E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bie vala e gripit në vend, rreth 3400 raste më pak se java pararendëse

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ Vala e gripit në vend ka shënuar rënie. Grafiku i bërë publik nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) tregon se nga 22 506 raste të një jave më parë, kurba është ulur ndjeshëm në 19 117.

Pra, kemi 3 389 raste më pak në të gjithë vendin, kjo bazuar nga hetimi epidemiologjik dhe konsultat me mjekët e familjes, bërë nga të gjitha qendrat shëndetësore.

Prirja në kohë e infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme paraqet ulje për të gjitha grupmoshat krahasuar me një javë më parë.

Grupvirozat që qarkulluan në vend prej disa javësh u manifestuan me temperaturë të lartë. Më të prekurit kanë qenë fëmijët deri në 5 vjeç.

Hetimi epidemiologjik tregon se rastet me varicelë, apo sikundër njihet ndryshe lia e dhenve, ka shënuar 23 raste në Tiranë, ndjekur nga Fieri me 9 raste dhe Kuçova me 6.

ISHP-ja bën thirrje të vazhdueshme jo vetëm për vaksinim, por edhe për kujdes të shtuar për sa i takon higjienës personale. /RTSH

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›