E Enjte, 5 Nëntor 2026

Shqipëria përfshin falas vaksinën HPV në programin e kontrollit të kancerit

Në Ditën Botërore të Luftës Kundër Kancerit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka prezantuar Programin Kombëtar të Kontrollit të Kancerit 2021-2031. 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në fjalën e mbajtur tha se vizioni i këtij programi është që në 10 vite të kemi më pak të sëmurë me tumore, më shumë jetë të shpëtuara dhe më shumë kujdes dhë mbështetje për të sëmurët me tumore dhe për familjet e tyre.

Duke theksuar se janë bërë hapa përpara përsa i përket parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të tumoreve, ky program i ri parashikon dhe një seri ndërhyrjesh të tjera, duke përfshirë për herë të parë financimin e vaksinës HPV për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

“Besoj që me këtë, do t’i japin edhe një nivel të ri të gjithë sistemit të parandalimit primar”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha gjatë fjalës saj se ka një rritje me 70% të pacientëve me tumore që kanë marrë shërbim në sistemin shëndetësor publik, duke e vlerësuar si një tregues që sistemi shëndetësor është i mirëpajisur, duke shprehur bindjen se në 10 vitet do të ketë një përmirësim në trajtimin e tumoreve.

Duke folur për trajtimin paliativ të pacientëve që vuajnë nga sëmundjet tumoriale, Manastirliu tha se në këtë program 10-vjeçar është vendosur shtrirja kapilare në vend e shërbimit paliativ, jo vetëm në qendrat e posaçme në çdo rajon, por duke e përfshirë akoma më shumë këtë shërbim tek mjeku i familjes.

Në Shqipëri çdo vit identifikohen mbi 6 mijë raste të reja me kancer. Sëmundjet kanceroze të diagnostikuara më shpesh janë kanceri i mushkërive dhe kanceri i gjirit. Kanceret e lëkurës, megjithëse me rrezikshmeri më të ulët, jane gjithashtu shumë të shpeshta. Këto 3 kategori semundjesh tumorale përbëjnë së bashku pothuaj 40% të të gjitha rasteve të reja të raportuara çdo vit nga sistemi shëndetësor.

Shtrimet në spital në sistemin shëndetësor publik nga sëmundjet kanceroze dhe tumorale kanë ardhur në rritje të vazhdueshme si për meshkujt edhe për femrat. Sëmundjet tumorale mbeten shkaku i dytë më i shpeshtë i fataliteteve, duke shkaktuar rreth 16% të vdekjeve çdo vit. 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›