Beteja e padukshme, emrat e rinj për KushtetuesenNga Lorenc VangjeliPër dy muaj, mbarojnë mandatet e gjashtë anëtarëve të Gjykatëa Kushtetuese dhe mandatet e dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Presidenti Topi shpall garën për kandidaturat. Një vit më
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Beteja e padukshme, emrat e rinj për KushtetuesenNga Lorenc VangjeliPër dy muaj, mbarojnë mandatet e gjashtë anëtarëve të Gjykatëa Kushtetuese dhe mandatet e dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Presidenti Topi shpall garën për kandidaturat. Një vit më parë, pesë dekretet e tij për anëtarë të Gjykatës së Lartë u rrëzuan nga Kuvendi. Sa do të ndikojë kriza e sotme politike në emrat e nesërm të gardianëve të Kushtetutës? Në horizont shfaqet arsyeja e re për betejën e radhës në politikë
Brenda më pak se një jave, Gjykata Kushtetuese u bë targeti i preferuar i politikës. Dy vendime të njëpasnjëshme të saj u pritën në mënyrë diametralisht të kundërt nga dy kahet e kundër të politikës: ajo u mallkua nga Partia Demokratike dhe u duartrokit nga Partia Socialiste. Rrëzimi si të papajtueshëm me Kushtetutën të “marrëveshjes së detit me Greqinë” dhe ligjit “për dosjet”, e risollën edhe njëherë Gjykatën Kushtetuese në qendër të vëmendjes dhe e bënë të merituar vëmendjen e publikut mbi të. Në rastin e parë, deri diku, u vunë re qëndrime të ekuilibruara nga PD, direkt e goditur nga ky akt; u shfaq mospëlqimi për vendimin unanim që rrëzonte marrëveshjen me Greqinë, por gjithashtu u nënvizua edhe se vendimi do të zbatohej e do të pranohej. Megjithatë nuk mungoi dhe Meta që e konsideroi vendimin sit ë marrë nën presionin e “qarqeve ekstremiste shqiptare”, por pa përcaktuar se cilat ishin këto qarqe e thjesht duke nënkuptuar PS-në. Në rastin e dytë ndodhi e kundërta, në mënyrë të rrufeshme u rikujtuan të njëjtat tone dhe e njëjta gjuhë e përdorur ndaj këtij institucioni kushtetuese pothuaj një vit më parë: “Gjykatësit që votuan për abrogimin e ligjit janë po ata që kanë marrë vendime për vrasje njerëzish të pafajshëm deri në vitin ’89, janë po ata mbi të cilët rëndojnë krimet më të rënda kundër njerëzit,” u tha zyrtarisht nga PD-ja. Emrat e këtyre gjykatësve, “gardianë” të zbatimit të Kushtetutës, më parë, po në janar të vitit të kaluar, ishin përmendur nga kryeministri Sali Berisha. Tamam në kohën kur shumica e tij do të iniconte ligjin e rrëzuar tashmë si antikushtetues. Kurbanët e vetëm të asaj kryqëzate të vonuar antikomuniste do të ishin vetëm dy emra, prokurori Zamir Shtylla që largohet nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Skënder Breca që dorëzon një dekoratë të marrë nga presidenti.
Nga ana e saj, Partia Socialiste u mjaftua duke kujtuar fort se vendimi i fundit i trupës së Kushtetueses, ishte i 17-ti në radhën e shuplakave që i jepen qeverisë për ligjet apo aktet që ajo nxjerr në kundërshtim me Kushtetutën. E llogaritur për katër vjetët e gjysëm që kjo mazhorancë është në pushtet, ky është vërtet një bilanc i zymtë” njëherë në tre muaj, qeveria Berisha ka bërë një faull antikushtetues!
Por, përtej “betejës së ditës”, në horizont është duke u përgatitur në heshtje beteja e radhës. Duke nisur që nga data 1 prill dhe 27 prill e këtij viti, tre gjykatësve, Kujtim Putos, Fehmi Abdiut dhe Sokol Sadushit ju mbaron mandate nëntë vjeçar i mbajtjes së togës së zezë. Kushtetuta e Shqipërisë, në nenin 124 të saj përcakton se “Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion”. Tre gjyqtarët Puto, Abdiu dhe Sadushi e kanë plotësuar tashmë këtë afat kohor. Menjëherë pas tyre, edhe tre gjyqtarë të tjerë, Xhezair Zaganjori, Petrit Plloçi dhe Admir Thanza do të provojnë të njëjtin fat, në datën 21 maj. Deri më këto, kjo gjashtëshe gjykatësish të mbrojtur me imunitet e që do të mund të largoheshin nga detyra vetëm në raste të përcaktuara qartësisht në Kushtetutë, do të largohen nga detyra për tu zëvendësuar më të tjerë. Sepse kështu zbatohet Kushtetuta. Por pikërisht këtu historian is të ndërlikohet për shkak të kohës kur mbaron mandati i tyre dhe “koincidencës” fatkeqe të ditëve të sotme të fundit të mandatit me stinën e veçantë politike që po kalon vendi.
I zgjedh Kuvendi, opozita jashtë
Neni 125 i Kushtetutës përcakton: “Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit”. Një procedurë normale që në këto muaj të ftohtë dimri politik, bëhet një patate e nxehtë. Si për dorën e Presidentit që do të verë firmën në dekretet për juristët e zgjedhur, ashtu dhe për të nesërmen e këtij institucioni, emrat e rinj të të cilët, të paktën deri më tani, do të duhet të “pëlqehen” nga Kuvendi i ngjyrosur vetëm në blu. Për më shumë, dekretet e zotit Topi duhet të votohen prej Kuvendit, por marrëdhëniet mes tyre, për një mijë e një arsye, janë pothuaj të ngrira. Presidenti Topi numërohet nga maxhoranca, (ajo që edhe e zgjodhi) si dele e zezë. Tradita, në të paktën një rast të ngjashëm për të mos përmendur të tjerë – dekretët e majit të vitit të kaluar për Gjykatën e Lartë – u hodhën poshtë nga shumica në një provë force të fituar me të. Mes emrave të zgjedhur nga zoti Topi, atëherë edhe një jurist “pa të sharë” dhe i vetmi me përvojë ndërkombëtare në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në Strazburg, Kristaq Traja, u bë viktimë e një votimi të “çuditshëm” e të parë si të tillë edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Traja dhe katër kandidatura të tjera u rrëzuan nga Kuvendi duke nisur edhe zyrtarisht një ngërç të fortë mes institucionit të Presidentit dhe Kuvendit. “Morri fund pakica bllokuese”, tha atëherë triumfues kryeministri Berisha. Sot, në të njëjtat parakushte, situata ngjan në të njëjtat rrethana, në mos më keq.
Deri më tani opozita nuk është përfaqësuar në Kuvend dhe as nuk ka njohur legjitimitetin e tij të plotë. Kërkesat e saj të njohura politike për t´i dhënë fund bojkotit ngjajnë se trokasin në derë të shurdhët, ndërsa fundi i shkurtit do të sjellë një mision “paqetues” evropian për të krijuar dialog mes pozitës dhe opozitës. Edhe në këtë rast, Presidentit i është caktuar një rol i veçantë ndërmjetësimi mes palësh që duket se nuk gjejnë dot në kushte normale asnjë pikë kontakti. Tamam në këtë kohë, varësisht edhe zgjidhjes së mundshme politike që do të duhet të gjejë vendi, do të vijnë dhe propozimet e Topit për emrat e rinj të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Që për më shumë do të duhet të gjejnë dhe të marrin edhe pëlqimin e Kuvendit. A do të ketë zoti Topi konsultime me të gjitha partitë politike për kandidaturat që do të firmosë? Dhe nëse ndodh kështu, a do të ketë një mirëkuptim mes palëve apo dhe një gjë e tillë do të shndërrohet në një mollë më shumë në sherrin politik? Këto janë pyetje të cilat do të vazhdojnë të mbeten të panjohura edhe për shumë kohë dhe që do të marrin përgjigje, ndoshta, që në negociatat që pritet të fillojnë mes palëve për zgjidhjen e krizës politike. Sepse edhe pse mandatet e reja të gjykatësve nuk janë përmendur deri më tani, ato i plotësojnë të gjitha kushtet për të qenë kushte në lojën që do të nisë në prani të ndërkombëtarëve.
Deri më tani, në një institucion, që edhe pse nuk është shkruar drejtpërdrejt në Kushtetutë, është munduar sipas “kushteve shqiptare” që të jetë i balancuar politikisht, rreziku që shumica e djathtë të zgjedhë të japë pëlqim të diferencuar politik për kandidatët, është më shumë se një mundësi.
“Anësia” politike
Të vendoset peshorja politike e preferencave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, është e vështirë vetëm në dukje. Pa ndalur në emra të përveçëm, në gjashtë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që largohen, katër prej tyre, konsiderohen më pranë të majtës, një pranë të djathtës, kurse i fundit, më shumë “asnjanës”. Shqetësimi i pashpallur publikisht deri më tani, është pikërisht, prishja e ekuilibrave gjithashtu të pashpallur “të majtë, të djathtë”. Duke u nisur dhe nga precedenti i vitit të kaluar dhe hedhja poshtë e propozimeve të Presidentit, afërsia e kandidaturave të reja me njërën apo tjetrën forcë politike, do të jetë një nga pikat më të debatueshme të kandidaturave të nesërme. Dhe në këtë klimë të tensionuar politike, me të gjitha gjasat, edhe trupa e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, nuk do t´i shpëtojë debatit politik.
Në vitin e kaluar, mbas rrëzimit të pesë dekreteve presidenciale, Presidenti pranoi të kalojë në “sitë” deri në 150 kandidatura për pesë vendet dhe madje krijoi dhe një grup konsultativ për verifikimin e tyre. Ngjan se e njëjta situatë do të krijohet edhe në këtë rast.