Sondazhi: PS fituese e zgjedhjeve të 23 qershorit

Edhe sondazhi i dytë i zhvilluar në prag të çeljes zyrtare të fushatës elektorale, nxjerr fitues koalicionin e majtë me një diferencë të thellë votash.
Nëse votimi do të bëhej sot, të majtët do të dilnin fitues me 49 % të votave në të gjithë vendin, ndërsa koalicioni i djathtë, nëse do të votohej sot do të fitonte vetëm 40 % të votave. Edhe si subjekt politik, Partia Socialiste rezulton në avantazh të thellë përballë PD-së, me një diferencë prej 5 për qindësh.
Sondazhi u organizua nga Instituti Italian Piepoli dhe u publikua në Vizion Plus. Në të u përfshinë 1651 të intervistuar në të gjithë vendin. Nga përpunimi i të dhënave del fituese Partia Socialiste me 40% të votave kundrejt 35% të Partisë Demokratike.
Lëvizja Socialiste për Integrim duket se e ruan përsëri pozicionim e saj si forca e tretë politike në vend duke marrë një shifër të kënaqshme në prag të zgjedhjeve, rreth 6 për qind të elektoratit. Sondazhi vijon më tej me Aleancën Kuq e Zi me 5.5, FRD me 5.5 për qind, ndërsa Partia Republikane, në koalicionin e djathtë fiton 2 për qind të votave.
Tek të dy koalicionet, aleatët e vegjël do t'u sigurojnë dy partive të mëdha nga 3 për qind të votave. Të pyetur se si vlerësohet puna e qeverisë aktuale, pjesa dërrmuese e të intervistuarve ndjehet e zhgënjyer . Shumica janë të pakënaqur me punën e qeverisë së djathtë të drejtuar prej kryeministrit Berisha. Janë jo pak, por 60 % e të anketuarve të cilët mendojnë se vendi nuk po shkon në drejtimin e duhur, ndërsa të pasigurt nëse po bëhen hapa pozitive janë 17 për qind e të intervistuarve. Të kënaqurit janë vetëm 7 për qind nga 1651 të pyetur. 16 për qind e tyre nuk kanë një opinion.
Të pyetur mbi ekonominë e këtij viti krahasuar me një vit më parë, 53 për qind e qytetarëve shqiptarë mendojnë se 2012-ta ka qenë një vit më i keq krahasuar me 2011-n. Për 16 për qind ka qenë njësoj, për 19 për qind më i mirë, ndërsa 22 për qind nuk kanë një opinion./Indeksonline/