Nudot kubiste të Bujar Zajmit
Piktori Bujar Zajmi ka vendosur që këtë herë t’i kushtojë qytetit të lindjes një ekspozitë vetjake, e cila përmban rreth 55 vepra. Ekspozita u çel dje në Galerinë Kombëtare të Arteve
Ai mund të ishte një Pikaso, por Bujar Zajmit nuk i pëlqen ky krahasim. Ai thotë se ka stilin e tij, edhe pse veprat e tij u bënë të njohura vetëm pas viteve ’90. Arsyeja ishte pikërisht mënyra e tij e të pikturuarit, që nuk përkonte aspak me mënyrën tradicionale të të pikturuarit. Por piktori nga Tirana, Bujar Zajmi, ka vendosur që këtë herë t’i kushtojë qytetit të lindjes një ekspozitë vetjake, e cila përmban rreth 55 vepra. Ekspozita u çel dje në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku ishin të pranishëm të afërm, miq e kolegë të piktorit. Në qendër të pikturave të tij plot ngjyra dhe dritë është tiranasi, por Zajmi thotë se nuk mungojnë as krahina të tjera të Shqipërisë. E ka ndjerë si një detyrim moral të sjellë në një ekspozitë qytetin e tij që e njeh dhe do e shumë, Tiranën. Por thelbësorja në veprën e tij është pasqyrimi i njeriut në situata të ndryshme jetësore dhe konkrete. Gruaja dominon tek veprat e Zajmit, diku ajo shfaqet si nuse, diku si nënë, diku si zonjë shtëpie por thuajse në të gjitha ajo shfaqet e gjysmë e zhveshur. Një pjesë e nudove të piktorit janë realizuar pas viteve ’90, por Zajmi pohon se edhe para këtyre viteve ai ka pikturuar dhe nudo, edhe pse nuk i ka ekspozuar. Arsyeja qëndron pikërisht në stilin e tij paska kubist. Pjesa më e madhe e pikturave janë punuar këto 2-3 vitet e fundit, por mes tyre ka piktura që Bujar Zajmi i ka realizuar 40 vjet më parë. Të gjitha veprat e tij që në fokus kanë pasur Tiranën, ai i solli mbrëmë në një ekspozitë të veçantë në Galerinë Kombëtare, një ekspozitë që do të qëndrojë e hapur deri më 25 nëntor. Ekspozita është kuruar nga Genc Mulliqi, kurse një nga nxitëset dhe organizatoret e çeljes së kësaj ekspozite ka qenë vajza e tij, stilistja e njohur, Anila Zajmi.
Piktura juaj duket se i përket rrymës së kubizmit. Është kjo një tendencë për t’i ngjarë Pikasos, apo ky është stili ku ju gjeni veten?
Unë nuk kam asnjë lloj stili apo rryme sepse nuk më shkon mend për stile, as e kam vrarë mendjen kurrë për të krijuar një stil, siç thoni ju. Për mua nuk është e rëndësishme t’i ngjaj dikujt apo të më krahasojnë me dikë. Njeriu, mbi të gjitha, duhet të jetë vetvetja. Sigurisht që duhen respektuar autorët e mëdhenj të botës, por ata duhet t’i vlerësojmë dhe të mësojmë prej tyre por jo ti kopjojmë. Por unë nuk jam asnjëri prej tyre. Vepra imë mund të kuptojë stile të ndryshme që janë gërshetuar njëri me tjetrin. Unë jam më tepër stilizant sidomos përmes vizatimit. Jam kundër disa piktorëve që një përmbajtje e një temë e bëjnë figurativisht. Për mua kjo nuk është vepër arti, por është ilustrim. Për mua, forma është përmbajtja. Duhet të jetë tërësisht e jotja, jo e mbështetur te tjetërkush. Unë dua të jem shqiptar në punët e mia dhe jo t’i ngjasoj njërit apo tjetrit. Mua frymëzimi më vjen së brendshmi. Marr ide nga jeta, por frymëzimi më vjen së brendshmi. Artisti duhet të zotërojë veten, të zotërojë jetën dhe pastaj ato t’i interpretojë. Në veprën time, unë nuk kopjoj por interpretoj atë që shoh, dhe çdo artist duhet ta bëjë këtë. Çdo njeri shfaq natyrën dhe këndvështrimin e tij. Garën, njeriu e bën vetëm me veten dhe jo me të tjerët, sepse secili ka mënyrën e tij të të parit të gjërave, aq më shumë kur bëhet fjalë për pikturën që është subjektive mënyra sesi e shohin të tjerët.
Po përse keni zgjedhur Tiranën si tematikë të kësaj ekspozite?
Është një obligim më tepër për mua që jam lindur në Tiranë dhe jam nga Tirana. Unë e njoh mirë Tiranën dhe e dashuroj, por asgjë nuk mund të bësh po s’e njohe diçka dhe po s’e deshe diçka. Nga ana tjetër duhet një kulturë e përgjithshme, që kur flet dhe pikturon diçka duhet ta njohësh mirë. Arti nuk është një profesion kaq i thjeshtë sa e kujtojnë njerëzit.
Si e keni interpretuar Tiranën në veprat tuaja?
Kur kam qenë i ri kam bërë edhe peizazhe, por për mua më e rëndësishme është njeriu, në këtë rast njeriu tiranas. Duke qenë dhe vetë tiranas kam hyrë në karakteristikat e veçanta që ka tiranasi. Tiranasit janë të qeshur, me humor, zemërgjerë etj. Por këtu nuk është vetëm Tirana, janë edhe nga krahina të tjera, sepse kryeqyteti sot është mbushur edhe me të ardhur nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Pra këtu është Tirana dje dhe sot.
Shoh tablo shumëngjyrëshe. Është dhe kjo një mënyrë e interpretimit të kryeqytetit?
Ngjyrat janë baza e një pikture, por mua më pëlqen më shumë drita jo errësira, sepse në dritë njeriu sheh; në errësirë je i humbur.
Në disa tablo kemi pamjen e Tiranës së dikurshme me rrugica e shtëpi njëkatëshe, që sot nuk është më...
Kam njëfarë nostalgjie sepse unë kam jetuar në Tiranën që ndoshta sot e kanë harruar. Por kjo është një trashëgimi, pasi të parët na kanë lënë një trashëgimi kolosale dhe nuk duhet ta harrojmë. Unë e kam sjellë përmes peizazhit.
Po Tirana sot?
Tirana është ashtu siç është. Tiranën duhet ta pranojmë ashtu siç është. Nëse rinia do të shohë Tiranën e dikurshme ku unë kam jetuar, mund të mos i pëlqejë sepse i pëlqen kjo Tirana e re. Është çështje brezash kjo. Piktura është shumë subjektive, prandaj është e larmishme, sepse të njëjtën pikturë secili e sheh sipas mënyrës së vet.
Ju keni ekspozuar veprën tuaj vetëm pas viteve ’90, ndërkohë që disa prej pikturave mbajnë data të ndryshme që u përkasin viteve para ’90-ës. Përse nuk janë ekspozuar më parë këto të fundit?
Pjesa më e madhe, 2-3 vitet e fundit, por ka dhe punë që janë punuar 40 vjet përpara. Më përpara kam edhe më shumë edhe pse nuk kam ekspozuar vetëm pas ’90-ës, sepse unë ashtu siç pikturoja nuk mund të ekspozoja në atë kohë. Isha i vetëdijshëm se mënyra sesi unë vizatoja ishte e papranueshme për kohën. Por duke qenë në “burg” (vetizoluar), unë isha i lirë. Ata artistë që zgjodhën të ishin të lirë (të ekspozonin), ishin të gjithë “të burgosur”. Unë i mishëroj ata sepse bënë atë që donte partia. Mendoj se piktura e tyre ka vdekur bashkë me ata. Ndërsa pikturat e mia do të mbesin edhe pas meje. Mënyra ime e të pikturuarit nuk përshtatej me mënyrën tradicionale të asaj kohe, prandaj isha i vetëdijshëm se nuk mund të ekspozoja.
As nuk keni tentuar në atë kohë?
Unë s’kam qenë i përndjekur aspak, se mund të krijohet kjo ide nga lexuesit e kësaj interviste. Madje kam qenë i privilegjuar në atë kohë. Kam punuar si kryetar i komisionit të Grafikës në Lidhjen e Shkrimtarëve për gjithë Shqipërinë, pra kisha një punë të mirë. Por duke qenë në këtë pozicion, e dija se kush ishin pasojat nëse unë do të ekspozoja pikturat e mia. Pra e dija se çfarë mund të ndodhte.
Por në shtëpi punonit ndërkohë nudo dhe linja juaj ishte kubizmi?
Po patjetër, gjithmonë kam punuar. Sidomos pasi u ktheva nga studimet nga Gjermania. Pas Liceut Artistik unë studiova për pak kohë në Gjermani e pas kthimit nga atje u bëra akoma më i vetëdijshëm për mënyrën time të të pikturuarit. E kam pasur dhe vetë në natyrë se kam qenë pak i padisiplinuar, por kur u ktheva nga Gjermani e pashë që nuk kisha të bëja fare me peizazhin e rregullt apo portretin si model që realizohej në atë kohë nga shumë piktorë në Shqipëri. Prandaj hoqa dorë nga ekspozimi.
Nudot e paraqitura në këtë ekspozitë janë pas ’90-ës?
Unë nudot i kam punuar gjithmonë. Madje edhe para viteve ’60 kam punuar, por sigurisht që i mbaja në shtëpi, shumë pak njerëz e dinin që i kisha aty; familja dhe 2 njerëz të ngushtë. Nudoja është sinqeritet, është vërtetësi.
Nudot tuaja, në fakt janë gra gjysmë të zhveshura, ku lakuriqësia është vetëm tek gjoksi. Përse?
Sepse për mua gjoksi i gruas është vazhdimësia e jetës, është simboli i jetës. Nëna për mua është ajo që na jep jetën. Po të mos jetë nëna, nuk ka vazhdimësi.
Dy vizitorët besnikë të pikturave të ndaluara...
Dy miqtë konfidentë, të cilëve Bujari u tregonte pikturat e tij të guximshme në atë kohë përveç familjes ishin Ramadan Sokoli dhe Sadik Kaceli. Por vetëm pas viteve ’90, Bujar Zajmi ka një çlirim të jetës artistike, ku që nga viti ’93 ka çelur disa ekspozita personale.