E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD mbledh Konventën, në fokus punësimi

30-03-2013 / Gazeta 55

-- Zhvillohet Konventa e Partisë Demokratike në Pallatin e Kongreseve


-- Topalli: PD rriti punësimin


-- Bregu: Shqiptarët nuk i falin Ramës bllokimin


-- Bode: Taksa progresive, hanxhari i Edi Ramës në qafën e biznesit


UPDATE- Partia Demokratike po zhvillon në Pallatin e Kongreseve Konventën me fokus tek punësimi dhe pagat e larta. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila hapi edhe konventën ka renditur disa nga arritjet e kësaj mazhorance në rritjen e punësimit dhe uljen e papunësisë në vend. Ajo nënvizoi angazhimin e demokratëve për krijimin e 250 mijë vendeve të reja të punës. Kryeparlamentarja Topalli theksoi se në gjithë këto vite qeveria shqiptare ka bërë gjithçka për të lehtësuar barrën fiskale për bizneset duke nxitur punësimin. Sipas Topallit, në 8 vitet e fundit në Shqipëri janë krijuar 200 mijë vende të reja pune. “Rezultatet tregojnë se ne kemi krijuar 200 mijë vende të reja pune gjatë 8 viteve të qeverisjes sonë. Projektet tona të infrastrukturës po punësojnë 55 mijë shqiptarë në vit. Papunësia ka rënë. Taksa e sheshtë po fut më shumë lekë në xhepat e qytetarëve. Taksa e sheshtë tregoi se është një model për pjesën tjetër të botës. Ne zgjodhëm transformimin e vendit, që nga ndërtimi i rrugëve, deri te lehtësitë për biznesin. Ne përmirësuam doganat që gjithçka të lëvizte më shpejt. Ndërtuam 1300 shkolla dhe i pajisëm me internet, zgjeruam trajnimet profesionale për të lidhur të rinjtë me punën. Ne jemi zotuar për krijimin e 250 mijë vende pune gjatë katër viteve të ardhshme”- u shpreh Topalli.


Patozi: Çdo nismë për rritjen e të ardhurave në xhepat e qytetarëve


Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi e vuri theksin tek miratimi i ligjit që mundëson heqjen e taksave për rreth 220 mijë shqiptarë që marrin deri në 21 mijë lekë në muaj. Patozi akuzoi kryetarin e opozitës për mosvotimin e ligjit, ndërsa shprehu vendosmërinë e demokratëve për të ndërmarrë çdo nismë, që siç tha ai, do të sjellë më shumë të ardhura në xhepat e shqiptarëve. “Në sallonin mavi të çudive të Edi Ramës, e zeza mund të bëhet e bardhë, madje edhe humbja mund të quhet fitore. Për shqiptarët është e thjeshtë dhe e qartë, me PD nuk ka mëdyshje, ne jemi të vendosur të ndërmarrim çdo nismë për më shumë të ardhura në xhepat e shqiptarëve, për të hapur më shumë vende pune, mbi të gjitha për paga përherë e më të larta, sepse ne jemi ndryshimi përpara. Edi Rama votoi kundër 220 mijë shqiptarëve, por ne e përmbushëm misionin, nuk do të ketë më tatim për 220 mijë shqiptarë, të ardhurat do tëshkojnë vetëm për familjet e tyre, por Rama votoi kundër ligjit. Të gjithë ata që marrin deri në 21 mijë lekë në muaj, zero taksa, kjo do të thotë 25 mijë lekë më shumë në xhepat e tyre çdo vit, por Rama votoi kundër ligjit, për shqiptarët deri 30 mijë lekë në muaj, zero taksa, 36 mijë lekë në vit në xhepat e tyre, shumë e mjaftueshme për të paguar energjinë për së paku 5 muaj, ose ushqimet e 4 muajve për një familje normale. Kur këta blejnë më shumë, bizneset shtojnë fitimin, ndaj kjo reformë nuk ka lidhje vetëm me ata që përfitojnë direkt, por Rama votoi kundër ligjit”- tha Patozi.


Bregu: Shqiptarët nuk do t’i falin bllokimin e integrimit Ramës


Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, akuzoi kryetarin e PS-së për bllokimin e statusit kandidat, duke përmendur humbjet që sipas saj i janë shkaktuar vendit nga mosvotimi i ligjeve të kërkuara nga BE-ja. Ministrja Bregu u shpreh e bindur se më 23 qershor, shqiptarët nuk do t’i falin bllokimet e Ramës. “A e dini sa vende pune do ishin shtuar sikur te kishim fituar statusin e vendit kandidat. 110 projekte të financuar nga fonde, 850 km rrugë të ndërtuara, 14 ujësjellës e kanalizime, gjykata e burgje. Nëse Rama nuk do kishte bllokuar statusin do ishin financuar edhe 100 projekte përkthyer në punësim për 60 mijë shqiptarë, do ishin ndërtuar edhe 500 km rruge të tjera rurale, ne do kishim ndërtuar edhe 60 shkolla e kopshte te reja. Kemi humbur, ndërtimin e 6 spitaleve të reja rajonale nga bllokimi i Ramës, dhe do të mund të kishim ndërtuar spitalin e kirurgjisë, që do të ishte zgjidhje për shqiptarët. Shqiptaret kanë humbur kohë të gjatë nga pengmarrja dhe nuk do t’i falin asnjë ditë, jo më 3 vjet bllokim, Edi Ramës. Shqiptarët meritojnë të ecin përpara. Ne kemi sjellë ndryshimin në këtë vend dhe do të vazhdojmë të ecim përpara”- deklaroi ministrja Bregu.


Ridvan Bode: Taksa progresive, hanxhari i Edi Ramës në qafën e biznesit


Për ministrin e Financave, Ridvan Bode taksa e sheshtë është thelbi i suksesit ekonomik të Shqipërisë. Ai reagoi ashpër kundër propozimeve të Partisë Socialiste për taksën progresive, duke e konsideruar këtë si hanxharin e Edi Ramës në qafën e biznesit. “Taksa progresive është hanxhari i Edi Ramës në qafën e biznesit. Ai është kundër lirisë ekonomike, kundër zhvillimit dhe reformave. Taksa progresive do të pengojë rritjen e biznesit dhe punësimin. Me këtë taksë do fitojë kupola mavi dhe do humbin shqiptarët”- u shpreh Bode.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›