E Diel, 1 Nëntor 2026

Restaurohet Xhamia e Allajbegisë në Burim të Peshkopisë, rikthehet një monument me vlera të veçanta

TIRANË, 24 prill /ATSH/ Një prej monumenteve me vlera të spikatura historike, arkitektonike dhe shpirtërore në veri të vendit, Xhamia e Allajbegisë në fshatin Burim të Peshkopisë, është rikthyer e restauruar, pas një ndërhyrjeje të kujdesshme nga institucionet përgjegjëse.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se ndërhyrja restauruese e realizuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka rikthyer monumentin me dinjitet si pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kombëtare.

Sipas tij, përmes një pune të kujdesshme dhe profesionale është bërë e mundur ruajtja e vlerave origjinale të objektit, restaurimi i elementëve karakteristikë arkitektonikë dhe përmirësimi i hapësirave përreth, duke garantuar njëkohësisht funksionalitetin dhe mbrojtjen afatgjatë të tij.

“Xhamia e Allajbegisë, në fshatin Burim të Peshkopisë, një prej monumenteve me vlerë të veçantë historike, arkitektonike dhe shpirtërore, pas ndërhyrjeve restauruese është rikthyer me dinjitet si pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kombëtare”, u shpreh Gonxhja.

Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e komunitetit dhe të individëve që janë kujdesur për ruajtjen e objektit ndër vite, duke shprehur një falënderim të veçantë për Osman Xhili, të cilin e cilësoi si një intelektual dhe autor librash, si dhe kujdestar vullnetar i palodhur i xhamisë.

“Përmes një pune të kujdesshme dhe profesionale, u mundësua ruajtja e vlerave origjinale të objektit, restaurimi i elementëve karakteristikë dhe përmirësimi i hapësirave përreth, duke garantuar funksionalitetin dhe mbrojtjen afatgjatë të tij. Një falënderim i veçantë për Imam Osman Xhilin, si intelektual e autor librash, kujdestar vullnetar stoik i xhamisë”, tha Gonxhja.

Ministri shprehu mirënjohje edhe për specialistët e përfshirë në proces, si dhe për kompaninë zbatuese Fusha sh.p.k., e cila, sipas tij, ka kontribuar përtej detyrimeve kontraktuale në realizimin e këtij projekti.

Restaurimi i Xhamisë së Allajbegisë konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, si dhe në rikthimin në funksion të objekteve me vlera për komunitetin dhe vizitorët.

e.xh/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›