E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mbaron përralla e Marokut, Franca në finale kundër Argjentinës

Pasi Argjentina ka siguruar të martën vendin në finalen e madhe të një Botërori, për herë të 6-të në histori, teksa ka mundur Kroacinë me shifrat 3-0, në duelin e parë të gjysmëfinaleve, të mërkurën është luajtur edhe gjysmëfinalja e dytë, që ka vënë përballë njëra-tjetrës kampionen në fuqi, Francën, dhe të papriturën e këndshme të “Katar 2022”, Marokut. Dhe dueli i sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar ka dhuruar spektakël dhe drithërima, teksa, përkundër rrjedhës së lojës, janë francezët që e gjejnë golin brenda vetëm 5 minutash lojë, me anë të Teo Hernandezit.

Maroku nuk do të tulatet, por do të reagojë dhe do ta synojë e do ta godasë portën e Francës, por njëherë gjen portierin Loris të gatshëm dhe një herë tjetër goditja e afrikanoveriorëve nuk ka forcë. Evropianët vijojnë të tregohen cinikë në lojën e tyre dhe vetëm shtylla e djathtë pingule e portës marokene do t’i mohojë Olivie Zhirusë golin, ndërsa më pas, do të jetë mbrojtja marokene që do t’ia mohojë golin Mbapesë. Në vijimin e këtij aksioni, është sërish Zhiru që nuk e gjen dot kuadratin ndonëse në pozicion të volitshëm.

Me Marokun që do të ndalet vetëm nga shtylla e portës francez pas një goditje akrobatike të El-Jamikut, por me epërsinë minimale të skuadrës së trajnerit Didie Dëshomp do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të shohin afrikanoveriorët të vazhdojnë të bëjnë një vëllim më të madh loje dhe kanë ndërtuar raste të volitshme, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës. Franca administron epërsinë dhe provon me kundërsulme dhe, 11 minuta para fundit të kohës së rregullt, i sapofuturi Kolo Muani bën debutimin e përsosur në një Botëror, duke shënuar me të parën prekje të topit.

Maroku nuk e ka as forcën, as qartësinë e as rrezikshmërinë e duhur, teksa Franca e mbron deri në fund fitoren me shifrat 2-0, duke siguruan vendin në finalen e madhe të së dielës ndaj Argjentinës.

STATISTIKA:

  • Franca do të luajë në finalen e Kupës së Botës për herë të katërt në shtatë edicionet e fundit të turneut (1998, 2006, 2018 dhe 2022): të paktën dy herë më shumë se çdo komb tjetër gjatë kësaj periudhe.
  • Franca ka arritur në finale në të katër gjysmëfinalet e fundit të Kupës së Botës (1998, 2006, 2018, 2022), pasi është eliminuar në tre të parat në këtë fazë (1958, 1982, 1986).
  • Franca është titullmbajtësja e parë që arrin në një finale të Kupës së Botës që nga Brazili në 1998, dhe skuadra e parë evropiane që e bën këtë që nga Italia në 1938.
  • Franca ka fituar nëntë nga dhjetë ndeshjet e fundit të Kupës së Botës dhe, në veçanti, secilën nga shtatë ndeshjet e fundit me eliminim direkt: vetëm Italia (9 midis 1934 dhe 1970) dhe Brazili (9 midis 1958 dhe 1970) krenohen me një seri më të gjatë të sukseseve të njëpasnjëshme në këtë fazë.
  • Didier Deschamps është vetëm trajneri i katërt që drejton një komb në finalet e Kupës së Botës radhazi, pas Vittorio Pozzo me Italinë (1934, 1938), Carlos Bilardo me Argjentinën (1986, 1990) dhe Franz Beckenbauer me Gjermaninë (1986, 1990).
  • Didier Deschamps ka fituar 20 ndeshje në kompeticionet kryesore si trajner i Francës: një e treta e sukseseve të transalpinëve (20/60) midis Kupës së Botës dhe Kampionatit Evropian. Për më tepër, ajo kundër Marokut është fitorja e 14-të e Deschamps në Kupën e Botës si trajner: vetëm Helmut Schön ka më shumë (16).
  • Katër nga 6 golat e fundit të Francës në gjysmëfinalet e Kupës së Botës erdhën nga mbrojtësit (Dy herë Thuram kundër Kroacisë në 1998, Umtiti kundër Belgjikës në 2018, Theo Hernandez kundër Marokut).
  • Ai i shënuar nga Theo Hernandez është goli më i shpejtë në një gjysmëfinale të Kupës së Botës që nga viti 1958, kur Vava i Brazilit shënoi kundër Francës në minutën e dytë.
  • Theo Hernández është vetëm mbrojtësi i tretë që ka shënuar dhe asistuar në një Botëror të vetëm për Francën që nga viti 1966, pas Marius Trésor dhe Bixente Lizarazu.
  • Randal Kolo Muani shënoi golin e tretë më të shpejtë nga një zëvendësues në historinë e Kupës së Botës, vetëm 44 sekonda pas hyrjes në fushë (pas Morales, 16”, në 2002 dhe Sand, 26”, në 1998).
  • Hugo Lloris luajti në ndeshjen e tij të 19-të të Kupës së Botës, duke barazuar Manuel Neuer si portieri me më shumë ndeshje në historinë e kompeticionit.
  • Franca mbajti portën e paprekur për herë të parë në këtë Botëror, pasi ka pësuar saktësisht një gol në pesë të mëparshmet.
  • Franca nuk ka pranuar gol në asnjë nga tre paraqitjet e fundit gjysmëfinale të Kupës së Botës (2006/2018/2022).
  • Youssef En-Nesyri ka prekur vetëm tre topa kundër Francës, më i ulëti (që nga viti 1966) për këdo që ka luajtur të paktën 60 minuta në një ndeshje të Kupës së Botës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›