Besëlidhja-Tirana, finalja e Kupës së Shqipërisë

Kupa e Shqipërisë në basketboll për meshkuj ka nisur të premten në mbrëmje “4-shen” e saj finale, teksa janë luajtur dy gjysmëfinalet, të cilat u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Në fakt kanë qenë “rrugë me një kalim”, sepse Besëlidhja dhe Tirana kanë mbizotëruar, përkatësisht ndaj Vllaznisë dhe Kamzës, duke siguruar vendin në finale. Në takimin e luajtur më herët, që erdhi drejtpërdrejt në RTSH 3, Besëlidhja ka vendosur diktatin që në dy 10-minutëshat e parë, duke e fituar të parin me 10 pikë epërsi, 27-17, dhe të dytin 29-22, dhe duke shkuar kështu në pushimin midis dy gjysmave duke kryesuar bindshëm, me shifrat 56-39.
10-minutëshi i 3-të është fituar nga Vllaznia me një pikë epërsi 25-24, por lezhjanët i kthejnë reston, duke e marë atë të 4-tin dhe të fundit 26-25 dhe duke e fituar gjithë ndeshjen 106-89. Besëlidhja kualifikohet për në finale, aty ku do të përballet me Tiranën, e cila, në një përkim të pazakontë, i ka mbyllur dy pjesët e para të lojës me të njëjtin rezultat, 56-29, teksa kryeqytetasit e fitojnë bindshëm, 32-13, 10-minutëshin e fillimit, kurse atë të dytin e marrin me shifrat 24-16.
Edhe në gjysmën e dytë të ndeshjes, skuadra e drejtuar nga trajneri Erkan Karaji ka vijuar të mbizotërojë, duke e thelluar edhe më tepër epërsinë, pasi 10-minutëshin e 3-të e ka marrë me shifrat 21-18, kurse atë të 4-tin 29-19, dhe gjithë ndeshjen me epërsinë e thellë, 106-66. Kështu, dy skuadrat që i kanë dhënë tonin koshit shqiptar në këto dy vitet e fundit, Besëlidhja dhe Tirana, do të përballen me njëra-tjetrën të shtunën për trofeun e parë të këtij sezoni, me finalen që do të vijë drejtpërdrejt në RTSh Sport, duke nisur nga ora 18:00.