E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përçahet PD e Beratit, drejtuesit marrin me vete 100 anëtarë

Partia Demokratike vetëm pakë ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit ka humbur një nga zonat e saj mbështetëse në Qarkun e Beratit. Krerë të strukturave të PD në komunën Kutalli të këtij qarku, kanë deklaruar largimin e tyre në shenjë proteste nga kjo parti për mosmbajtje të premtimeve elektorale, që ajo u kishte dhënë përpara zgjedhjeve të 3 korrikut 2005 dhe për shkëputje të lidershipit të saj nga baza e partisë. Në deklaratën për shtyp, të lexuar nga kryetari i seksionit të Partisë Demokratike të fshatit Kutalli dhe sekretar i Gurpseksionit, Vasillaq Bibo, thuhej mes të tjerave, se ai dhe katër drejtues të tjerë të seksioneve të fshatit po deklaronin dorheqjen e pa revokueshme nga radhët e PD-së, pasi , sipas tyre, kryetari i Grupit të Punës të fushatës elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009, ka përçarë strukturat e kësaj partie, në komunë për interesa të ngushta. Sipas deklaratës së nënshkruar nga kryetarët e 5 seksioneve të PD dhe kryetarit të Forumit Rinor të PD në Kutalli, zëri i anëtarësisë së partisë në bazë ka rënë në vesh të shurdhët, pasi nuk është dëgjuar asnjëherë nga drejtuesit e Degës së PD në Berat. Në deklaratë thuhej, se qeveria nuk mbajti premtimet e para 3 korrikut 2005 për naftën pa akcizë, për donacionet dhe kreditë e buta. Ata thanë se e kanë ndërmarrë këtë nismë, pas disa kërkesave , që u kishin drejtuar krerëve të Degës së Partisë Demokratike në Berat dhe se numri i anëtarëve të larguar shkon në mbi 100 vetë dhe se ky numër do të vijë duke u shtuar në ditët e ardhshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›