E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ambasadorja Barsacq: “Franca e angazhuar për anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë”

Shqipëria i ka të gjitha gjasat të bëhet pjesë e familjes evropiane. Autoritetet duhet të punojnë fort e shpejt për realizimin e reformave që po kushtëzojnë nisjen e negociatave.
ELISABET BARSACQ- Ambasadore e Francës në Shqipëri është shprehur se:

“Tani jemi në një etapë tjetër. Duhet ta kemi parasysh se në marsin e vitit 2019 Keshilli Evropian vendosi që negociatat me Shqipërinë do të hapen dhe tani ne po shohim sesi do të negociojmë në të ardhmen. Ne jemi të mendimit që duhet të hapen. Siç e dini mirë ka kushte për tu plotësuar. Siç janë : Shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit, dhe kjo nuk varet as nga Franca as nga Kroacia dhe Polonia , por nga vetë Shqipëria. Kjo është situata.”

Ambasadorja Barsak e cila ka marrë detyrën vetëm një muaj më parë, ka ndarë me mediat dhe opinionin angazhimin e Francës në këtë proces të pakthyeshëm.

“Ju e dini që përpara se të marrë funksionin një ambasador informohet për vendin ku shkon. Kur isha në Paris dhe po informohesha, thashë se do të bëj çdo gjë që Shqipëria të jetë pjesë e BE. Kjo ishte dhe porosia që më dhanë; Shko atje dhe bëj ç’është e mundur që Shqipëria të jetë pjesë e BE. Por kjo nuk do të thotë që Shqipëria të mos bëjë detyrën e vet.”
Këto deklarata ambasadorja Franceze i dha nga Elbasani gjatë një takimi ne Aleancën Franceze nga ku dha dhe lajmin e mirë të ardhjes në Shqipëri të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, e cila do të financojë projekte dhe bashkepunime me qeverinë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›