Australian Open: Djokovic dhe Tsitsipas nuk zhgënjejnë

Pas vështirësive që hasi në sfidën ndaj Popyrin, ndeshja e turit të tretë të Australian Open ishte më e lehtë për Novak Djokovic. Serbi arriti të triumfojë në ndeshjen e 100-të në karrierë në Melburn (vetëm Roger Federer (117) dhe Serena William (105) kanë zhvilluar më shumë ndeshje në Australian Open) , pasi mposhti me rezultatin 3-0 (6-3, 6-3, 7-6 ) në një sfidë që zgjati 2 orë e 31 minuta argjentinasin Tomas Etcheverry.
Numri 1 në renditjen botërore të tenisit fitoi lehtësisht 2 setet e para dhe uli disi ritmin në setin e tretë, por pa vënë në diskutim fitoren. Djokovic kualifikohet mes 16 më të mirëve të këtij edicioni të Australian Open (serbi është kualifikuar në këtë fazë të turneut 16 herë në 19 pjesëmarrje).
Kualifikohet në fazën e 1/8-ve të finales edhe Stefanos Tsitsipas, që mposhti me lehtësi 3-0 francezin Van Assche. Greku koleksionon fitoren e 60-të në karrierë në një turne Slam dhe do të përballet me Taylor Fritz në sfidën e ardhshme, që vlen një vend në çerekfinale.
Kualifikohen në turin tjetër Sabalenka dhe Gauff tek femrat, që kanë fituar ndeshjet respektive. Vazhdon përralla e 16-vjeçares ruse Mirra Andreeva, që pasi eliminoi Jabeur, fiton edhe përballë francezes Parry dhe kualifikohet mes 16 tenisteve më të mira të këtij edicioni të Australian Open.