“Beteja” për Muzeun e Shkencave, pronarët përplasen me pedagogët
Ora 10 e paradites së djeshme ishte përcaktuar si çasti kur përmbarimi do të ekzekutonte vendimin e gjykatës, që i kalon Muzeun e Shkencave të Natyrës te ish-pronarët e ligjshëm të truallit. Por, përpara përmbaruesve dhe pronarëve të muzeut, të cilët prej vitesh vijojnë betejën për të rimarrë pronën e tyre, u gjendën pedagogët e Shkencave të Natyrës dhe deputetë të zgjedhur të Partisë Socialiste, të cilët e pamundësuan kalimin e përmbarimit në duar të ish-pronarëve.
Ndalimi
Të mbledhur prej orës 9:30, dhjetëra pedagogë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, në varësinë e të cilit është muzeu dhe përfaqësues të zgjedhur të Partisë Socialiste, ndaluan përmbaruesit të hyjnë në mjediset e brendshme të muzeut. Sipas tyre, ata nuk kanë asgjë me ish-pronarët, porse nuk mund të lëvizin nga vendi objektet e muzeut, të cilat prishen nëse kalojnë në një mjedis të ri.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Partisë Socialiste e shfrytëzuan këtë rast për të sulmuar qeverinë. I zgjedhuri si deputet, aktualisht nënkryetar i Bashkisë së Tiranës, z. Eduart Shalsi, tha: “Nuk kemi gjë me pronarët, por me qeverinë, e cila me indiferencën, mospërfilljen, papërgjegjshmërinë, nuk ka marrë asnjë masë dhe nuk është kujdesur aspak të gjejë një zgjidhje për këtë muze”.
Problemi
Problemi i krijuar e ka zanafillën vite më parë, kur Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ia ktheu tokën në fjalë pronarëve të ligjshëm dhe urdhëroi zbrazjen e muzeut, i cili do të zhvendosej në një vend tjetër. Porse, disa nga objektet e muzeut nuk mund të përballojnë lëvizjen. Specialistët e tij thonë se objekte si balena e ndodhur në këtë muze prishen automatikisht nëse tentojnë t`i lëvizin, duke shënuar kështu edhe fundin e ekzistencës së Muzeut të Shkencave të Natyrës.
Çështja kaloi dy shkallët gjyqësore dhe nga Gjykata e Apelit u mor vendim i formës së prerë që e kalonte të drejtën e pronësisë tek ish-pronarët. Dje ishte përcaktuar dita e ekzekutimit të këtij vendimi, që u ndalua nga pedagogët e Universitetit të Tiranës, të cilët janë shprehur gjithnjë kundër një vendimi të tillë.
Muzeu
Në këtë muze “strehohen” 10 mijë specie, 100 mijë ekzemplarë dhe të paktën 30 mijë objekte të florës dhe faunës. Muzeu i Shkencave të Natyrës në Tiranë u themelua në vitin 1948, si pjesë e Institutit të Shkencave. Nëntë vjet më pas, në kohën e krijimit të Universitetit të Tiranës, ai kaloi nën vartësinë e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, pranë Katedrës së Zoologjisë (pjesa zoologjike dhe botanike). Ndërsa pjesa e Mineralogji-Paleontologjisë kaloi nën varësinë e Fakultetit të Gjeologji-Minierave (sot pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës).Në vitin 1969 u riorganizua dhe u pasurua. Në vitin 1996, muzeu veçohet si Njësi Shërbimi Universitar, në varësi të Shkencave të Natyrës. Në muze ka mjaft eksponate nga bota e kafshëve të Shqipërisë, atje ndodhet i ekspozuar një koleksion nga fauna ekzotike, gjithashtu ka eksponate të drurëve e shkurreve kryesore si dhe herbarin e bimëve industriale. Sektori i gjeologjisë ekspozon mineralet dhe shkëmbinjtë kryesorë të vendit etj.
Ksera: Luftë varfërisë
Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, priti një delegacion të Bankës Botërore të kryesuar nga përfaqësuesja e këtij organizmi në vend, znj. Camille Nuamah. Znj. Nuamah e uroi ministrin Ksera për detyrën e re dhe, duke e vlerësuar si shumë të suksesshëm bashkëpunimin e deritanishëm të Bankës Botërore me Ministrinë e Punës në realizmin e projekteve të rëndësishme, shprehu besimin se ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe do të forcohet në të ardhmen. Përfaqësuesja e Bankës Botërore u shpreh e kënaqur “me vëmendjen e rinovuar të qeverisë në hartimin e politikave eficente në reduktimin e varfërisë ekstreme”. “Vërejmë me kënaqësi se në këtë kuadër edhe Ministria e Punës e ka ripërtërirë vëmendjen dhe përpjekjet e saj në këtë drejtim”. Ministri Ksera falënderoi për ndihmën e dhënë nga Banka Botërore veçanërisht në realizmin me sukses të projekteve madhore në fushën sociale, duke veçuar programin “Shpërndarja e Shërbimeve Sociale në Shqipëri”, nëpërmjet të cilit janë ngritur në gjithë vendin 47 shërbime të reja, të cilat i vijnë në ndihmë komunitetit, veçanërisht kategorive në nevojë si fëmijët, gratë personat me aftësi të kufizuara. “Angazhimi i qeverisë dhe veçanërisht i Kryeministrit Berisha për realizmin e reformave te nevojshme dhe të domosdoshme për uljen e varfërisë në vend është maksimal”, - u shpreh Ksera.
Arrestimi i mjekëve
Rubena Moisiu: Korrupsioni, akt individual
Rubena Moisiu, drejtoreshë e Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik "Koço Gliozheni" në Tiranë, ka reaguar dje përmes një komunikate për shtyp ku ka deklaruar se distancohet nga fenomenet korruptive të individëve të veçantë, duke inkurajuar të gjithë personelin shëndetësor që punon me ndershmëri e devocion në shërbim të grave e fëmijëve shqiptarë. Reagimi vjen disa ditë pas vënies në akuzë për mitmarrje të 5 mjekëve dhe infermierëve të këtij materniteti. “Pa dyshim që në këtë volum të madh pune ka dhe defekte dhe mangësi të cilat janë njohur prej nesh dhe vazhdimisht përpiqemi t’i eliminojmë ato. Por, asnjë ngjarje apo individ përgjegjës për veprimet e veta të gabuara nuk mund të nëpërkëmbë imazhin e mirë të institucionit të arritur në vite”, - deklaroi drejtoresha e spitalit, Rubena Moisiu, në një prononcim për shtyp.
Shëndeti i nënës dhe i fëmijës
Strategji kombëtare për forcimin e shërbimit shëndetësor
“Situata e shëndetit të nënës dhe fëmijës në vend, megjithëse ka përmirësime si ulje të treguesve të vdekshmërisë amtare dhe foshnjore, të kujdesit perinatal krahasuar me 15 vjet më parë, ende mbetet problematike duke e radhitur Shqipërinë ndër vendet me vdekshmëri të lartë amtare e fëminore në rajonin e Evropës”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dje në tryezën e rrumbullakët “Reforma e kujdesit shëndetësor për nënën dhe fëmijën”. Ministri Vasili tha se shkak për këtë situatë është bërë cilësia jo e mirë e kujdesit shëndetësor të ofruar gjatë shtatzënisë, lindjes dhe paslindjes për nënën dhe foshnjën e saj. “Ministria e Shëndetësisë në strategjinë e saj për reformimin e sistemit shëndetësor i ka kushtuar një prioritet përmirësimit të vazhdueshëm të shëndetit të grave dhe fëmijëve dhe cilësisë së jetës së tyre, duke ndikuar në uljen progresive të vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë së tyre”, - përfundoi ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.
Rama me krerët e bashkive dhe komunave
Nuk do të lejojmë shkeljen e autonomisë vendore
Reforma e decentralizimit, shkeljet e vazhdueshme që qeveria dhe mazhoranca vazhdon të kryejë në dëm të autonomisë lokale, duke shkelur hapur Kushtetutën e Shqipërisë, Kartën e Autonomisë Lokale si dhe ligjin për pushtetin lokal, mblodhi dje në një takim kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, dhe përfaqësues të bashkive dhe komunave socialiste në vend. Gjatë takimit, kryebashkiaku Rama theksoi: “Ky takim është një domosdoshmëri përballë një realiteti përditë e më dramatik të pushtetit vendor, të njësive të qeverisjes vendore, të bashkive dhe komunave, për shkak të përshkallëzimit të një politike antidemokratike që shkel vijimisht Kushtetutën, Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore, shkel vijimisht liri e të drejta që burojnë nga ligji, për të gjithë përfaqësuesit legjitimë të popullit, në bashkitë dhe komunat e vendit”.