Bie nga lartësia në stadium, vdes punonjësi i sigurisë

Një punonjës sigurie nga Kenia vdiq në spital nga pasojat e një rënie në stadiumin Lusail, ku ishte në detyrë për Kupën e Botës. Incidenti, raporton CNN, kishte ndodhur të shtunën, pas ndeshjes mes Holandës dhe Argjentinës. Sipas raportimeve të familjes, punëtori emigrant, John Njue Kibue, 24 vjeç, kishte rënë nga kati i tetë i stadiumit. Ai ishte shtruar në Njësinë e Kujdesit Intensiv në Spitalin e Përgjithshëm Hamad në Doha me traumë të rëndë në kokë, fraktura të fytyrës dhe fraktura të legenit.
Njoftimi është bërë i ditur nga organizatorët e Botërorit, të cilët i kanë dërguar “ngushëllimet më të sinqerta” familjes, kolegëve dhe miqve të tij. “Organizatorët e turneut të Katarit – vazhdon shënimi – po hetojnë rrethanat që çuan në rrëzimin dhe do të japin informacione të mëtejshme në pritje të rezultatit të hetimeve”.
Anëtarët e familjes argumentuan se punëdhënësi i tij nga Katari, Al Sraiya Security Services, nuk donte të shpjegonte rrethanat e rënies dhe vdekjes së tij. Ky është punëtori i dytë migrant që vdes në vendin e Gjirit që nga fillimi i turneut; një tjetër vdiq në një aksident në një vendpushim të përdorur nga Arabia Saudite gjatë fazës së grupeve.