Bie ritmi i azilantëve shqiptarë që synojnë Europën

Emigracioni shqiptar nuk ka ndalur as në vitin 2023, por ritmi ka qenë më i ulët..
Të dhënat e Eurostat bëjnë të ditur se për 12 muajt e 2023-t kanë qenë 9.145 shtetas shqiptarë që kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Në krahasim me 2022-n, aplikimet për azil kanë shënuar një rënie prej 30%.
Numri më i lartë i aplikimeve përgjatë 2023-t u shënua në janar, me 930 për të zbritur më pas, duke arritur në gusht në 635 aplikime. Në pjesën e dytë të vitit u shënua sërish rigjallërim, duke kulmuar në nëntor me 880 aplikime. Më pas dhjetori solli sërish rënie të tyre, në vetëm 550 të tilla, niveli më i ulët i vitit.
Franca vijon të jetë vendi më i preferuar për shqiptarët për të kërkuar azil, me 3530 aplikime, apo 38% të totalit. Gjermania renditet e dyta, me 2225 aplikime apo 24% e totalit.
Në Itali janë drejtuar 1525 persona, ose 16% e totalit, ndërsa Greqia ka administruar 10% të totalit të aplikimeve.
/ rtsh.al /