Besfort Idrizi, shqiptari i parë dekan i Fakultetit të Arteve Dramatike në Universitetin e Shkupit

Regjisori dhe pedagogu Besfort Idrizi është zgjedhur dekan i Fakultetit të Arteve Dramatike në universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Ai është shqiptari i parë që merr këtë detyrë. Në një intervistë për gazetarin Andri Xhahu në emisionin “Në radio”, Idrizi u shpreh se ky fakt ka një kontekst sa politik aq edhe kombëtar. “Nuk do të vendosja një theks të madh këtu sepse ky fakultet veçohet nga të tjerët, ka qenë gjithmonë avangard. Që në vitin 1995 në këtë fakultet është formuar klasa shqipe për aktrim. Në vitet ’90 një gjë e tillë ishte e paimagjinueshme. Paralelisht me këtë ngjarje në Maqedoni bëheshin protesta kundër hapjes së fakulteteve në gjuhën shqipe ndërsa nga ana shqiptare bëheshin përpjekje që të hapeshin këto fakultete, të cilat rezultuan me Universitetin e Tetovës, dhe me shumë të tjera.”
Idrizi nënvizon se është zgjedhur si dekan, jo vetëm se është shqiptar por në bazë të meritave dhe kritereve që përmbush. “Si shqiptari i parë në këtë detyrë, është hapur një derë që mbase ka qenë e mbyllur ose më parë askush nuk ka dashur ta hapë. Dera është hapur dhe shumë shqiptarë të tjerë do të mund ta realizojnë këtë gjë në të ardhmen. Nuk duhet të shihet që i takon një etnie apo një tjetër, por duhet të shihet nëse kriteret profesionale dikush i përmbush ose jo.”
Zgjedhja e një shqiptari në krye të një fakulteti do të ndikojë pozitivisht veçanërisht në fushën e arsimit. “Duke qenë se shoqëria jonë po ndahet mes etnive të ndryshme që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, ky është një hap më afër largimit të këtyre ndarjeve dhe t’i kthejmë universitetet në institucione studimi dhe jo në institucione etnike.” Gjithsesi çdo lëvizje e tillë ju jep komuniteteve një shtysë më të madhe që të ndihen më të përfaqësuar, dhe këtë gjë Idrizi e ka vërejtur nga entuziazmi se si shqiptarët reaguan ndaj këtij lajmi.
Mbi 80% e profesorëve dhe përfaqësuesve të këshillit studentor votuan pro kandidaturës së Besfort Idrizit. Edhe pse në fillim atë e ka shoqëruar mendimi që ishte në moshë të re për këtë pozicion. Kjo prej paragjykimeve që ekzistojnë që një dedan duhet të jetë në një moshë të shtyrë dhe me shumë eksperiencë. Por duket se mosha e tij e re favorizoi frymën që ai dëshiron të sjellë në arsim. “Mendoj që arsimi në Maqedoni ka nevojë të modernizohet dhe të përditësohet në shumë aspekte. Kolegët e panë dhe e besuan këtë frymë të re që dua dhe përpiqem të sjell.”
Fokusi kryesor i programit të tij është hapja e Fakultetit të Arteve Dramatike ndaj bashkëpunimeve dhe projekteve. “Gjatë këtyre ditëve vendosa një komunikim më të mirë me të gjithë teatrot në vend. U firmosën disa memorandume bashkëpunimi me to. Mes të tjerave përcaktohet që studentët tanë gjatë vitit të parë dhe të dytë të jenë ndjekës të programeve të teatrove në vend, të jenë vullnetarë që të ndjekin provat dhe procesin krijues. Ndërsa në vitin e tretë dhe të katërt të angazhohen profesionalisht në produksione të ndryshme.”
Një tjetër pikë e rëndësishme e programit të tij është modernizimi dhe përditësimi i programeve studimore. “Në fakultetin tonë programet studimore janë me përmbatje të shekullit të 20-të, më shume se sa të shekullit 21. Ka frymë të re, ka ndryshuar mënyra e punës, janë paraqitur trende dhe zhvillime të reja. Mendoj që kjo është një gjë që duhet përditësuar një ditë ë më parë.”
/rtsh.al/