Besnik Bislimi merret në pyetje Zv.kryeministri në detyrë mbërrin në Prokurorinë Speciale të Kosovës

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës Besnik Bislimin u paraqit këtë të mërkurë në Prokurorinë Speciale për t’u pyetur lidhur me hetimet për dhënien me qira të fabrikës për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve shtazore nga Ministria e Bujqësisë.
Ishte ministri në detyrë i Bujqësisë Faton Peci, ai që përmendi emrin e Bislimit lidhur me kontratën e vënies në funksion të kësaj fabrike. Për këtë çështje në fund të muajit maj u intervistua vetë ministri Peci dhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha, që të dy në cilësinë e të dyshuarit.
Peci dhe Hoxha u intervistuan pasi më 27 maj, Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Speciale kreu kontrolle në katër objekte të ndryshme në Prishtinë e Ferizaj pas dyshimeve për keqpërdorim të kontratës për dhënien me qira të kësaj fabrike.
Në Parkun Industrial në Drenas, dhjetorin e vitit 2019 u ndërtua fabrika, ku parashikohej të përpunoheshin dhe asgjësoheshin nënproduktet shtazore, por ajo u vu në funksion 5 vite më vonë.
Hetimet nisën pasi dyshohet se kompania që fitoi të drejtën për ta vënë në funksion fabrikën nuk përmbushte kriteret e kontratës. ishte PDK-ja ajo që akuzoi ministrin Peci se kishte shkelur Ligjin për pronën publike me dhënien me qira për 20 vjet kompanisë ftuese.
/rtsh.al/