Biden: Është “turp” që presidenti Trump nuk e ka pranuar ende rezultatin

Presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se është “turp” që presidenti Donald Trump nuk e ka pranuar ende rezultatin e zgjedhjeve në SHBA.
Joe Biden tha, se asgjë nuk do ta ndalë transferimin e pushtetit në SHBA, megjithëse presidenti Donald Trump pretendon pa prova se zgjedhjet u karakterizuan nga mashtrime dhe disa prej aleatëve të tij republikanë mbështesin proceset ligjore të hapura për këtë qëllim.
I pyetur nga gazetarët se cili është plani i tij nëse administrata Trump nuk bashkëpunon në tranzicionin e pushtetit, Biden tha: “Do të ishte mirë sikur ta kishim bashkëpunimin e administratës, por nuk është vendimtar. Ne do të bënim pikërisht atë që po bëjmë, edhe sikur ta pranonte humbjen”.
Trump, ndërkohë, shkroi në Twitter se në fund të fundit do të fitonte garën që të gjitha rrjetet kryesore televizive kanë parashikuar se ai ka humbur.
Udhëheqësit botërorë, përfshirë shumicën e aleatëve amerikanë, e kanë uruar presidentin Biden për fitoren në zgjedhje.
Biden tha, se ka biseduar me gjashtë liderë botërorë “për t’iu treguar se Amerika është rikthyer”.
Sipas disa njoftimeve, Biden, foli me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson për rreth 20-25 minuta, i cili edhe uroi për fitoren në zgjedhje.“Unë pres që të forcojmë partneritetin midis vendeve tona dhe të punojmë me të në lidhje me përparësitë tona të përbashkëta, nga lufta kundër ndryshimit të klimës në promovimin e demokracisë dhe rindërtimin pas pandemisë”, shtoi Johnson.
Gjatë bisedës me Johnson është përmendur edhe Ballkani Perëndimor, çka rikonfirmohet se në agjendën e presidentit të ri amerikan do të jetë edhe rajoni I ballkanit.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se ai ishte i gatshëm të punonte së bashku me SHBA për çështje përfshirë ndryshimin e klimës, shëndetin dhe luftën kundër terrorizmit.
Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu dëshirën për një bashkëpunim të ngushtë dhe të besueshëm në të ardhmen midis të dy palëve
Kryeministri irlandez Micheál Martin shkroi në Twtter se Biden “nënvizoi angazhimin e tij për Marrëveshjen e “Good Friday”.