E Shtunë, 31 Tetor 2026

MURI I BERLINIT DHE MURI I SHENGENIT



1.

Evropa, edhe 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit (1989), e mban të ngritur një mur tjetër: “Murin Shengen”(!), të cilin, Shqipëria, sipas gjasave, duke tejkaluar shiblimet e obligimet, ndoshta mundet ta kapërcejë, ndonëse me vonesë, aty nga fundviti 2010.

Ky Shengen evropian, nisur nga ana gjeopolitike, më konturohet e konjukturohet, për disa arsye, si një “Shengen vetëm për shqiptarët”(!).

E para: Nga të gjitha shtetet e Evropës Juglindore të vitit 1989 vetëm Republika e Shqipërisë po mbetet ende pa statusin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj në mbi 4 milionë km2 të hapësirës Shengen(!).

Evidentojmë diferencimin përjashtues: a) Polonia, RDGJ (ribashkim: RFGJ), Hungaria, Çekosllovakia (Republika Çeke + Sllovakia), RSFJ (Sllovenia), tashmë janë anëtare në BE e pjesë integrale e zonës Shengen. b) Rumania e Bullgaria janë anëtare në BE dhe në vitin 2011 marrin statusin “Shengen”. c) RSFJ (Kroacia e ka fituar të drejtën e Lëvizjes së Lirë para disa vitesh, ndërsa Serbia, Mali e Zi e FYROM nga 1 janari 2010, ku mbetën vetëm Bosnje-Hercegovina për arsye të paarsyeshme dhe Republika e Kosovës për “ngecje” të negociatave).

E dyta: Ndër të gjitha shtetet kufitare, vetëm shqiptarët në dy shtete: në Shqipëri dhe në Kosovë, mbetën jashtë “Murit Shengen”(!), pasi shqiptarët (jo)emigrantë në Greqi e kanë fituar këtë të drejtë në vitin 2000, ndërsa shqiptarët shtetformues në FYROM, pjesëmarrës në qeverisjen e Malit të Zi dhe ata të Luginës së Preshevës e në Sanxhak në Republikën e Serbisë e gëzojnë këtë status nga 1 janari 2010.

A mundet kodi gjenetik e demokratik i Evropës së Bashkuar të përjashtojë nga zona Shengen (“de juro” apo “de facto”) shtete të saj me lidhje gjaku e pragu si Zvicër, Lihtenshtejn, Vatikan, Andorra, Monako e San Marino? Sigurisht që vendimi apo heshtja përjashtuese ndaj tyre do të ishte absurditet i saj dhe i shek. XXI. Atëherë me ç’kod diplomatik, politik e moral, një BE në bashkim prej nga viti 1951, i veçon kështu, ashiqare, shqiptarët e dy shteteve: Shqipëri + Kosovë në shek. XXI, jo vetëm nga fqinjët e vet gjeopolitikë, po edhe nga shqiptarët në trevat e tyre etnike në këto shtete ballkanike?! Këto standarde janë të dyfishta e po mbeten të dyshimta përderisa ndodhemi para një realiteti aspak realist.

2.

Etnia shqiptare në Ballkanin Perëndimor, nga produktet e truket e “Murit Shengen”, me praktika mënjanuese në disa plane dimensionale, ndihet e diskriminuar padrejtësisht, pasi ende po mbetet në rendin e fundit(!), në vendin e fundit(!), si në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Kosovës, për sa i përket lëvizjes së lirë.

Ndaj, i befasuar nga ata që e (para)gjykojnë në këtë proces të liberalizimit të vizave, nga ky “postbllok”, nga mungesa e “dritës jeshile” në rrugëtimin (road-map) drejt Shengenit, më duhet t’u bie “burive”, që të mos anashkalohen disa fakte.

Së pari: Nisur nga nacionaliteti kryesor etnik, ndër 192 shtete anëtare në OKB, Shqipëria zë vendin e 28-të në botë e Kosova të 45-in, ndërsa në Evropën kontinentale Shqipëria renditet e 8-a dhe Kosova e 13-a. Më tej: Në Evropën Juglindore Shqipëria kap vendin e 2-të e Kosova të 4-in, në gadishullin e Ballkanit Shqipëria vendin e dytë e Kosova të 3-in, në Ballkanin Perëndimor Shqipëria vendin e 2-të dhe Kosova vendin e 3-të.

Atëherë, ç’është ky vështrim me strabizëm politik e satrapizëm etnik, me veprime kaq sfiduese e (për)çmim regresiv ndaj fakteve të potencialit demografik në këto dy shtete demokratike duke i lënë shqiptarët në “vendin e fundit”?!

Së dyti: Në këto dy vende ballkanike, për lëvizjen e lirë, përfitojnë vetëm minoritetet e tyre, si ato serbe, greke, malazeze, maqedonase etj., pasi shumica e tyre gëzojnë dy apo tri shtetësi (kjo një e drejtë euroatlantike, po si tepër e abuzuar nga ana botëkuptimore e praktike(!), nga qytetarë e shtete në Ballkan, nga Federata Ruse si në Gjeorgji e Ukrainë etj.).

Në Shqipëri (sipas CIA-s, 2009) janë 3 për qind grekë e 2 për qind minoritete të tjera, ndërsa në Kosovë (sipas ESK, 2009) janë 5.2 për qind serbë e 2.7 për qind minoritete të tjera.

Atëherë, në këto raporte demografike, në kushtet e rrethanat e sotme diplomatike e politike, si mund të mbeten në “rendin e fundit” shqiptarët në këto dy shtete, që janë më të integruara se asnjëherë në historinë e tyre në botën euroatlantike?! Nisur nga ky fakt, një pyetje kërkon përgjigje: Në Republikën e Kosovës, komuniteti ndërkombëtar a po garanton, sipas Kushtetutës së këtij vendi, një shoqëri shumetnike? Serbët në Kosovë (me frymën e dinarët e Serbisë), mbi lumin Ibër, kanë vendosur “Murin e Berlinit” për shqiptarët e ndërkohë, nga ana tjetër, BE iu heq edhe “Murin Shengen”, çka do të thotë se ky minoritet serb, më i privilegjuari në botë (me krime pa ndëshkime të drejtësisë, me korrupsion pa kontroll, me kontrabandë pa dogana, me biznes pa tatime, me paga pune nga dy qeveritë në të dy anët e kufirit etj), i shtohet edhe një “privilegj” tjetër: lëvizja e lirë në hapësirën evropiane Shengen (!).

Ky soj “parcelizimi” etnik edhe në lëvizjen e lirë Shengen nuk mbart “farë” të mbarë për integrimin euroatlantik në shek. XXI, pasi Evropa e ka shembullin e vet domethënës: konfliktin “e ngrirë” e ‘të ndezur” në fillimgushtin 2008 në mes Gjeorgjisë e Rusisë për Osetinë e Jugut, ku pjesa më e madhe e osetiano-jugorëve (brenda Gjeorgjisë) kanë pasaporta e privilegje ruse etj.

Evropa e Bashkuar me madhështinë e vet të vlerave njerëzore, demokratike, politike, kulturore etj,. nuk mund të tregohet “kaq e vogël”, duke mos vlerësuar me lëvizjen e lirë në hapësirat e saj Shengen vende të saj të vogla si Shqipëria e Kosova, që kanë etnitet e identitetet të veçantë e të madhërishëm si popull, si gjuhë, si gjeopolitikë historike e aktuale.

3.

Në kohën e akullnajës komuniste të Enveriadës u ngrit përgjatë 111.8 km të kufirit në mes Shqipërisë me Kosovën një tjetër “Mur Berlini” gjeopolitik e fizik. “Kloni i kufirit”, një brez toke i butë, që prashitej e ujitej çdo vit me djersë e gjak shqiptarësh, që përbri e përshkonte kordoni i lartë dhe i ashpër i telave me gjemba, i lidhur nëpër shtylla betoni dhe “i elektrifikuar” me rrymë elektrike për sinjale e karbonizim po t’i prekje (me)padashje. Njësoj si dikur Muri i Berlinit (me dy breza, bile i dyti quhej “rripi i vdekjes”), që i ndante dy Gjermanitë – Lindore e Perëndimore përgjatë 165.7 km vijë kufitare.

Të dy muret kishin edhe një tjetër të përbashkët: Telat me gjemba. Vetëm në një vit, nga Gjermania Lindore u importuan 18 mijë tonë tela me gjemba për klonin e kufirit shqiptaro-shqiptar(!). Kjo tregti në klering, e përllogaritur si vleftë monetare, ishte më e madhe se tregtia e jashtme e Shqipërisë komuniste me 8 vende evropiane në 40 vjet (!), si ato të Gadishullit Iberik, Britanik etj.

Në kapërcimin e Murit të Berlinit, nga ndërtimi deri në rënien e tij, (13.8.1961–9.11.1989), sipas studimeve, për 28 vjet, janë vrarë nga rojet, copëtuar nga minat, mbytur në lumin Spre, pësim infarkti nga terrori në kufi si dhe vrasje të kalimtarëve të rastit, deri në 239 gjermano-lindorë.

Ndërsa, në kapërcimin e dyanshëm të këtij “Mur Berlini Shqiptar”, i fundmi në Evropën Lindore dhe deri në rrëzimin e tij, 10 vjet pas atij të Berlinit, në një periudhë kohore për 51 vjet (1948–1999) numri i shqiptarëve të vrarëve është më tragjik, është deri në 4 herë më i lartë(!).

4.

A e din Evropa e Brukselit se mbi 500 martirë shqiptarë janë vrarë barbarisht apo zhdukur pa nam e nishan nga Enveriada e akullnajës komuniste në shkrirje për të vetmin fakt: lëvizjen e lirë (!), që të mos kemi një të tillë “Mur Shengen”. E kjo tragjedi trevjeçare ka ndodhur: pas rënies së Murit të Berlinit (1989-1991) dhe pas daljes së ligjit (më 1990) që kalimin e kufirit e cilësonte juridikisht të paligjshëm e dënohej vetëm me riedukim nëpërmjet punës e deri në 5 vjet burg. E të gjitha këto jetë njerëzore të pafajshme mbetën viktima në kufijtë e tokës, detit e liqeneve shqiptare, bile edhe sot, dhjetëra prej tyre janë pa varre e familjet kërkojnë nëpër televizione “njerëzit e humbur”(!).

Së pari: Një nga regjimet më staliniste të Evropës së “Perdes së Hekurt”, Gjermania Lindore e STAS-it, gjatë sistemit komunist, ka pushkatuar për disidencën e tyre 250 gjermano-lindorë..

Çka do të thotë, dy herë më pak se viktimat e pafajshme të kufirit në RPSSH(!). Çka dëshmon se sa gjakatare mizore ishte Enveriada e “ishullit komunist” edhe kundër lëvizjes së lirë të shqiptarëve.

Së dyti: Në tokën e sotme të Republikës së Shqipërisë, gjatë shek. XX,

megjithëse kanë rënë 17 tërmete të fuqishme, ato nuk kanë shkaktuar kaq shumë viktima njerëzore sa këto të kufirit në këta 3 vjet të pasrënies së Murit të Berlinit.

Edhe vetë forcat goditëse të natyrës kanë qenë më “dorështrënguara” në rrëmbim jetësh njerëzore të pafajshme sesa “dara” vetizoluese e gjakatare e komunizmit enverian apo, siç e cilëson një gazetë spanjolle “Komunizmi i Epokës së Gurit”(!)

E treta: Vështirë të gjendet ndokund, në ndonjë shtet tjetër të Evropës së Shengenit një përkujtimore kaq e veçantë: “Dita e të vrarëve në kufi” (çdo 16 qershor) si në qarkun e Shkodrës.

Kjo ditë, kjo datë, ka historinë e vet tragjike: Më 16 qershor 1990, në kufi me Malin e Zi, vritet 17-vjeçari Pllumb Pllumbi me plumb në ballë e tërhiqet zvarrë pas kamionit si “armik” në Hot e Bajzë dhe, pas dy ditësh, ia çojnë familjes trupin e pajetë me kafkën e kokës të ndarë përmes(!). Kjo vrasje e një “Pllumbi” që donte të shkonte në Perëndim, që dëshironte lëvizjen e lirë, u kthye në një ndër revoltat e para antikomuniste në Shqipëri.

5.

Ne, shqiptarët në Ballkan, jemi “të hipotekuar” si tokë e kulturë etnike e banorë historikë të Evropës që nga “Koha e Neandertalit”, jemi “të legalizuar” si “qytetarë të Evropës” që në Antikitetin e hershëm e të vonë pellazgo-ilir, helen e romak.

Së pari: Në historinë tonë iliro-dardane-epirote, (me shtrirje gjeografike deri në rreth 1 milion km2), nga Galauri i Federatës së Taulantëve (shek. VII p.K.) e Mbreti Sirra i Mbretërisë së Enkelejëve (shek. V p.K.) e deri në rënien e Dardanisë (v. 97), ishim “qytetarë të lirë” e të mirë të Evropës antike të hershme. Me një “pasaportë” zyrtare (në nivele e raste të ndryshme: me bojë në papirus ose pergamenë, gdhendur mbi pllakë të hollë bronzi ose guri) kapërcenim dete e male të Lindjes e Perëndimit. Anijet tona ilire lundronin në Mesdhe e Atlantik, kishim kushtetuta të qytet-shteteve, maleve e “udhëve të karvanëve”, përdorëm monedhën 200 vjet para romakëve, ngritëm Dyrrahun (Durrësin), Apoloninë, Butrintin, Shkodrën etj., ku vijnë mijëra vizitorë nga Evropa e Bashkuar për t’i parë si një nga pjesët e çmuara të vlerave themelore e burimore të kohës sonë moderne të shek. XXI.

Së dyti: Edhe të pushtuar nga romakët, që pas rënies së epokës së Mbretit ilir, Gent, e kemi fituar statusin “qytetarë të Evropës”, pasi gëzonim të drejtën të udhëtonim me “pasaportë” të veçantë në gadishullin Apenin etj., krahas gjuhës latine, “gjuhës së shkencës”, perandorë e gjeneralë të Romës janë shkolluar në Iliri, mësonin pasivisht edhe gjuhën etnike ilire, kishte vetëqeverisje në Iliri etj

Po kjo u shtri në të gjithë hapësirën ilire e dimensionet e kohës, në një pjesë të madhe gjeografike të Evropës, në shek. I-II pas Lindjes së Krishtit, kur, në vitin 106, Perandoria Romake sundonte në 5.9 milionë km2 dhe në dy shekujt e mëvonshëm kur u zgjerua edhe më shumë në drejtim të Atlantikut. Përmasat më kulmore për shqiptarët si “qytetarë të Evropës” shënohen lartësisht e masivisht në dekadën e fundit të shek. III e dekadën e parë të shek. IV, kur kryeqytet i Perandorisë Romake ishte Sirmiumi në Mitrovicën shqiptare (më para se shumë popuj të sotëm të Evropës të kapërcenin Danubin apo Detin Mesdhe). Shqiptarët, nga fillimet e mijëvjeçarit të parë kishin edhe të drejtën legjitime për t’u zgjedhur perandorë të Romës etj. Në ato kohëra të ndërrimit të mijëvjeçarëve të erës së vjetër e të re, kjo mbretëri e më pas perandori cilësohej edhe “Romako-Ilire”, ashtu, siç do të quhej shekuj më vonë (për forcë tradite) edhe “Perandoria e Shenjtë Romake e Kombit Gjerman”.

Ishte hera e parë në historinë e Evropës, që Roma në provinca sunduese jashtë saj, si në rastin “Iliria”, (Illyricum-Iliri) legalizonte statusin si “qytetar” të saj, përndryshe: edhe “qytetarë të Evropës”, pasi kjo perandori shtrihej në një pjesë të madhe gjeopolitike të Evropës së atyre kohërave. Roma nuk i shihte ilirët si “armiq të mundur, po si aleatë të rëndësishëm”(Tit Livi. Lib.4, K.32). Edhe nënshtetasve të Egjiptit, kur plasi lufta civile për pushtet në mes Ptelomeu XIII e Kleopatra VII (vëlla e motër), pasi kjo e fundit iu drejtua Jul Cezarit, ky perandor kreu një akt krejt të pazakontë: iu dha qytetarinë e Romës, po kjo më shumë ishte si një “dy shtetësi” e sotme.

Në vitin 395, me rënien e “Vijës së Teodosit” mbi Iliri (nga disa studiues thuhet se ishte përmes lumenjve Shkumbin e Mat(!), kur Roma u nda në dy pjesë: oksidentale e orientale, ku sundonin dy djemtë e Perandorit Teodosi i Madh (379-395): Onori (Perëndimin) e Arkadi (Lindjen), shqiptarët për herë të parë në historinë e vet antike të hershme e të vonë, provuan ngritjen graduale të “Murit Shengen” të asaj kohe në tokën e vet etnike.

Ndaj, nuk e kuptoj, kur në shek. XXI Shengenin e shohim si “urë” të hapave tanë e dorës tënde Evropa jonë euroatlantike, si na (ri)shfaqet e (sh)fajësohet si “Mur i dytë i Berlinit” (me nerv e muskuj politik e diplomatik), që ravijëzon përmes shtyllës vertebrore të trupit tonë etnik shqiptar dhe evropian(!). E para: Ky “Mur Shengen” më duket si mit i “Vijës së Teodosit” të kohës romake(!), që (ri)pengon e (ri)ndan shqiptarët e lirë në Ballkan të lëvizin lirisht në hapësirën evropiane “Shengen” !). E dyta: Ky “Mur Shengen”, në rrjedhat e rrjedhojat e tij shqiptare mbarten apo infiltrohen padrejtësisht reminishenca e rezonanca të konceptimit botëkuptimor “oksidental” e “oriental” për rastin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve të trevave të veta etnike në shtete të ndryshme në Ballkan (!).

6.

Ngritja dhe ftohtësia e “Murit Shengen” nuk është qëndrim zyrtar institucional i BE-së (i të gjitha vendeve të saj), po ende njerëz, rryma e qarqe të caktuara veprojnë jo në të mirë të Shqipërisë e shqiptarëve për ta mbajtur të “ngrir뒔 rrugëtimin tonë (road-map) drejt lëvizjes së Llirë, duke na krijuar vonesa, përveçime e mënjanime (!). E si mund të ndodh kjo kur:

E para: Republika e Shqipërisë është i 59-i shtet në botën e sotme (nga 192 shtete anëtare në OKB), që e ka shpallur pavarësinë e saj kombëtare (28.11.1912), çka do të thotë: edhe para disa vendeve anëtare të Bashkimit Evropian apo të disa shteteve që e kanë të legalizuar liberalizimin e vizave apo presin ta kapërcejnë më 1 janar 2010 “Murin Shengen”.

E dyta: Në Republikën e Shqipërisë mbi 94 për qind e popullsisë janë “pro” integrimit në Bashkimin Evropian, ndërkohë që disa vende ballkanike e evropiane janë në shifra më të ulëta apo në rënie para apo pas dhënies së statusit të vendit kandidat etj. dhe aktualisht ndodhen në pozita më të privilegjuara për lëvizjen e lirë të shtetasve të vet.

Vetëm me 55.5 për qind të votave të referendumit të 21 majit 2006, Mali i Zi u deklarua botërisht (më 3.6.2006) si shtet i pavarur e sovran, ndërsa Shqipërisë me një përqindje kaq të lartë “pro” për në BE nuk i mundësohet kapërcimi i “Murit Shengen”.

Edhe Maroku në Afrikë, që laget nga ujërat e Mesdheut, ka aplikuar prej vitesh për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kurse Republika e Serbisë premton aplikimin vit pas viti në elektoriadat e saj dhe tribunat e Evropës, po, megjithatë, e merr të drejtën e lëvizjes së lirë në Shengen.

E treta: Pritet të “bymehet” gjeopolitikisht “Zona Shengen” edhe me shtete të tjera evropiane, si Lihtenshtejni e Qiproja (2010), Rumania e Bullgaria (2011), po edhe disa shtete ndodhen “de facto” në këtë zonë si: Monako, Lihtenshtejni, Vatikani e San Marino, etj. ndërsa, nga ana tjetër Bashkimi Evropian po “tkurret” për sa i përket rastit të veçantë të Republikës së Shqipërisë (!).

E katërta: Republika e Serbisë e kapërcen “Murin Shengen” më 1 janar 2010, ndërsa Republikës së Shqipërisë i ka ngritur një “mur me mina“, një “Belin të Dytë” (mendohet të hiqet deri në fund të vitit 2010) duke iu kufizuar e rrezikuar lëvizjen e lirë shqiptarëve në të dy anët e kufirit shtetëror.

Përgjatë kufirit me Republikën e Kosovës, edhe deri edhe në 20 km në tokën e Republikës së Shqipërisë, është e minuar edhe me mina antinjeri, veçanërisht më 1999, mbi 15.250.000 m2 (në 121 km gjatësi me 102 fusha të minuara të lokalizuara). E në këtë “kufi më mina” (vetëm nga Republika e Shqipërisë) janë vrarë 34 shqiptarë, plagosur 238, nga të cilët 72 fëmijë (mbetur të gjymtuar, pa dorë, pa këmbë...!) Ndër të plagosurit janë edhe 13 policë të ruajtjes së kufirit (!). Mbi 40 mijë banorë të fshatrave e bjeshkëve përreth kufirit të minuar (si dikur në Kursku në BRSS) e kanë lëvizjen e kufizuar e me rrezik për jetën e tyre, kanë vite që nuk i shfrytëzojnë tërësisht tokat, kullotat e pyjet prej rrezikut të minave të serbëve të privilegjuar me “Shengen” edhe nga Evropa e Bashkuar e shek. XXI.

Miliona dollarë dhe euro ka dhënë bota euroatlantike për të çminuar këtë “Mur Berlini”, bile para disa ditësh, Gjermania investoi edhe 2.8 milionë euro.

E pesta: FYROM-i fqinj, që ende nuk e din emrin e vet të saktë, që ndodhet në krizë e plasaritur të identitetit të vet, që ka vrarë e zhdukur, plagosur e burgosur nga pavarësia (1991) e deri te “Enciklopedia” (2009) më shumë shqiptarë etnikë në shtetin FYROM sesa numërohen në luftën Gjeorgji-Rusi (2008) e fiton të drejtën nga BE për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj.

E ky FYROM që “korr” fryte” të integrimeve euroatlantike e “mbjell” çakordime me fqinjët, i ka vrarë shqiptarët në shtetin e vet për të vetmin fakt, se kërkojnë ato që i ka standarde BE për të gjitha shtetet, si gjuhën shqipe, flamurin, shkolla shqipe, pjesëmarrje si shtetformues në qeverisjen e vendit etj.

Po ky FYROM (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë), e përkëdhelura e shek. XXI, që kur ka shpallur pavarësinë nga RSFJ më 1991, nuk derdhi asnjë pikë gjaku të shtetasve të saj, i ka vrarë 63 shqiptarë (plagosur dhjetëra të tjerë) të Republikës së Shqipërisë, duke ua mohuar lëvizjen e lirë me marrje jete njerëzore të pafajshme(!). E pse? Vetëm ngaqë shkonin në anën tjetër të tokës etnike shqiptare për të parë njerëzit e gjakut e trungut të vet familjarë, për të rikthyer në shtëpi bagëtitë që e “kalonin” kufirin etj. Vetëm nga fshati Rajcë i Librazhdit kufitar kanë vrarë 14 vetë, ku të parin, Florian Shkallën, në vitin 1991(!).

E gjashta: Tragjedia e shqiptarëve për të kapërcyer “Murin Shengen” është e përmasave ballkanike dhe evropiane, është ajsberg, ka viktima edhe më shumë se ndonjë luftë (!).

a)-Nga viti 1993 deri më 2005, në ujërat e deteve Adriatik e Jon, kanë humbur jetën 293 shtetas shqiptarë (flitet edhe për më shumë, po të paevidentuar)(!), ndërsa Kroacia, kur shpalli pavarësinë e saj më 1991 (ende pa hyrë në luftën frontale me Serbinë) ka 300 të vrarë. b)-Më 28 mars 1997 humbën jetën në detin Jon 84 shqiptarë (mes tyre edhe gra e fëmijë) me anijen “Katri i Radës” (!). Më 9 janar 2004 në thellësitë e Karaburunit humbën jetën 21 shqiptarë (14 prej tyre gra e fëmijë), ku mbijetuan nga ky eksod 36 prej tyre. Po sa viktima kishte lufta 10-ditore (27 qershor–6 korrik 1991) Serbi-Slloveni, pasi kjo e fundit e shpalli pavarësinë e saj? Serbia, ushtria më e fortë e Ballkanit, kishte rreth 40 të vrarë, ndërsa Sllovenia nga 3 deri në 8 vetë (duke evidentuar njësitë territoriale, civilë etj.).

7.

Deri në rënien e Murit të Berlinit, për Shqipërinë komuniste, kishte “dy shtete”. I pari ishte “shteti i të deklasuarve” brenda RPSSH-së (ato familje që i kishin njerëzit e vet të arratisur jashtë vendit (“tradhtarët e komunizmit”). I dyti ishte “shteti i të arratisurve politikë” (emigrantët politikë) jashtë vendit, në botën e lirë. Në të dy rastet ishe i gjykuar dhe i dënuar: si të shkoje për një gëzim a hidhërim tek “njerëzit e të arratisurve” (aq më keq të krijoje lidhje martesore etj.), ashtu edhe po të shkoje “jashtë shtetit”, tek “shteti i të arratisurve politikë” në Perëndim.

Tani “Muri Shengen” ka krijuar prapë “dy shtete”, ngaqë njerëzit e një trungu familjar nuk e takojnë dot (ose me tepër vështirësi) njëri-tjetrin, si nëna djalin, motra vëllain, gruaja burrin, fëmija prindërit etj. E kam provuar edhe vetë “Murin e Shengenit” në katër vitet e fundit, pasi në tri ambasada të vendeve të BE-së më dhanë secila vetëm deri në 3 muaj vizë “Shengen”, ndërkohë që kisha shkuar deri në Amerikë (7 herë me viza njëvjeçare), po edhe deri në Afrikën e Jugut etj.

Sot, në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, si në Greqi (700 mijë), Itali (400 mijë), Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, Vendet Nordike, Belgjikë, Luksemburg etj. ndodhen edhe mbi një e treta e popullsisë së Republikës së Shqipërisë, që ka rreth 4.3 milionë banorë (në votimet e 28 qershorit 2009).

Emigrantët shqiptarë në vendet e BE-së kanë ndikim në zhvillimin ekonomik, social e demografik të tyre si në Greqi, Itali etj. a) Këta emigrantë janë të integruar në botën akademike, në shoqërinë civile, në hapësirat e lartësitë e biznesit, në strukturat shtetërore të këtyre shteteve anëtare, studentë të niveleve të larta deri me tituj e grada shkencore (mbi 10 mijë studentë vetëm në Itali), zotërojnë disa gjuhë të huaja, bile sivjet, konkurruan edhe për deputetë të Parlamentit Evropian etj. b) Emigrantët shqiptarë (jo)rezidentë kanë moshën mesatare të popullsisë më të re në Evropë (rreth 10 vjet më të re). c) Si forca pune, mbi 70 për qind janë të moshës nga 18- 46 vjeç ose rreth tri herë më të re se vendet e BE-së. d) Kanë rritjen e popullsisë më të madhe në Evropë etj. e) Gazeta greke “Tanea” (2007) pohon se emigrantët shqiptarë në Greqi kanë rreth 2.5 miliardë USD në bankat greke (afër 30 për qind të PKB). f) Shqiptarët përbëjnë 65 për qind të emigrantëve në Greqi, me moshën më të re e rritjen më të madhe të popullsisë në shoqërinë vendase. Ndër emigrantët e huaj të punësuar në Greqi: 61 për qind e meshkujve janë shqiptarë dhe 34.9 për qind e femrave janë shqiptare, ndërsa në pagimin e taksave për sigurimet shoqërore zënë vendin e parë ndër të huajt, kurse në siguracionet e tjera 1/3 e tyre, etj. g) Në Itali, ndër emigrantët e huaj, shqiptarët janë të parët në 7 rajone të saj, mbi 20 për qind të të punësuarve, vendin e tretë në numrin e femrave të punësuara, vendin e dytë në shtesën e popullsisë, vendin e parë (bashkë me marokenët) për bashkimin familjarë etj. Rreth 250 mijë prej tyre kanë marrë patenta italiane për makina, etj. h) Mbeten mjaft të lidhur me Shqipërinë e vet, duke sakrifikuar në shtetet ku punojnë e ndihmuar njerëzit e vet në atdheun e tyre, duke dërguar të holla valutore vetëm në dy vitet e fundit, më shumë se EBRD (Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim) me rreth 40 projekte të saj.

Në këtë fokusim të “Murit Shengen” ravijëzohen disa dukuri:

Së pari: Kur është mbi 1/3 e shqiptarëve emigrantë në vendet e BE-së, pse mbetën kaq të ngurtësuar e të vonuar duke e mbajtur kaq të ashpër e kaq gjatë “Murin Shengen” jo vetëm mes Shqipërisë e Evropës, por edhe mes njerëzve të një gjaku, të një familjeje, të një farefisnie (!).

Së dyti: Shqipëria, në kuadrin e NATO-s, OKB-së apo BE-së, po çon forca paqeruajtëse në Ballkan, Irak, Afganistan e deri në Çad në Afrikë dhe nuk e kemi ende lëvizjen e lirë në Evropën e bashkuar, nuk kemi vizë “Shengen”(!).

Së treti: Në vitin 2008 shkëmbimet me vendet e Bashkimit Evropian zënë mbi 64.8 për qind të volumit të tregtisë së jashtme të Shqipërisë, ku eksportet e mallrave 79.7 për qind të totalit të eksporteve (11.8 për qind rritje krahasuar me 2007), ndërsa importet 60.9 për qind të totalit të importeve (me një rritje 11.8 për qind).

Së katërti: Në vitin 2008, sipas operatorëve turistikë, Shqipëria e vogël në Ballkan, kishte mbi 70 mijë turistë të saj në vende të ndryshme të botës. Vetëm 1.600 prej tyre ishin në një nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilët shpenzuan 0.64 milionë euro (në ulje krahasuar me 2007), ndërkohë që vetëm në Turqi harxhuan 10 milionë euro, pasi në këtë vend është hequr prej vitesh regjimi i vizave.

Së pesti: Për të marrë një vizë “Shengen”, sipas studimit nga një OJF, shqiptarët harxhojnë mesatarisht 70 euro (pagesa e vizës, shpenzime telefonike me numrat e ambasadave, certifikata, vërtetime bankare, përkthime e noterizime, siguracione udhëtimi, kosto udhëtimi brenda vendit etj.). Vetëm në 6 ambasada të vendeve të BE-së, në një ditë (sipas këtij studimi), aplikuan rreth 500 vetë, çka do të thotë se kanë shpenzuar mbi 30 mijë euro. Po t’u hyjmë përllogaritjeve më të detajuara për shpenzimet (in)direkte, për të gjitha vitet së bashku, shifrat janë tepër të mëdha për familjet e ekonominë shqiptare dhe mund të krahasohen me disa investime e vepra madhore, si autostrada Durrës-Prishtinë etj.

Ramiz LUSHAJ

Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Shqiptare

të Studimeve Amerikane e Britanike

Tiranë

___________________________________________________________________________

E-mail: ramizlushaj@yahoo.com

Tel. 069 46 30 318

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›