E Shtunë, 31 Tetor 2026

Betejës Klinton - Obama për emerimin e Partisë Demokratike po i vjen fundi

Beteja e gjatë midis Senatorëve Barak Obama dhe Hillari Klinton për të fituar emerimin e Partisë Demokratike pët kandidat për president mund të jetë në ditët e saj të fundit. Të dy konkurrentët janë duke zhvilluar fushatë për të fituar delegatë në tre zgjedhjet e fundit paraprake që do të zhvillohen deri ditën e martë. Gjithashtu, të dy grupet presin një takim që komisioni i rregullores të Partisë Demkratike do të zhvillojë sot, i cili do të përpiqet të zgjidhë një mosmarrëveshje mbi votimet paraprake në shtetet e Floridës dhe të Miçiganit.

Mbledhja e sotme në një hotel në Washington është shpresa më e madhe e Hillari Klintonit për të zvogëluar distancën mbi numrin e përgjithshëm të delegatëve përpara përfundimit të zgjedhjeve paraprake në 3 qershor, me të cilën kryeson Barak Obama.

Komisioni i rregullores së Partisë Demokratike do të përpiqet të zgjidhë mosmarrveshjen lidhur me votimet në Florida dhe Miçigan. Kryesia e partisë i konsideroi të pavlefshme këto zgjedhje, pasi të dy shtetet nuk zbatuab rregullat e partisë dhe i zhvilluan votimet e tyre paraprake në muajin janar, në vend që t'i zhvillonin ato më vonë.

Zonja Klinton fitoi zgjedhjet në të dyja shtetet dhe shtabi i fushatës së saj elektorale kërkon që rrezultatet të njihen, gjë që mund të shkurtojë diferencën kryesuese të zotit Obama përsa i përket numrit të delegatëve.

Mbështetësit e zotit Obama thonë se rezultatet nuk duhet të merren në konsideratë sepse zoti Obama hoqi emrin e tij nga lista e kandidatëve në shtetin e Miçiganit përpara mbajtjes së zgjedhjeve dhe sepse asnjë kandidat, duke ndjekur rregullat e Partisë Demokrate, nuk zhvilloi fushatë elektorale qoftë në Miçigani, qoftë në Florida.

Pas mbledhjes së sotme, vemendja do të përqëndrohet në tre zgjedhjet e mbetura paraprake demokrate. Porto Rikoja do të votojë të dielën ndërsa Montana dhe Dakota e Jugut do të votojnë të martën.

Pavarësisht se shpresat e saj për të fituar emerimin po veniten, Senatorja Klinton vazhdon të thotë se ajo është kandidatja më e fortë demokrate që mund të konkurojë kundër Xhon Mekeinit, i cili mendohet se e ka fituar emërimin e Partisë Republikane.

"Cili mendoni se është më i përgatitur dhe i gatshëm të jetë komandant i përgjithshëm që në ditën e parë, të marrë ato vendime të guximshme që do të janë të domosdoshme të merren nga presidenti i ardhshëm?”

Në javët e fundit të fushatës, senator Obama, në mënyrë të ndjeshme e ka larguar vëmendjen e tij nga zonja Klinton dhe tani është përqëndruar në atë që ai pret të jetë një përplasje me senatorin Xhon Mekein.

"Do të isha i kënaqur të zhvilloja një debat me Xhon Mekeinin rreth politikës së jashtme Bush-Mekein, sepse politika e tyre e jashtme nuk ka dhënë rezultat dhe ne nuk mund të vazhdojmë të vazhdojmë me të njëjtën politikë”.

Zonja Klinton pritet të fitojë zgjedhjet e nesërme në Porto Riko, ndërsa zoti Obama kryeson në sondazhe në Montana dhe Dakotën e Jugut.

Udhëheqësit demokratë në Kongres shpresojnë për një zgjidhje të shpejtë në lidhje me emërimin e kandidatit demokrat pas zgjedhjeve paraprake të së martës. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuese në Kongres, Nenci Pelosi, dhe Kryetari i maxhorancës në Senat, Heri Rid, janë duke u bërë thirrje superdelegatëve që ende nuk janë pozicionuar të shprehin mbështetjen e tyre për njërin nga kandidatët përpara përfundimit të sezonit të zgjedhjeve paraprake.

Superdelegatët janë zyrtarë dhe aktivistë të partisë, të cilët mund të votojnë për çdo kandidat. Ekspertët politikë mendojnë se pjesa e mbetur e superdelegatëve, pas zgjedhjeve të së martës, do të mbështesin zotin Obama, duke bërë që senatori nga shteti i Illinoit të sigurojë emërimin.

Pasi të sigurojë emërimin e partisë, senator Obamës do t'i duhet të përballet me sfidën për unifikimin e partisë Demokrate dhe të fitojë përkrahjen e mbështetësve të zonjës Klinton përpara Kuvendit Kombëtar të Partisë për emërimin e kandidatit, që do të zhvillohet në fund të muajit gusht. //iç//

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›