E Diel, 1 Nëntor 2026

Beteja me flakët në Malin e Krujës, mbi 300 efektivë në terren për shuarjen e zjarrit. Ndërhyrje me helikopterë dhe dronë, evakuohen banorët

Vijon prej orësh beteja me flakët në Malin e Krujës, ndërsa strukturat e emergjencave civile, Forcat e Armatosura dhe shërbimet zjarrfikëse po punojnë për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.

Flakët kanë përfshirë fillimisht një sipërfaqe në zonën e Abazës, duke shkaktuar alarm te banorët dhe autoritetet për shkak të rrezikut të përhapjes drejt zonave të banuara. Zjarri është aktivizuar prej 8 gushtit dhe situata është përkeqësuar gjatë orëve të mbrëmjes, duke detyruar autoritetet të marrin masa emergjente për mbrojtjen e banorëve.

Operacioni për vënien nën kontroll të flakëve ka vijuar gjatë gjithë natës, ndërsa në terren janë angazhuar mbi 200 efektivë të Forcave të Armatosura dhe strukturave të emergjencave civile.Po ashtu rreth 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit po punojnë për izolimin e vatrave.  Ndërhyrja po zhvillohet si nga toka, ashtu edhe nga ajri.

21 mjete zjarrfikëse, tre helikopterë, një dron Bayraktar TB2 dhe dy dronë me kamera termike të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile  janë angazhuar në operacionin për vënien e flakëve në kontroll, teksa në zonë ndodhen gjithashtu autoambulanca dhe Qendra Operacionale e Lëvizshme e AKMC-së, e cila shërben për koordinimin dhe monitorimin e operacionit.

Në terren ka mbërritur që në orët e para të situatës edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili ka ndjekur nga afër operacionin dhe ka koordinuar angazhimin e strukturave të Forcave të Armatosura dhe emergjencave civile. Për shkak të përmasave të zjarrit dhe rrezikut që flakët të afroheshin drejt banesave, autoritetet nisën fillimisht një evakuim të pjesshëm të banorëve në zonat më të rrezikuara, ndërkohë që Policia e Shtetit bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme.

Gjatë orëve të vona të mbrëmjes së 8 gushtit, autoritetet vendore dhe strukturat kombëtare lëshuan urdhër për evakuimin e menjëhershëm të banorëve në zonën e Barabit dhe Llubanit, në territorin e Bashkisë Krujë. Në fokus të operacionit të evakuimit ishin veçanërisht fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që jetonin në zona më të izoluara apo më pranë vatrave të zjarrit. Banorëve iu kërkua të ruanin qetësinë, të ndiqnin udhëzimet e ekipeve të shpëtimit dhe të bashkëpunonin me strukturat e emergjencës për të mundësuar largimin e sigurt nga zonat e rrezikuara.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, drejtues të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Zjarrfikësve kanë qenë gjithashtu në terren, duke ndjekur nga afër zhvillimin e operacionit.

Në një deklaratë për media, ministri Lamallari sqaroi se zjarri nuk erdhi si pasojë e shkaqeve natyrore, por u shkaktua nga veprimet njerëzore, teksa bëri me dije se strukturat e Policisë së Shtetit vepruan me shpejtësi duke vënë në pranga autorin e dyshuar.

“Vijojmë të ndjekim nga afër betejën e vështirë me zjarrin në Krujë, që fatkeqësisht edhe kësaj radhe është shkaktuar nga dora e njeriut. Policia e Shtetit e ka arrestuar tashmë zjarrvënësin dhe ai do të përballet me pasojat e rënda ligjore për këtë vepër penale”, deklaroi Lamallari.

Sakaq, lidhur me situatën reagoi edhe Kryeministri Edi Rama, i cili përmes rrjeteve sociale theksoi se falë ndërhyrjes së koordinuar, rreziku kryesor është kaluar.

“Falë ndërhyrjes intensive, situata është tashmë nën kontroll, ndërsa puna vijon për izolimin e plotë të vatrës dhe eliminimin e çdo rreziku për banesat e zonës. Shumë mirënjohje dhe respekt për pilotët e Forcës Ajrore dhe efektivët e MZSH Krujë, Kamzë, Tiranë dhe Vorë, të cilët po punojnë pa ndërprerje për izolimin e vatrës dhe mbrojtjen e banesave të rrezikuara”, shkroi Rama.

Pavarësisht ndërhyrjes intensive, situata vijon të monitorohet në mënyrë të pandërprerë nga toka dhe ajri. Prioriteti i autoriteteve mbetet mbrojtja e jetës së banorëve, parandalimi i përhapjes së zjarrit drejt zonave të banuara dhe vënia nën kontroll e plotë e flakëve në Malin e Krujës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›