E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja për Strugën vazhdon

30-03-2013 / Gazeta 55

Kandidati shqiptar Ziadin Sela i bën thirrje ndërkombëtarëve të dënojnë shantazhet e sllavo-maqedonasve. Sela: Do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve të Strugës

Në një takim me gazetarët, Ziadin Sela kandidati shqiptar për kreun e Komunës së Strugës, falenderoi qytetarët e Strugës për angazhimin maksimal që e dhanë më 24 mars, duke kontribuar që zgjedhjet të jenë të qeta dhe demokratike. Në këtë komunikim me gazetarët Sela, përgëzoi Labënishtin për gjestin demokratik që tregoi duke e uruar për fitoren në raundin e parë, si dhe për angazhimin dhe mbështetjen e deklaruar për raundin e dytë nga ana e tij. “Natyrisht që Programi ynë mbetet i pandryshueshëm dhe është gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët e Strugës, pa marrë parasysh përkatësisë politike, etnike apo fetare. Kur jemi te programi, dua të shpreh edhe një mesazh tek popullata, sidomos tek oponentët politik dhe t’ju them se mbi të gjitha demokracia është shprehje e vullnetit të shumicës. Shumica në Strugë dihet se kush është dhe prandaj çdo tendencë për të prishur këtë vullnet të shumicës, nuk i shërben demokracisë. Do të doja t’i drejtoja një apel faktorit ndërkombëtar, që të angazhohen në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, të japin angazhim maksimal në mënyrë që të pengojnë shantazhimet, kërcënimet, blerjen e votave, të cilën oponentët tonë tani në raundin e dytë kanë nisur ta bëjnë me të madhe. Në të njëjtën kohë shfrytëzoj rastin që t’ju jap një mesazh të gjithë qytetarëve, të dalin në mënyrë sa më masovike, në mënyrë të civilizuar dhe të qetë, të ruajnë gjakftohtësinë dhe mos bëhen preh e provokimeve dhe që më 7 prill, të gjithë bashkë të festojmë. Do ta përsëris edhe njëherë, unë do të jem kryetar i të gjithë qytetarëve të Strugës. Është koha që ëndrrën tonë ta realizojmë tani, për Strugën, për ne dhe fëmijët tanë” - theksoi Sela para gazetarëve.
Ndërkohë në pyetjen e “Strugalajm.com” se bashkëpunimi ndërmjet Selës dhe Labënishtit, do të jetë vetëm deklarativ apo të dy bashkë do të dalin para qytetarëve që të bëjnë fushatë? Sela u përgjigj se ai është i gatshëm që bashkë me Labënishtin të dalin publikisht dhe të punojnë në emër të interesit të përbashkët. “Unë jam i gatshëm që të jemi bashkë edhe në takimet me qytetarë. Natyrisht që unë shpresoj që bashkë do të jemi edhe nëpër takime sepse interesi është i përbashkët”- përfundoi Ziadin Sela.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›