Bie niveli i ujit në rezervuarin e Kurjanit, fermerët kërkojnë vënien në punë të stacionit të pompimit

Rezervuari i Kurjanit ka pësuar një rënie të nivelit të ujit për shkak të thatësirës dhe mungesës së reshjeve. Kjo situatë mund të vërehet lehtësisht teksa një sasi e konsiderueshme e peshkut ka ngordhur dhe të tjerë rrezikohen ne ceketinën e rezervuarit.
Drejtori i Bordit Kullimit dhe Vaditjes në Bashkinë Roskovec, Agron Dardha është shprehur se situata është mjaft alarmante dhe rrezikon mos kryerjen e ujitjes për fermerët dhe dështimin për mbjelljet e pranverës, por edhe në vijimësi, për stinën e nxehtë të verës.
“Në qoftë se qeveria shqiptare do të marrë për bazë kërkesat e bëra vitin e kaluar për realizim e projektit, atëherë ky rezervuar do të kthehet në jetë. Fermerët e zonës duhet të përgatitjen për mbjelljen e pranverës, por janë tërhequr vetëm se nuk ka ujë në rezervuar”, u shpreh Dardha.
Kjo situatë i është përcjellë Ministrisë së Bujqësisë për gjetjen e një zgjidhjeje e cila do të ishte vënia në funksion e stacionit të pompimit të matkës për të furnizuar rezervuarin.
Rezervuari i Kurjanit ka një sipërfaqe prej 350 hektarë dhe mundëson ujitjen dhe kullimin e 5000 hektarëve tokë bujqësore në bashkinë e Roskovecit.
/rtsh.al/