Betlehem, festë me “aromë lufte”, Papa Françesku uron besimtarët dhe bën apel për t’i dhënë fund konflikteve

Teksa e gjithë bota feston krishtlindjen, në djepin e Krishtërimit, për të dytin vit radhazi kremtimet e kësaj dite të shenjtë kanë mbetur në plan të dytë nga lufta.
Qindra besimtarë u mblodhën në meshën e Krishtlindjes të mesnatës në Betlehem, ku ishte i pranishëm udhëheqësi i Kishës Katolike në Tokën e Shenjtë, Kardinali Pierbattista Pizzaballa
Gjatë meshës solemne në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku dha një mesazh të fortë, duke dënuar luftërat, vrasjet e fëmijëve dhe bombardimet në shkolla e spitale. Ai i bëri thirrje botës të mos mbyllë sytë ndaj padrejtësive dhe vuajtjeve të të varfërve.
“Shpresa që lind në këtë natë nuk toleron përtacinë e atyre që janë mësuar me rehati dhe komoditete. Nuk pranon kujdesin e rremë të atyre që nuk marrin anë nga frika e kompromiseve dhe atyre që mendojnë vetëm për veten. Jubileu është një kohë përtëritjeje shpirtërore dhe angazhimi për transformimin e botës. Le të jetë një kohë për lirimin nga borxhet e padrejta që rëndojnë vendet e varfra dhe për t’i dhënë fund skllavërisë, të vjetër dhe të re”, tha Papa Françesku.
Atmosfera e Krishtlindjes u ndje dhe ne vende të tjera me komunitete të mëdha besimtarësh.
Ndërkohë për herë të parë që pas shkatërrimit nga zjarri në prill të vitit 2019, katedralja ikonike “Notre-Dame de Paris” ka pritur besimtarët për meshën e Krishtlindjes
Kryepeshkopi i Parisit ka shprehur gëzimin dhe mirënjohjen për restaurimin e katedrales që tashmë ka lënë vend për ribashkimin e besimtarëve me këtë vend të shenjtë.