E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie edhe muri i imunitetit - politikanët dhe qytetarët, të barabartë para ligjit

Pas ndryshimeve në Kushtetutë, të cilat kryesisht synon shmangien e krizave politike, ndryshimi i ligjit për imunitetet parlamentare, do të jetë një nga reformat të rëndësishme konsensuale të që do të ketë bekimin e dy krahëve të politikës, duke mundësuiar në këtë mënyrë vendosjen e një standardi të ri në politikën shqiptare dhe njëherësh, duke i dhënë një hov të ri luftës kundër korrupsionit. Lideri i mazhorancës, Sali Berisha, deklaroi gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike se vendi ndodhet para një momenti shumë madhor për jetën politike dhe për standardet demokratike. Kryeministri u ndal në rëndësinë që ka kufizimi i imunitetit për të gjithë zyrtarët, me qëllim vendosjen e barazisë së të gjithë qytetarëve para ligjit. “Siç e keni marrë vesh në dy deklarata publike nga ana ime dhe e zotit Rama është rënë dakord që të shembet muri i imunitetit. Mendoj se kjo përbën njërin nga zhvillimet më madhore dhe më të rëndësishme të 17 viteve të fundit dhe ndoshta pas ujdisë për sistemin e ri elektoral ky konsensus përbën të dytin zhvillim më madhor në reformat e këtij vendi dhe e konsideroj këtë dëshmi të një maturimi real të sistemit tonë demokratik”- u shpreh Kryeministri Berisha. Kjo gatishmëri, vijoi më tej kreu i qeverisë përbën një dëshmi të një besimi tek sistemi ynë demokratik, dëshmi e një vullneti të qartë publik për të vendosur përveçse në aspektin politik, për vendosjen e barazisë para ligjit të Kryeministrit, ministrit, deputetit dhe gjykatësit shqiptar me qytetarin shqiptar. “Barazia para ligjit përbën njërin nga dy-tre parimet më themelore të kushtetutave dhe shoqërive demokratike të vendeve demokratike”, nënvizoi Kryeministri Berisha. Në këtë kontekst Kryeministri tha se kishte një rëndësi të jashtëzakonshme që opozita kryesore shprehu dakordësinë e saj, ndërkohë që për këtë çështje është shprehur një muaj më parë edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. “Me këtë reformë jo vetëm vendosim barazinë para ligjit, por me këtë reformë realisht ne heqim një pengesë të tmerrshme që qëndronte para gjyqësorit shqiptar për të mbushur misionin dhe funksionin e tij sikurse edhe vetë ata zhvishen nga imuniteti, për të cilin ata nuk kanë nevojë”, nënvizoi Kryeministri Berisha. Në këtë kontekst Kryeministri Berisha tha se Shqipëria me këtë vendim nuk bën gjë tjetër vetëm se vendos atë standard që SHBA-të, ata që themeluan Amerikën e vendosën në Kushtetutën e saj, vendos atë standard, të cilin e kanë të tyrin shumica e vendeve të lira demokratike dhe ky është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm. “Reforma të tilla mund të ishin dashur t`i kishim bërë më parë, mund të ishim përpjekur të mblidhnim 84 vota, por gjëja më e madhe është kur ajo bëhet me ujdinë e të dy palëve, kur pozita dhe opozita dëshmojnë se parimet e mëdha i kanë të njëjta dhe dinë t`u japin atyre përparësi ndaj të gjitha kundërshtive që kanë me njëra-tjetrën”- u shpreh kryeministri, duke e përshëndetur këtë moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin.Kryeministri Berisha shprehu sigurinë se ky është një kontribut i madh për Shqipërinë, dhe për integrimin e saj në Bashkimin Europian. “Ju siguroj se është një kontribut i madh për Shqipërinë dhe integrimin e saj drejt Bashkimit Europian, plotësojmë një detyrim, ta dini që në vitin 2004 qeveria e mëparshme ka firmosur me Këshillin e Europës këtë që po bëjmë sot, por nuk është mbajtur”- theksoi kryeministri Berisha. Duke iu referuar vizitës së një delegacioni të Kuvendit të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri tha se kreu i këtij delegacioni, zoti Zogaj informoi parlamentin se mbështetësit tanë kryesorë për anëtarësimin në NATO, SHBA-të, parashtruan kërkesën më specifike për kufizimin e imunitetit, mbrojtje që ata nuk e kanë për senatorët, kongresmenët dhe për askënd tjetër.
 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›