Biblioteka Kombëtare, institucioni që i ofron lexuesit arrogancë, mosmirënjohje dhe ndonjë libër

Problemet vazhdojnë ende në Bibliotekën Kombëtare. Edhe pse ky institucion është një prej institucioneve më të rëndësishme në vend, mjafton një vizitë në mjediset e bibliotekës dhe aty mund të vërtetosh që ka shumë probleme, në shërbimin që të ofrojnë punonjësit, në kushtet që të ofrohen etj, aq sa në shumë raste për të gjetur një libër lexuesit janë të detyruar që të kryejnë punën që duhet ta bëjnë punonjësit e këtij institucioni. Dhe këtë e vërteton nëse pyet vetë lexuesit, të cilët tregojnë se janë të lodhur nga kërkimet e kota për të gjetur librin që ata kërkojnë.
Vuajtjet dhe mundimet për të gjetur librin që ti do fillojnë sapo hyn brenda këtij institucioni, që mban emrin Biblioteka Kombëtare dhe përballesh me sportelin e informacionit. Kur mbërrin këtu dhe pyet për një orientim, punonjësi i sportelit në shumë raste të përgjigjet me një ton, i cili shkon dhe jashtë normave të etikës, por nuk mbaron gjithçka këtu. Nëse ti je një lexues i ri në Bibliotekën Kombëtare, ku mes tyre janë shumë studentë që kanë ardhur për të studiuar në Tiranë, dhe nëse arrin që të marrësh një orientim nga sporteli i informacioni për të vazhduar më tej kërkimin për librin që do, vjen momenti tjetër që ty sërish si lexues të duhet një tjetër orientim. Është momenti për titullin e librit që ti kërkon, ku përgjigjet e mundshme që mund të marrësh janë: ky titull nuk është apo gjeje vetë. Këto janë përgjigjet që mund të marrësh në këtë institucion, i cili i mban këto punonjës në punë vetëm falë taksave të këtyre qytetarëve. Me pak fjalë mund të themi se lexuesit paguajnë taksa vetëm për të marrë si shpërblim arrogancë dhe mosmirënjohje nga ana e punonjësve të Bibliotekës Kombëtare. Ndërkohë që sipas të gjitha rregullave si njerëzore ashtu dhe shtetërore, shërbimi duhet të jetë në lartësinë e duhur, ku lexuesi duhet të respektohet si i tillë. E në fakt në Bibliotekën Kombëtare lexuesi trajtohet në mënyrë harbute dhe aspak të tolerueshme për një punonjës biblioteke. Më pas kësaj situate aspak të këndshme përballesh me një situatë akoma dhe më të pakëndshme si dhe acaruese. Të duhet të bësh punën e një hulumtuesi dhe kërkuesi, duke kërkuar nëpër qindra skedarë vetëm për një titull libri që ti kërkon. Pas një punë prej më shumë se gjysmë ore, më në fund gjen skedarin e shumëkërkuar. E gëzohesh shkon drejt sportelit dhe thua se më fund do ta marrësh këtë libër, por gabohesh! Pas ti lë skedarin në banak, i thua të lutem që kërkoj këtë libër, me një indiferencë të plotë punonjësja tërheq me nerva skedarin, sikur të ta kishte borxh këtë punë që po bën, duke harruar që taksat e qytetarëve e mbajnë në atë punë. Të thotë presësh për pak minuta, e në fakt këto pak minuta kthehen në shumë minuta pritje dhe acarimi. Në fund pas një pritje të gjatë acaruese dhe lodhëse të thërritet emri, lexuesi shkon i gëzuar duke e menduar se më fund do të marrë librin që do dhe të largohet prej andej. Gëzimi nuk zgjat më shumë se dy sekonda, pasi punonjësja si e inatosur të thotë ky libër nuk është dhe vijon të thotë eja pas disa ditësh, pra e kupton që ajo humbje kohe në Bibliotekën Kombëtare nuk vlejti për asgjë dhe më e keqja, lexuesi është i detyruar që ta durojë edhe herë të tjera këtë lloj situate, pasi librat i duhen. Ndërkohë që Bibliotekat Kombëtare të vendeve të tjera të ofrojnë një imazh krejt ndryshe, për sa i përket fondeve të librave si dhe shërbimin ndaj lexuesit. U bënë disa kohë që nga ky institucion pohohet për pasurim fondesh me libra, një shërbim të qytetëruar ndaj lexuesit, për përmirësim kushtesh nga viti në vit, kur mjafton vetëm një vëzhgim në këtë institucion dhe arrin që të vërtetosh që asgjë nuk ka ndryshuar, por problemet vazhdojnë të bëhen dhe më të shumta. Nëse do të flisnim për fonde librash, atëherë do të na lindte pyetja, se përveçse mungesë së kryeveprave botërore, ku janë sot ata libra që janë zhdukur? Nga shumë lexues të rregullt të bibliotekës, pohohet se para disa vitesh tituj të tillë gjendeshin në këtë institucion, kur të gjithë pyesin se çfarë është bërë me këta tituj, ku kanë përfunduar? Ndërkohë që ka shumë vite që është folur për dixhitalizimin e Bibliotekës Kombëtare, dhe akoma ky proces nuk mund të quhet i përfunduar. Megjithëse ka shumë vite që është premtuar dixhitalizimi për Bibliotekën Kombëtare këto dhe projekte kanë mbetur të hedhur në letra, dhe premtime boshe, pasi deri tani nuk është bërë asgjë. E vetmja gjë që i ka mbetur lexuesve është që të shpresojnë ditë pas dite që kalvari i mërzitshëm i marrjes së një libri të marrë fund. Pra e vetmja që të ofron ky institucion është një shërbim i paralizuar për lexuesit në të gjitha drejtimet. Një kulturë e munguar, libra që nuk gjenden etj, aq sa sot mund të pyesësh : A mund të quhet ky institucion Biblioteka Kombëtare?
Last Updated on Wednesday, 24 June 2009 21:42
Last Updated on Wednesday, 24 June 2009 21:42