E Diel, 1 Nëntor 2026

Besimi:Kemi guxim dhe kapacitet për zgjidhjen e çështjes së emrit

Update - Shpresoj se kemi kapacitet dhe guxim për tejkalimin sa më të shpejtë të të gjitha sfidave, përfshirë dhe atë të kontestit të emrit, duke gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, me qëllim që një ditë të jemi pjesë e familjes së njëjtë Evropiane sepse na pret një e ardhme e njëjtë.

Këtë sot e deklaroi zëvendës Kryeministri i qeverisë Maqedonase përgjegjës për cështje Evropiane Fatmir Besimi pas takimit me ministrin grek të punëve të jashtme Dimitris Avramopulos.

“Me qasje të sinqertë dhe të hapur, dhe me një vullnet të mirë, mund të ndërtojmë mirëbesim dhe të diskutojmë hapur mbi çështjet që ngrihen para nesh dhe për sfidat me të cilat përballemi në përcaktimet për të realizuar qëllimin tone të përbashkët”, ka deklaruar Besimi, shkruan Ina.

I pari i integrimeve evropiane, ka bërë të ditur gjithashtu se sot janë realizuar takime të suksesshme dhe frytdhënëse në nivel ekspertësh mes të dyja vendeve ku është biseduar për bashkëpunimin bilateral në sfera të ndryshmë dhe për cështje të rëndësishmë nga BE agjenda”.

“Sot këtu pash vullnet të mirë, shpresë, miqësi dhe qasje të sinqertë ndaj perspektivës Evropiane, theksoi Besimi dhe shtoi se perspektiva Evropiane, si qëllim yni strategjik, është opsion për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit”.

Ai ka shfrytëzuar takimin me kryediplomatin grek, për t’i uruar atij një presidencë të suksesshme me BE-në, në vitin që po vjen, duke shtuar se “është me rëndësi të thuhet se Greqia është vendi që po promovon të a.q. Agjendë 2014, që premton një uverturë në zgjerimin e BE-së me shtetet e Ballkanit”.

Avramopulos, në anën tjetër, ka deklaruar se në takim është folur për çështjet që lidhen me BE-në dhe për mënyrat si të vijohet dhe thellohet bashkëpunimi dypalësh, në kontekst të integrimit evropian dhe të sigurimit të njohurive teknike, që ka filluar prej kohësh mes të dyja vendeve.

“Dua t’ju rikujtoj se Greqia është e sinqertë në bisedimet për kontestin e emrit. Jemi të bindur se zgjidhja e kësaj çështjeje do të krijojë perspektiva të mëdha bashkëpunimi, me dobi për të dy popujt, por dhe për mbarë rajonin. Është me rëndësi që teksa bisedimet vijojnë nën patronazhin e OKB-së, të ruhet maturia dhe vetëpërmbajtja”, ka deklaruar Avramopulos.

Sipas shefit të diplomacisë Greke takimet e tilla, sikundër ky i sotmi, janë shumë të dobishme dhe konstruktive, për shkak se krijojnë klimë mirëbesimi në raportet mes të dyja vendeve. (INA)


Takimi Besimi - Avramopulos sot në Athinë

9:00 - Ky takim ka nxitur komente në Athinë dhe Shkup, për shkak të kontestit të emrit dhe nivelit të zhvillimit të tij midis një ministri shqiptar në të Maqedonisë dhe ministrit grek.Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë, Fatmir Besimi sot në Athinë do të takohet me Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Dimitris Avramopulos.

Ky takim ka nxitur komente të ndryshme në Athinë dhe Shkup, pikërisht për shkak të kontestit të emrit dhe nivelit të zhvillimit të tij midis një ministri shqiptar në kabinetin qeveritar të Maqedonisë dhe ministrit grek.

Ministri Besimi ka sqaruar disa ditë më parë se temat e këtij takimi do të jenë integrimet evro-atlantike të vendit dhe marrdhëniet bilatareale mes dy vendeve fqinje. Besimi nuk bëri të ditur nëse do t’ia përcjell diplomatit grek qëndrimet e qeverisë rreth propozimit të fundit të ndërmjetësit Methju Nimic rreth çështjes së emrit, por tha se edhe problemi i emrit do të jenë një nga temat që do të shtrohen në tryezë. Besimi e cilësoi si të rëndësishëm takimin me autoritet greke në kohën kur kanë mbetur edhe 1 muaj deri tek samiti i qershorit të Këshillit të BE-së, kur shtetet anëtare do të vendosin nëse do t’ia japin apo jo këtë vit datën për fillimin e negociatave me BE-në.

Gazeta greke “To Vima” ka komentuar takimin, duke nënvizuar se përmes këtij takimi Athina po kërkon kanale për komunikimin me Shkupint, në tentim për të gjetur rrugëdale nga qorr – sokaku rreth kontestit të emrit dhe pas qëndrimeve të palëkundura të kryeministrit Nikolla Gruevski.

Gazeta shkruan se Besimi është anëtarë i kabinetit qeveritar nga partia shqiptare BDI dhe se ai vlerësohet si një politikan i urtë dhe se ai edhe më parë ishte takuar me homologun grek Avramopulos, në kohën kur ishin ministra të mbrojtjes.

“To Vima” komenton edhe një burim të lartë diplomatik grek, ku nënvizohet se pala grek komunikon dhe bisedon me çdo kend që është i interesuar për bashkëpunim./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›