E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkesa në rritje për konvikte, aplikimi ka nisur që prej korrikut

Edhe pse në dukje të parë Qyteti Studenti nuk e ka fluksin e lëvizjes së përvitshme të çdo fillim viti të ri akademik, kërkesat për akomodim për këtë vit janë të larta. Nisja e aplikimeve që prej muajit korrik e vërteton këtë fakt, i cili pohohet edhe nga Drejtori i Qytetit Studenti Olsi Shahini.

“Ka pësuar një ndryshim rrënjësor sepse studentët nuk largohen më nga konvikti, por e shfrytëzojnë konviktin për të qëndruar në Tiranë. Nuk ka një moment ku është i zbrazët apo studentët ikin dhe kanë një datë të caktuar dhe ka filluar regjistrimet që në muajin korrik, gjë që është e rrallë për qytetin e studentit, sepse ne ishim përgatitur për muajin shtator që hapet sezoni i regjistrimeve, por studentët nuk kanë pritur sepse kërkesa për konvikt është bërë më e lartë se vitet e tjera”, deklaroi Shahini.

Kriteret janë të njëjta për të gjithë, ndërsa në krye të listës së kërkesave qëndrojnë edhe studentët e huaj

“Futesh në sistemin online të aplikimit dhe në momentin që studenti është i interesuar për një dhomë në një godinë i shfaqen vendet e lira dhe vendet vakante. Bën pagesën. Ju është dhënë mundësia që pagesa të bëhet dhe me këste dhe për muajt që studenti do jetë i akomoduar dhe do ta shfrytëzojë dhomën e vetë dhe gjithashtu një mundësi reale për studentët që në momentin e largimit atyre ju kthehet pagesa për muajt e paguar në avancë. Ka një kërkesë të lartë dhe të shtuar nga universitete private për studentë të huaj për akomodim. Ne jemi në një proces ku do ndërtojmë 14 godina të reja”, deklaroi Shahini.

Si një ambjent me rregulla dhe displinë, Qyteti Studenti mbetet vendi akomodues që rehaton edhe trupin edhe xhepin.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›