Biden plani per armembajtjen

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barak Obama është i vendosur për të vepruar kundër dhunës me armë zjarri dhe po merr parasysh urdhra ekzekutivë që do të parandalonin sulme si ai në shkollën fillore në Konektikat. Deklarata vjen nga zëvendës presidenti Xho Bajden.
“Ne nuk do të ngecim në nocionet që përderisa nuk bëjmë gjithçka atëherë nuk po bëjmë asgjë. Ka një konsensus të gjerë në katër a pesë gjëra për sa i përket armëmbajtjes mbi të cilat mund dhe duhet të biem dakord”, tha ai.
Pas ngjarjes në Njutaun Obama i ka kërkuar Bajden që të hartonte një plan për të ulur numrin e viktimave si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit. Bajden nga ana e tij pritet të takohet me lobin e pushtetshëm për armëmbajtjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të enjten.
“Ne po marrim në konsideratë të gjitha palët e përfshira. Por presidenti do të veprojë. Ka urdhra dhe vendime ekzekutive që mund të ndërmerren”, shtoi Bajden.
Por Bajden nuk ka dhënë detaje për vendimet që parashikohen të merren, pasi masat kushtetuese janë ende në diskutim.