“Beteja jonë kryesore është me justifikimet”, Rama “u tërheq veshin” ministrave dhe deputetëve: Besa është reforma që do ta ndalojë

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi këtë të enjte, 3 shtator, ministrat dhe grupin parlamentar socialist, ku kërkoi më shumë përgjegjësi dhe reagim konkret nga institucionet.
“Beteja jonë kryesore është beteja me justifikimet, e ministrive, drejtorive, inspektoriateve, justifikimet e bashkive, njësive administrative, beteja me justifikimet e deputetëve”, deklaroi Rama. “Përgjigjet e institucioneve janë shënjestra jonë, duhet t’i refuzojmë justifikimet, jo përgjigje pa përgjigje”, shtoi ai.
Duke folur për reformën “Besa”, Rama tha se duhet ndryshuar mënyra se si merren vendimet. “Duhet të ndryshojmë rendin e gjërave. Duhet të shkojmë në rendin e dëgjimit, qartësisë për problemin, alternativa, kosto para marrjes së vendimeve”, u shpreh kryeministri.
Rama kërkoi gjithashtu nga ministrat dhe deputetët të kenë një qasje më njerëzore ndaj qytetarëve, edhe kur përballen me kritika të ashpra. “Nëse ai vjen te ti, ti do ta dëgjosh, duhet t’i japësh mundësi të shohë njeriun”, tha ai. “Ky paragjykim nuk luftohet në debat me qytetarin”, theksoi Rama.
Rama: Beteja jonë kryesore është beteja me justifikimet e ministrive, drejtorive, inspektoriateve, justifikimet e bashkive, njësive administrative, beteja me justifikimet e deputetëve, ku duket sikur të gjithë kanë të drejtë, por nuk ka të drejtë asnjëri.
Përgjigjet e institucioneve janë shënjestra jonë, duhet t’i refuzojmë justifikimet, jo përgjigje pa përgjigje.
Nëse në fund të ditës do të jemi të paaftë për t’u ngritur në Shqipërinë e pritshmërive, problemi më i madh është që qytetarët nuk mund t’u mbijetojnë justifikimeve.
Besa është reforma që duhet të na ndalojë të kalojmë nga fjala në fjalë, duke e bërë një zotim apo një detyrim të mbulohet nga një tjetër. Duhet të ndryshojmë rendin e gjërave. Duhet të shkojmë në rendin e dëgjimit, qartësisë për problemin, alternativa, kosto para marrjes së vendimeve.
E kuptoj ironinë dhe përqeshjen që na bëjnë për Besën, por Besa jonë nuk është “aman, më beso”. Ky do të ishte kulmi, është “të lutem, më kontrollo”. Për këtë arsye, gjithsecili nga ju duhet të kuptojë që nuk është një njeri i mirë se ka ardhur, është i paragjykuar vetvetiu. Të qenit i paragjykuar nuk duhet të të bëjë agresiv dhe të harrosh pse je aty. Je aty për të ndërtuar besim, për të dhënë empati dhe me atë që të thotë legen, hajdut, ai është në të drejtën e tij. Nëse ai vjen te ti, ti do ta dëgjosh, duhet t’i japësh mundësi të shohë njeriun.
Gjithë anëtarët e qeverisë, sot më shumë se më parë, janë individualisht njerëz me aftësi të veçanta individuale në gjërat që kanë bërë para se të vinin këtu. Por kur vjen këtu dhe kur përfaqëson një pjesë të shoqërisë në një territor psikologjik kaq shumë të ngarkuar me urrejtje, inat e mllef, duhet të mos mendosh për veten që ke parë pasqyrës, por të mendosh si sheh veten. Ky paragjykim nuk luftohet në debat me qytetarin.
Besa nuk thotë “kemi ndërmend”, por thotë: ky është hapi. Ky është personi përgjegjës, kjo është prova dhe ky është afati.
/vizionplus.tv