit; ose më pas, nxënësve, në orën e parë të fizikës për teorinë e superfijeve, macen e Schrödinger-it dhe materien e errët e kështu me radhë; por kjo nuk ndodh dhe nuk mund do të ndodhë. Aq më pak mund të ndodhë kjo në tekstet e historisë, ku Skënderbeu, më shumë se personazh historik me dritëhijet dhe kontradiktat e veta, paraqitet si hero i një rrëfimi, i cili përveçse t’i qaset së vërtetës duhet të jetë edhe koherent, dramatik, etik dhe, mbi të gjitha, kuptimplotë.

Për këtë diskutim të hapët rreth mitit dhe realitetit historik të Skënderbeut u bë shkas një monografi e historianit O. J.Schmitt, e botuar tani së voni; meqë përkthyesi dhe botuesi i saj A. Klosi dhe vetë autori Schmitt, në intervista të ndryshme, thanë se studimi përmban të dhëna të reja potencialisht shpërthyese për motivet që e shtynë Skënderbeun t’u qëndronte osmanëve për një çerek shekulli. Megjithatë, unë do të dëshiroja të lexoja një vlerësim ose analizë serioze të kësaj monografie nga një historian shqiptar; meqë për vlerësimin kritik të kolegëve evropianë të Schmitt-it u dashka pritur derisa libri i tij i fundit ta shohë dritën e botimit edhe në gjermanishte. Lubonja e quan autorin “një nga mendjet e ndritura të shkencës austriake”, dhe ashtu do të jetë vërtet; por kaq nuk mjafton, meqë me historinë e Skënderbeut janë marrë e do të merren gjithnjë mendje të ndritura, madje edhe ndër shqiptarët, dhe më duket pak si e nxituar që të kërkosh të rishkruhen tekstet e shkollës sa herë që ndonjë autor, qoftë edhe gjeni, del me teza të reja kontroversiale, që u kundërvihen elementeve tradicionale të skënderbejadës.

Tek e fundit, cila qenka kjo e vërtetë në histori, ku ka qëndruar e fshehur deri më tash, e kush do të na e zbulojë për të na shpëtuar nga errësira? A nuk na vjen historia gjithnjë si interpretim, i renditur nga historianët ashtu që ngjarjet e qëmtuara në dokumentet të lidhen mes tyre së bashku në rrëfenja koherente, të tilla që të na lejojnë të kuptojmë se ç’ka ndodhur në të shkuarën? Nëse vërtet duam t’i ndihmojmë nxënësit dhe studentët t’i qasen historisë dhe përgjithësisht dijes me frymë kritike, atëherë mjafton që t’u japim atyre dora-dorës versione, lexime dhe interpretime të ndryshme të ngjarjeve, e t’u shpjegojmë se të vërtetës mund t’i qasen nëpërmjet krahasimit dhe analizës, jo nëpërmjet profetëve, qofshin këta edhe shkencëtarë pozitivistë që nuk u shqiten fakteve, apo dekonstruktorë të kombëtarizmave.

Në thelb, ky diskutim duhej zhvilluar i tëri, në mos brenda mureve të Akademisë, së paku në faqet e një reviste intelektuale si “Përpjekja”, ku debati nuk rrezikon të ndotet nga akuzat për tradhti, fyerje dhe blasfemi. Nëse Akademia – dhe me këtë term kam parasysh jo vetëm Akademinë e Shkencave në Tiranë, por edhe universitetet e hapësirës shqiptare në Ballkan dhe institucionet e tjera që merren me kërkime dhe studime historike – do ta gjykonte kontributin e Schmitt-it me vlerë për dijen historike, atëherë mund të kërkoheshin rrugët e përshtatshme për t’i pasqyruar këto të reja në tekstet e historisë; por gjithnjë në ballafaqim me teori dhe interpretime të tjera, dhe pa humbur nga sytë arsyen themelore që Skënderbeu studiohet në shkollat; e cila nuk ka të bëjë vetëm me bëmat e tij reale, por edhe me rolin e dorës së parë që luajti miti i Skënderbeut për zgjimin kombëtar të shqiptarëve gjatë Rilindjes. Siç e kam thënë edhe gjetiu, vetë miti i Skënderbeut do analizuar e studiuar si pjesë e historisë së Shqipërisë; edhe pse jo që nga klasa e dytë fillore, sepse të veprosh ashtu, është si t’i vësh foshnjës së porsalindur përpara mish dashi të pjekur për të ngrënë.

Megjithatë, kërkesa për ta paraqitur Skënderbeun – si mit e si histori – në trajta më të përshtatshme për kohën e sotme, mbetet e drejtë; sidomos po të mbajmë parasysh si u shfrytëzua kjo figurë për të përligjur paranojën, autarkinë dhe izolimin e regjimit komunist në Shqipërinë e djeshme. Sido që të ketë qenë realiteti, Skënderbeu nuk ngrysej e gdhihej me shpatë në dorë, përkrenare në kokë e majë kalit, as e kalonte kohën duke vrarë turq me llastiqe; por edhe ushqente një vizion të tillë për lidhjet e veta dhe të arbërorëve me Perëndimin, që do t’u vlente shqiptarëve të sotëm shumë më tepër se ndonjë kuriozitet dytësor që mund të zbulojnë rishtas studiuesit. Ndoshta tekstet e historisë së shkollave duhen lehtësuar pak nga rrëfimet e historisë si koleksion luftërash të njëpasnjëshme, masakrash, përgjakjesh, pritash, kokash të prera, varresh dhe trualli mbjellë me gjak të rënësh dhe kocka armiqsh; për t’u dhënë më shumë hapësirë aspekteve jo të dhunshme të së shkuarës. Mirëpo, edhe për ta realizuar këtë lloj reforme në vizion na duhet përsëri Skënderbeu, si figurë qendrore ose kryeshenjues (master signifier) i një epoke.

Përndryshe, çmitizimi si veprimtari intelektuale nuk ka aq vlerë në vetvete, sesa kur drejtohet kundër të gjithë atyre që i përdorin mitet e ndryshme kolektive, duke përfshirë edhe mitin e Skënderbeut, për të përmbushur synime demagogjike ose populiste, ose për të nxitur instinkte të shëmtuara në turmat, që këto t’i sjellin e t’i mbajnë në pushtet, ose t’u lëshohen turmave të tjera, për të bërë kërdinë. Mua nuk më rezulton që miti i Skënderbeut, madje edhe në format e veta më naive, të jetë përdorur ndonjëherë haptazi e qëndrueshëm, për të zgjuar pasione të errëta të nacionalizmit shqiptar, ose të përçarjes fetare e të kryqtarisë; përkundrazi, ka qenë dhe mbetet rrëfenjë ideale për t’u ofruar shqiptarëve një përbashkësi, sado imagjinare, në të shkuarën; në një kohë që mund t’i shërbejë, gjithnjë në planin rrëfimtar, afrimit me Evropën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›