E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakti/Lufta civile e së majtës po degjeneron në sekuestrime militantësh

Tashmë jemi mësuar për tregtinë e famshme dhe njeherazi nervoze që LSI dhe PS
po konsumojnë ndërmjet tyre, nëpërmjet merkatos së militantëve partiakë, të cilët herë kalojnë në anën e LSI-së dhe herë në anën e ngrehinës së çatrallisur të së majtës. E njëjta proçedurë është përsëritur edhe dje në qytetin e Fierit, ku ish-kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, dega Fier, Haxhi Kalluci dhe rreth 275 anëtarë të kësaj partie, kanë deklaruar bashkimin me Partinë Socialiste. Fragmentarizimet në të majtën shqiptare, tashmë kanë marrë një tjetër rrjedhë dhe mungon kohezioni dhe transparenca midis partive, aq më tepër që kanë filluar edhe sulmet e ashpra. E njëjta taktikë si në Ndroq, Paskuqan, u përsërit edhe në Fier, pra transferimi i militantëve nga njëra parti tek tjetra, në formë plaçkë pazaresh. Kësisoj, është futur në një udhëkryq drejt një stacioni të pakthyeshëm. Në Ndroq, skema ishte e tillë që gruaja, Fatime Goga do të braktiste PS-në për LSI-në e Metës, duke marrë me vete edhe 250 militantë të PS-së që morën kartën e anëtarësisë së LSI-së. Kështu, e njohur deri atëherë vetëm gruaja e Beratit për vendosmërinë e solidaritetit nëpërmjet bashkimit dhe sakrifikimit, në anën tjetër doli gruaja e Ndroqit, kryetare e komunës, e cila vendosi të braktisë ngrehinën e Edvinit, për të kërkuar azil politik tek Meta. Ndërsa në Fier, ndodhi e anasjellta, nënkryetari i Bashkisë së bashku me 275 anëtarë braktisin partinë e Metës për t’iu vënë pas autobusit të vjetër të PS-së, të drejtuar nga timonier Rama. PS dhe LSI, vazhdojnë me intriga të ndërsjella, duke kryer procesin e shkëmbimit të militantëve të molepsur partiakë sa njëra parti tek tjetra, sipas pazareve dhe marrëveshjeve që grupi i militantëve nënshkruan. Ndërkohë, dje ishte radha e LSI-së që të përballej me braktisje. LSI e Fierit i shkëputet trungut të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe i bashkohet PS-së së Edi Ramës, duke akuzuar Ilir Metën se po përcan të majtët. Ka qenë kryetari i Lëvizjes Socialiste, për Integrim në Fier, Haxhi Kalluci, ai që ka konfirmuar shkatërrimin e kësaj partie në Fier dhe bashkimin e 275 delegatëve të saj me socialistët. Kalluci hodhi akuza të renda ndaj kreut të LSI, Ilir Meta duke e quajtur madje dhe tradhtar. “Meta po bën lojën e Berishës. Për karrigen e tij po e përçan dhe po e shet të majtën. Na vjen keq që Meta na tradhëtoi”, tha Kalluci. Sipas tij nuk ka pasur asnjë mëdyshje në këtë vendim dhe se 275 anëtarët e Lëvizjes për Integrim do ti bashkohen PS-së së Edi Ramës. “Këto mënyra e nxjerrin partinë nga kontrolli, që vota e së majtës të bashkohet me të djathtën. Shkelet koalicioni, shembet e rrezohet vetëm e vetëm për interesa të klanit, individë makutë e me tahmarqarllëk të verbër e të shfrenuar. Grupi ka vendosur që nga dita e sotme e në vazhdim do të mbështesë, Partinë Socialiste, kreun e saj, Edi Rama, strukturat e partisë aty”, tha Kalluçi. Ai është shprehur së bashku me mbështetësit e tij duke i kërkoi elektoratit që t’ia japin votat PS-së se ishin të zhgënjyer nga politika totalitare e Metës. “Politika e LSI-së frymëzohet nga makutëria, babëzia dhe interesat klanore të individëve të veçantë brenda saj. Ai shkrin kryesira edhe sikur të prodhojnë mjaltë”, theksoi Kalluci. Sipas tij, zgjedhjet e 18 shkurtit ishin një sukses dhe jo humbje për LSI-në, duke u renditur si forcë e tretë. “Jemi këtu dhe po bëjmë këtë veprim për të ruajtuar të tërën përballë pjesës, dhe për këtë arsye kalojmë kështu siç jemi me Partinë Socialiste”, nënvizoi Kalluci. Ndërkohë që pasardhësi i tij në krye të LSI-së, Fredi Çuko, e akuzon Kalluçin për rezultate të dobëta në zgjedhjet e 18 Shkurtit, për monopolizim të partisë, përfitime personale dhe abuzime me financat e partisë. Sipas z. Çuko, kryesia e re e degës së LSI-së në Fier ka mbledhur fakte dhe prova materiale për ta paditur penalisht ish-drejtuesin e LSI, njëkohësisht n/kryetar i bashkisë së Fierit. Ndërsa i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasili i cili e ka konsideruar dezertorin e LSI-së si të manipuluar dhe mjeran. “Mjerisht, manipulatorë të tillë ordinerë kanë gjetur vend në Partisë Socialiste dhe ky është hall i Partisë Socialiste dhe jo i yni”, tha Vasili. Ai vuri në dukje se i larguari nga LSI, nuk është anëtar i kësaj partie dhe më shumë se prej një viti është shkarkuar nga Kryesia qendrore e LSI-së, për arsye të falsifikimit dhe manipulimit të dokumenteve të listës së këshilltarëve, të Këshillit Bashkiak në Fier dhe ky manipulim bëri që e gjithë Kryesia e LSI-së të rrethit Fier, të kërkonte unanimisht shkarkimin e tij, shkarkim të cilën e ka miratuar kryesia qendrore. “Kalluci është prej më shumë se 7-8 muaj anëtar i rregullt i Partisë Socialiste, njëkohësisht është edhe Nënkryetar i Bashkisë së Fierit, si përfaqësues i Partisë Socialiste dhe normalisht përpara dy-tre ditësh, nën regjinë e Partisë Socialiste ka marrë pjesë në një takim me anëtarë të Partisë Socialiste të rrethit të Fierit, të asaj PS-je që ka mbetur”, theksoi Vasili. Ai reagoi në drejtim të PS-së duke e akuzuar për inskenime provinciale me qendër nga lidershipi i saj, të tronditur nga mitingu i LSI-së për mbrojtjen e Kushtetutës. “Rama përpiqet që me kleçka si Kalluci të përmbajnë uraganin e vullnetit të popullit që do të shprehet me referendum. Kështu, që ne duam të shprehim kënaqësinë që veprimi i Kryesisë Qendrore të LSI-së, lidhur me individin Kalluci, që rezulton as më shumë dhe as më pak se sa një fallsifikator dokumentesh, ka ndryshuar punën dhe përkrahja e LSI-së ka qenë e jashtëzakonshme dhe kjo është bërë publike dhe në takimet e shkëlqyera që zhvillohen në mënyrë të vazhdueshme”, shtoi më tej Vasili. Shkëputja e 275 anëtarëve nga LSI në një prej degëve më të rëndësishme për këtë parti vjen në një moment të vështirë për aleaten socialiste. Vetëm një ditë më parë LSI nisin aksionin politik për të kundërshtuar ndryshimet në kushtetutë vendim, për të cilin tashmë LSI-së nuk i binden më as anëtarët e saj. Megjithatë edhe Rama ka shpallur si objektiv të tij gjatë turit “Dialog me Shqipërinë”, se është i dhënë që të mbledhë sa më shumë militantë të Metës për ti inkuadruar në ngrehinën e tij që nga në momenti më moment rrezikon shembjen si pasojë e politikës së konfliktit që është inskenuar në mbarë
opozitën dhe me ndikim në selinë rozë.
 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›