E Martë, 3 Nëntor 2026

Biden sinjalizon se mund të ketë një armëpushim në Gaza, por Izraeli dhe Hamasi thonë se asnjë marrëveshje nuk është e afërt

Presidenti i SHBA, Joe Biden sinjalizoi se një armëpushim në Gaza mund të jetë afër, duke thënë se Izraeli ka rënë dakord të ndalojë ofensivën e tij gjatë muajit të ardhshëm të shenjtë mysliman të Ramazanit, nëse arrihet një marrëveshje për lirimin e disa pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

Por, si Izraeli ashtu edhe Hamasi e minimizuan të martën idenë se një përparim ishte i mundur.

Sinjalet e presidentit erdhën në prag të zgjedhjeve paraprake në Miçigan, ku ai përballet me presionin nga popullsia e madhe arabo- amerikane e shtetit për mbështetjen e tij të vendosur ndaj Izraelit. 

Biden tha se ai ishte informuar për statusin e bisedimeve nga këshilltari i tij për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, por tha se komentet pasqyronin optimizmin e tij për një marrëveshje, jo se të gjitha pengesat e mbetura ishin kapërcyer.

Në vazhdën e sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, fushata ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit në Gaza ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz, ka zhdukur pjesë të mëdha të peizazhit urban, ka zhvendosur 80% të popullsisë së enklavës së goditur dhe ka ndezur shqetësimet se një zi buke mund të jetë e afërt, sipas Kombeve të Bashkuara.

Tani perspektiva e një pushtimi të Rafahut ka shkaktuar alarm global mbi fatin e civilëve të bllokuar atje. Bisedimet për ndalimin e luftimeve morën vrull kohët e fundit dhe ishin duke u zhvilluar të martën. 

Negociatorët nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari kanë punuar për të ndërmjetësuar një armëpushim që do ta bënte Hamasin të çlironte disa nga dhjetëra pengjet që mban në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë, një ndalesë gjashtëjavore të luftimeve dhe një rritje në dërgimin e ndihmave në Gaza.

Fillimi i Ramazanit, i cili pritet të jetë rreth datës 10 mars, shihet si një afat jozyrtar për një marrëveshje. Muaji është një kohë e respektimit të shtuar fetar dhe agjërimit nga agimi deri në muzg për qindra miliona myslimanë në mbarë botën. Tensionet izraelito- palestineze janë ndezur në të kaluarën gjatë muajit të shenjtë.

“Ramazani po vjen dhe ka pasur një marrëveshje nga izraelitët që ata nuk do të angazhohen në aktivitete gjatë Ramazanit, në mënyrë që të na japin kohë për të nxjerrë të gjithë pengjet jashtë,” tha Biden në një paraqitje në NBC ” Late Night” me Seth Meyers” që u regjistrua të hënën.

Në komente të veçanta në të njëjtën ditë, Biden tha se ai shpresonte se një marrëveshje armëpushimi mund të hynte në fuqi javën e ardhshme.

Në të njëjtën kohë, Biden nuk bëri thirrje për t’i dhënë fund luftës, e cila u shkaktua kur militantët e Hamasit vranë 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe rrëmbyen afërsisht 250 njerëz, sipas autoriteteve izraelite.

Zyrtarët izraelitë thanë se komentet e Biden erdhën si befasi dhe nuk ishin bërë në koordinim me udhëheqjen e vendit. Një zyrtar i Hamasit hodhi poshtë çdo ndjenjë përparimi, duke thënë se grupi nuk do t’i zbuste kërkesat e tij.

Zyrtarët izraelitë, të cilët folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar për të diskutuar bisedimet e ndjeshme me median, thanë se Izraeli dëshiron një marrëveshje menjëherë, por se Hamasi vazhdon të bëjë kërkesa të tepruara. Ata thanë gjithashtu se Izraeli po këmbëngul që ushtarët femra të jenë pjesë e grupit të parë të pengjeve të liruara sipas çdo marrëveshjeje armëpushimi.

Zyrtari i Hamasit, Ahmad Abdel-Hadi, tregoi se optimizmi për një marrëveshje ishte i parakohshëm.

“Rezistenca nuk është e interesuar të heqë dorë nga asnjë prej kërkesave të saj dhe ajo që propozohet nuk përmbush atë që kishte kërkuar,” tha ai për kanalin televiziv Pan-Arab Al Mayadeen.

Hamasi ka kërkuar më parë që Izraeli t’i japë fund luftës si pjesë e çdo marrëveshjeje, të cilën kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti “mashtrues”.

Në një konferencë shtypi të martën në Doha, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari tha “ne ndjehemi optimistë” për bisedimet, pa dhënë detaje.

Një zyrtar i lartë nga Egjipti ka thënë se draft-marrëveshja përfshin lirimin e deri në 40 grave dhe pengjeve më të vjetër në këmbim të deri në 300 të burgosurve palestinezë – kryesisht gra, të mitur dhe të moshuar. AP

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›