E Martë, 3 Nëntor 2026

NATO: S’kemi në plan të dërgojmë trupa ushtarake në Ukrainë

Aleanca e Atlantikut të Veriut ka bërë të ditur se nuk po planifikon të vendosë trupa  luftarake në terren në Ukrainë.

Sipas një prej zyrtarëve të NATO-s aleatët po ofrojnë mbështetje ushtarake për Ukrainën, por kanë mohuar pretendimet për të dërguar trupa ushtarake atje.

“NATO dhe aleatët po ofrojnë mbështetje të paprecedentë ushtarake për Ukrainën. Ne e kemi bërë këtë që nga viti 2014 dhe jemi rritur pas pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë. Por nuk ka plane për trupat luftarake të NATO-s në terren në Ukrainë”, është shprehur zyrtari i NATO-s.

Zyrtari shtoi se NATO do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën siç ka bërë deri më tani.

“Ne duhet të kujtojmë se çfarë është kjo: një luftë agresioni nga Rusia kundër Ukrainës, duke shkelur hapur ligjin ndërkombëtar. Sipas ligjit ndërkombëtar, Ukraina ka të drejtën e vetëmbrojtjes dhe ne kemi të drejtën t’i mbështesim ata. Kjo është ajo që aleatët e NATO-s po bëjnë dhe do të vazhdojnë të bëjnë”, theksoi më tej ai.

Përgjigja vjen pasi presidenti francez Emmanuel Macron tha se nuk mund të përjashtonte dislokimin e trupave të NATO-s në Ukrainë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›