Biba, kreu i konkurencës: Gjobat për vitin 2022 janë në nivelin më të lartë historik

Autoritetit të Konkurrencës ka raportuar të hënën para Komisionit të Ekonomisë dhe Financave lidhur me veprimtarinë e punës për vitin 2022.
Kryetari Denar Biba deklaroi se gjatë vitit 2022 u kryen 15 monitorime në tregjet sensitive dhe me impakt të drejtpërdrejtë te konsumatori
Sipas tij bëhet fjalë për monitorime në tregun me pakicë të shërbimeve celulare, sektorin e arsimit të lartë, tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto, tregun e ofrimit të shërbimit të fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme në qytetin e Tiranës.
Po në vemendja kanë qenë edhe tregu i veprimtarive ekonomike që zhvillohen nga Federata Shqiptare e Futbollit, tregu i ofrimi i shërbimit të marrjes së qelizave staminale, tregu i tregtimit me shumicë i karburantit naftë dhe benzinë, shërbimeve celulare, treg me shumicë i terminimit të thirrjeve ndërkombëtare, tregun e sigurimeve për produktin kartoni jeshil, sigurimeve për produktin TPL, tregun e shitjes me shumicë dhe me pakicë të materialeve paramjekësore, tregun e shërbimeve të infrastrukturës aeroportuale, tregun e shërbimeve bankare, etj.
Zoti Biba tha se gjobat e vendosura nga Autoriteti i Konkurencës për vitin 2022 janë në nivelin më të lartë historik.
“Gjobat u vendosën për shkelje të rënda në tregun e konkurrencës, përkatësisht në tregun e importit të tregtimit me shumicë të plehrave kimike, në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto, në tregun e menaxhimit të faciliteteve të parkimit të TIA-s, si dhe në tregun e importit të grurit dhe miellit. Gjobat kapin vlerën e mbi 224 milionë lekëve, një shifër kjo rekord në historikun 18-vjeçar të AK-së”, deklaroi kreu i Autoritetit të Konkurencës Denar Biba.
Lidhur me situatën në tregun e telefonisë së lëvizshme, ai tha se jemi në kushtet e një duopoli. Sipas kreut të Autoritetit të Konkurencës një situatë e ngjashme po vërehet në të gjithë botën. Kjo për shkak se investimet që kërkon ky treg janë të larta dhe kompanitë e kanë të pamundur t’i përballojnë argumentoi zoti Biba. Ai bëri të ditur se këto tregje janë nën monitorim të vazhdueshëm.
/ rtsh.al /