E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besimtarët e krishterë festuan Krishtlindjen në gjithë Shqipërinë

26-12-2012 / Gazeta 55

Mijëra besimtarë të krishterë shqiptarë festuan dje Krishtlindjen, një nga ditët më të rëndësishme të fesë së tyre. Nga mesnata dhe në orët e para të ditës së djeshme, katolikë dhe ortodoksë u mblodhën në objektet e tyre të kultit, për të ndjekur ceremonialet festive dhe për të uruar njëri-tjetrin. Udhëheqësit fetarë organizuan meshat e Krishtlindjeve, duke u kërkuar besimtarëve të mbrojnë varfrit dhe të bashkëpunojnë në paqe për një jetë më të mirë.
Drejtuesi i kishës katolike për Tiranën dhe Durrësin, imzot Rrok Mirdita, tha në fjalën e tij në katedralen e Shën Palit se Krishti lindi për të ndihmuar njerëzit e thjeshtë, larg luksit të titullarëve të përkohshëm, dhe se besimtarët duhet të të ruajnë lidhjet me Krishtin në çdo kohë. “Dinjiteti njerëzor buron nga misteri i Krishtit përpara dhe përmbi çdo të drejtë ligjore. Prandaj, kush beson në Krishtin nuk mund të nëpërkëmbë dinjitetin njerëzor. Ky dinjitet nuk është i mbështetur në një rol, as në një përkatësi sociale, as në aftësi të veçanta, por në natyrën njerëzore të krijuar nga bashkimi i Zotit me njeriun. Shpesh jemi të prirur të shohim njeriun në vogëlsinë dhe në dobësinë e vet, në pamundësinë për t’u shpëtuar, në lojën e ulët të ndjekjes së interesave personale. E shohim të sëmurur, të nëpërkëmbur, të mposhtur nga dhimbja, e shohim krenar, dhunues cinik; pra e shohim të pa shpëtuar. Krishti ka ardhur në botë pikërisht për këtë njeri, për ta shpëtuar atë”, theksoi imzot Mirdita.
Harmonia e bashkëjetesa mes komuniteteve fetare është një nga tiparet dalluese të shoqërisë shqiptare, dhe toleranca fetare është një nga veçantitë më të spikatura të saj. Besimtarët respektojnë traditat e njëri-tjetrit ndërsa festat fetare të secilit besim përfshijnë gjithë qytetet.
Ndërsa në të gdhirë të mëngjesit të ditës së sotme, besimtarët ortodoksë kanë nisur meshën e drejtuar nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos. Besimtarët ortodoks janë lutur në emër të Krishtit. Edhe gjatë ditës janë zhvilluar të tjera ceremoni festive, ndërsa krerët e shtetit dhe të politikës kanë zhvilluar vizita në Katedralen e Shën Palit dhe në Kishën Ortodokse për të përcjellë urimet e tyre për të gjithë besimtarët katolikë dhe ortodoksë.
Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë dhe Perëndia vetë e mishëruar, zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit, dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë.
Sipas Biblës, Jezusi lindi nga Maria në Betlehem, ku ajo dhe i shoqi i saj Jozefi po pushonin rrugës për në vendlindjen e tyre, Nazaret, për të marrë pjesë në numërimin e mbarë popullsisë urdhëruar nga perandori August. Lindja e Jezu Krishtit kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore. 
Në Shqipëri, Krishtlindja rinisi të festohet pas viteve ’90-të, kur u lejua besimi fetar, i ndaluar nga diktatura. Darka e Krishtlindjeve paraprihet nga një ditë agjërimi, gjatë së cilës përgatiten ushqimet që do të serviren në mbrëmjen e festës.
Krishtlindja në Shkodër/ Imzot Angelo Massafra Arqipeshkë i Dioqezit Shkodër-Pult ka celebruar në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër Meshen Shenjte në Vigjile të Krishtlindje. Ipeshkvi i Shkodër-Pult Imzot Massafra në urimin drejtuar besimtarëve u kërkoi atyre të reflektojnë mbi rëndësinë e kësaj nate të lindjes së Krishtit dhe të punojnë të gjithë së bashku në uljen e dukurive negative që po godasin shoqërinë tonë.
Besimtarë të shumtë të pranishëm në Kishën Katedrale të Shkodrës në lutje dhe përvujtëri kanë uruar njëri tjetrin me rastin e festës së Krishtlindjes. Në meshë kanë marrë pjesë edhe drejtuesit e pushtetit lokal në Shkodrës si dhe përfaqësues të forcave politike. Gjithashtu në mesnatën e Krishtlindjeve, në pritje të meshës së shenjtë, Famullia e “Shën Shtjefnit” Shkodër, ofroi për besimtarët e krishterë koncertin tradicional “Krishtlindje 2012”.
Ashtu si edhe në vitet e mëparshme, edhe këtë radhë koncerti është mbajtur në mjediset e Katedrales “Shën Shtjefni” të qytetit të Shkodrës. Krahas besimtarëve të shumtë shkodranë, koncertin e kanë ndjekur nga afër edhe qytetarë të besimeve të tjera, ndërkohë që kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre edhe drejtuesit më të lartë të qeverisjes vendore, deputetë të Parlamentit Shqiptar, përfaqësues të trupit diplomatik që operojnë në rajonin verior etj. 
Përmbi një orë, kori “Nënë Tereza”, kompleksi muzikor “Clasic Sound” dhe kori “Preng Jakova”, të drejtuar nga maestro Gjon Shllaku, interpretuan pjesë muzikore kishtare të autorëve shqiptarë dhe të huaj, ndërkohë që me interes dhe duartrokitje janë pritur edhe shumë këngë kushtuar 100- vjetorit të Pavarësisë. Koncertet kishtare kanë qenë në traditë të shumë viteve më parë në qytetin e Shkodrës, ndërkohë me iniciativë të famullitarit të Shkodrës, Dom Gjovalin Sukaj, në bashkëpunim me trupat artistike të Shkodrës dhe të tjera të ftuara nga Tirana, por edhe nga jashtë vendit, kjo traditë ka filluar të ripërtërihet sërish në qytetin verior. Krahas koncertit tradicional të Krishtlindjeve, Famullia e Shkodrës ka arritur të organizojë në këtë katedrale edhe Festivalin Koral, me pjesëmarrjen e koreve të njohura nga vende të ndryshme ballkanike dhe europiane.
Në Gjirokastër u festua lindja e Jezu Krishtit/Besimtarët ortodoks dhe katolikë në jug të vendit, kanë festuar në orët e parë të mëngjesit lindjen e Jezu Krishtit. 
Festa e Krishtlindjes, ka mbledhur në Kishën e Shën Mëhillit në lagjen Varosh, si dhe në Kishën Shën Sotiri, në lagjen “Pazari i Vjetër”, besimtarë nga gjithë qarku i Gjirokastrës, që mbanin në duart lule dhe qirinj, simbol i paqes dhe dashurisë për Jezu Krishtin. 
At Theodhori Nikolla, udhëheqësi i meshës në Kishën e Shën Mëhillit, lexoi mesazhin e urimit të Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse-Autoqefale, hirësia e tij, Anastasios Janullatos. Gjithashtu, edhe në rrethin e Përmetit, Tepelenës, Sarandës, Delvinës, besimtarët ortodoksë dhe katolik festuan lindjen e Krishtit.
Krishtlindjet në Durrës – Këshilli i Qarkut, dhurata për fëmijët në nevojë/ Festat e fundvitit kanë gëzuar edhe 100 fëmijë të familjeve në nevojë, të cilët pasditen e kaluar në një festë të organizuar nga Këshilli i Qarkut të Durrësit morën edhe pakot e përgatitura për ta në distancë nga një grup bashkëmoshatarësh nga Austria.
Kryetarja e Këshillit të Qarkut Durrës, Eglantina Begteshi përshëndeti fëmijët dhe uroi festat, ndërsa një grup artistësh të vegjël nga Qendra Kulturore e fëmijëve gëzuan së bashku me të pranishmit e tjerë.
Këshilli i qarkut, në bashkëpunim me “Misionin pa kufi” sollën për fëmijët e familjeve në nevojë dhe për ata me prapambetje të lehtë mendore 100 pako me dhurata, të përgatitura nga fëmijë të moshave 10-15-vjeçare në Austri tha Begteshi, duke shtuar se festa të tilla janë organizuar në bashki dhe komuna të ndryshme të qarkut.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›