Bernarda Albat shqiptare: Marie Logoreci, Justina Aliaj e Luiza Xhuvani
“Shtëpia e Bernarda Albës” nga Federico Garcia Lorca, është shfaqja më e re teatrore që do të shfaqet për publikun shqiptar duke filluar që nga data 8 dhjetor. Nën konceptin regjisorial të Kiço Londos, tragjedia spanjolle do të ketë protagonistë në këtë herë të tretë si protagoniste aktoren Luiza Xhuvani, në rolin e Bernarda Albës, e cila së bashku me një kast aktoresh të reja do të ngjisin shfaqjen në sallën “Shekspir” të Teatrit të Metropolit. “Bernarda Alba” është vënë për herë të parë në skenën e Teatrit Kombëtar për herë të parë 50 vjet më parë me titullin e ndryshuar “E vërteta e Spanjës”. Premiera e kësaj shfaqjeje ka qenë pikërisht më 23 dhjetor të vitit 1961. Regjisor i shfaqjes ka qenë Zina Andri dhe Pjetër Gjoka. Piktor Hysen Devolli (Piktor i merituar), ndërsa protagoniste kryesore, pra Bernarda Alba ishte Marie Logoreci, në krah të së cilës kanë luajtur në vënien për herë të parë në skenë të Lorkës aktoret Violeta Manushi, Drita Pelinku, Behije Çela, Liza Vorfi, Marika Kallamata, Ferial Alibali etj. U deshën të kalonin vite e vite të tëra që sërish të kthehej në skenat shqiptare një vepër. Për herë të dytë tashmë me titullin e vërtetë të veprës “Shtëpia e Bernarda Albës” është vënë në skenë në vitin 1985, por në një skenë tjetër, në atë të Akademisë së Arteve. Në atë kohë, pedagogu Gëzim Kame e ngjiti këtë vepër në skenë si punë diplomë dhe pas suksesit që pati në skenën e Akademisë së Arteve e ngjiti në vjeshtën e atij viti në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar. Bernarda Alba e regjisorit Kame ishte aktorja shkodrane Justina Aliaj, e rikthyer në skenë pas disa viteve që ishte lënë në hije. Shfaqja shënoi sukses të madh në atë kohë, ku në krah të Justina Aliajt interpretonin edhe aktoret Rajmonda Bulku, Gjinovefa Redhi, Zamira Kita, Elvira Diamanti, Rita Gjeka etj. Këtu mbyllet historiku i vënies në skenë të kësaj vepre para viteve ’90, ndërkohë që pas viteve ’90 ka pasur disa përpjekje sërish në Akademinë e Arteve me studentët nga pedagogu dhe regjisori Mehmet Xhelili dhe vitin e shkuar shfaqja u paraqit në Festivalin Teatror të të Rinjve nga regjisorja Alma Hoti Memo. Por si atëherë kur në skenë për herë të parë ngjitej si Bernarda Alba Marie Logoreci, për t’u pasuar me interpretimin ndoshta më dinjitoz të Justina Aliajt, kjo vepër vjen tashmë më 8 dhjetor në Teatrin Metropol, ku Bernarda Alba e radhës do të jetë aktorja Luiza Xhuvani, e cila në krah do të ketë një tjetër aktore të madhe si Roza Anagnosti. Në fakt, tri Bernarda Albat shqiptare, edhe pse në kohë të ndryshme, janë vendosur mes raporteve të lirisë, dhunës dhe shtypjes seksuale. Një mashkull lëviz gjithë veprimin dramatik të veprës. Në qendër janë 5 vajza që kërkojnë marrëdhënien me mashkullin, që duan të vrasin nënën, të ikin nga shtëpia dhe nga ana tjetër është nëna e tyre që për të ruajtur “nderin e familjes” kërkon t’i ketë të bijat nën tutelën e vet. Pasi ka mbetur e ve për herë të dytë, Bernarda Alba vendos të mbajë një zi të rreptë ajo dhe vajzat e saj. Por do ta vendosë këtë gjë me një tirani të egër. Gjithçka komplikohet kur vajza e madhe tërheq një pretendent, Pepe Romanon, i cili hedh në shtëpi farën e xhelozisë dhe pasionit. Salla “Shekspir” e Metropolit do të kthehet në kopshtin e shtëpisë së Bernarda Albës, ku do të zhvillohen ngjarjet. Nuk do të ketë mure, por vetëm kopsht, një shatërvan i rrethuar nga lule kacavjerrëse dhe pesë vajza që sjellin ujë, simbol i jetës dhe i pasionit. Shtëpia e Bernarda Albës” është shkruar nga Frederico Garcia Lorca në vitin 1936, pak ditë para se autori të arrestohej, dhe është maja e veprave me të cilat teatri i tij arriti kulmin.