E Diel, 1 Nëntor 2026

Bibliografitë online, rol kyç në promovimin e botimeve dhe kërkimit shkencor

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Në kuadër të Panairit të 5-të mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, që po zhvillohet në Tiranë (22–24 prill 2026), Qendra për Koordinimin dhe Përhapjen e Informacionit Shkencor (QKPISH), njësi pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, organizoi një panel të dedikuar rolit të bibliografive online në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe promovimin e botimeve akademike.

Paneli u moderua nga drejtuesja e QKPISH, Mirlona Buzo, e cila mbajti kumtesën “QKPISH dhe roli i saj në zhvillimin dhe koordinimin e bibliografive online”.

Në panel referuan gjithashtu Teuta Sula, drejtore e Bibliotekës së Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, Renata Bardhi, drejtore e Bibliotekës Shkencore në Universitetin Bujqësor të Tiranës, si dhe Teuta Dhima, specialiste në Bibliotekën Publike Durrës, të cilat trajtuan përkatësisht përdorimin e bibliografive online në mbështetje të stafit akademik dhe studentëve, promovimin e trashëgimisë shkencore dhe rolin e bibliografive tematike në studimet albanologjike.

Diskutimet nxorën në pah rëndësinë e bibliografive online në rritjen e dukshmërisë së kërkuesve shkencorë, lehtësimin e aksesit në informacion dhe promovimin e botimeve akademike në nivel kombëtar.

Pjesëmarrja e QKPISH në këtë aktivitet thekson angazhimin për forcimin e infrastrukturës së informacionit shkencor dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në vend.

1 nga 7

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›