E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Betlehemi i gjallë” i Hajmelit, tradita 7-vjeçare e rikrijimit të skenave biblike

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Edhe këtë Krishtlindje, 250 besimtarë katolikë kanë organizuar në Hajmel të Shkodrës, “Betlehemin e gjallë”, siç njihet ndryshe skena e lindjes së Krishtit.

Famullia e Hajmelit që prej vitit 2018 inskenon Betlehemin dhe lindjen e Jezusit, me ndihmën e vullnetarëve katolikë që kthehen në aktorë amatorë duke performuar role të ndryshme që nga zejtarët antikë, mbretërit me dhurata, e barinjtë që dalluan yllin lajmdhënës për ardhjen në këtë botë, të Krishtit Fëmijë.

Këtë vit bëhen 801 vjet që nga organizimi i Betlehemit të parë të gjallë, nga Shën Françesku, më 1223, në një fshat të Rietit, në Itali.

Nën kujdesin e etërve kapuçinë të Dioqezës së Sapës, “Betlehemi i gjallë” është kthyer në traditë dhe në vend pelegrinazhi, duke patur në të jo vetëm skenën e grazhdit ku lindi Jezusi, por është rikrijuar qyteti i Betlehemit.

Vizitorëve u ofrohen pamje mahnitëse, ku spikasin veshja, traditat dhe loja e bukur aktoriale, për një nga ngjarjet që na kthen pas mbi 2000 vjet e që ishte një pikë kthese për historinë e njerëzimit. Banorët e Hajmelit kanë përgatitur në detaje, skena të ndryshme, ashtu siç mendohet se ishin para 2000 vjetëve.

I gjithë ky organizim sjell një mesazh të madh paqeje dhe dashurie. “Betlehemi i gjallë” i Hajmelit do të shfaqet sërish në datat 26 dhjetor dhe 2 janar 2025, në fshatin Hajmel.

/e.r/ /a.g/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›