Beteja me kancerin dhe mposhtja e frikës

Rreth një vit më parë Maria e diagnostikuar me kanceri në gji, në një intervistë për RTSH rrëfeu për sëmundjen e saj dhe peripecitë e diagnostikimit dhe trajtimit. Luftarake dhe e bindur se do t’ja dale, Marian e ritakuam sërish për të mësuar se si ka qënë jeta e saj gjatë kësaj kohe.
“Përpiqem të jetoj jetën çdo ditë, të ushqehem, të lexoj dhe të mbaj ndezur shpresën se një ditë do ta kaloj këtë sfidë që më dha jeta”, thotë Maria.
Ndonëse ende nuk ka dalë nga kthetrat e sëmundjes edhe pse kanë kaluar 2 vite e gjysem, ajo tregon se pengesa më e madhe për të gjitha gratë është frika. Kjo duhet kapërcyer në çdo formë, thotë ajo.
“Mposhtja e frikës është pengesa më e madhe kur ti ke një betejë të gjatë me sëmundjen. Frika të zbeh shpresën dhe kjo nuk duhet humbur. Duhet optimizëm dhe kurajo“ u shpreh Maria.
Në ditën botërore të kancerit, në një takim të gjerë me mjekë ankologë autoritetet shëndetësore thanë se çdo vit në Shqipëri identifikohen mbi 6 mijë raste të reja me kancer ku ai i gjirit zinte vendin e dytë pas kancerit të mushkrive. Në 10 vitet e ardhshme fokusi do te jete parandalimi përmes depisitimit te hershem ku për herë të parë do të futet falas vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës.
“Programet tona të depistimit të hershëm të kancerit të gjirit kanë ecur përpara në sajë të investimeve që janë bërë dhe përpjekjeve maksimale për mbulimin universal, nëpërmjet investimit të gjithë rrjetit të mamografive tashmë në çdo spital rajonal. Fokusi në këtë 10 vjeçar do të jetë rritja e mbulesës së përqindjes së grave që bëjnë këtë ekzaminim, e cila është jetëshpëtuese për çdo grua. Një tjetër komponent në këtë program që ne duam që ta jetësojmë në 3-vjeçarin e ardhshëm, është përfshirja e vaksinës HPV në programin tonë kombëtar. Besoj që me këtë, do t’i japin edhe një nivel të ri të gjithë sistemit të parandalimit primar”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha gjatë fjalës saj se ka një rritje me 70% të pacientëve me tumore që kanë marrë shërbim në sistemin tonë shëndetësor publik, duke e vlerësuar si një tregues që sistemi shëndetësor është i mirëpajisur, duke shprehur bindjen se në 10 vitet do të ketë një përmirësim në trajtimin e tumoreve.
Maria ishte shume korrekte me analizat e pergjithshme dhe çdo vit ajo programonte takime depistuese, por siç thotë ajo, nuk duhet të mjaftohemi vetëm me një analizë të përgjithshme gjaku.
“T’i bëjmë ato të shkreta analiza dhe jo të kujtohemi kur na kap sëmundja. Nuk mjafton vetëm një analizë gjaku por edhe kontrolle të rregullta të gjirit apo edhe depistime të tjera. Ne I lëmë ccdo ditë pas dore analizat se vrapojmë pas punëve. Kjo nuk duhet të ndodhë”, përmbyll fjalën Maria
16% e vdekjeve në Shqipëri kanë si shkak tumoret ndërsa OBSH dha sot alarmin se 65% e popullatës në rajonin e Europës nuk ka akses në kujdesin paliativ dhe lehtësimin e dhimbjeve në fazat e fundit të jetës.
/rtsh/