E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

MOSKË – Rusia refuzon forcat paqeruajtëse të BE-së në Ukrainë

MOSKË, 18 shkurt /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe zëvendësi i tij Alexander Grushko kanë refuzuar përdorimin e ushtarëve perëndimorë në Ukrainë, një çështje që po diskutohet ende në Evropë.

“Nën çfarëdo maske që do të shfaqeshin, do të ishte një hap drejt përshkallëzimit, jo de-përshkallëzimit”, tha Grushko për agjencinë ruse të lajmeve Interfax.

Moska nuk dëshiron të ketë asnjë evropian në negociatat e mundshme për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

Në një konferencë për shtyp, pas takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio sot në kryeqytetin saudit, Riad, Lavrov e përshkroi gjithashtu praninë e paqeruajtësve të NATO-s si të papranueshme.

Kremlini theksoi një ditë më parë se parashtroheshin çështje ligjore në lidhje me një dislokim të tillë. Rusia nuk do të lejojë ushtarë nga vendet anëtare të NATO-s në Ukrainë.

Aktualisht, po zhvillohet një debat për dislokimin e një force të mundshme paqeruajtëse për të siguruar një armëpushim në Ukrainë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron inicioi nismën në dhjetor të ketij viti.

Kryeministri britanik, Keir Starmer deklaroi publikisht gatishmërinë e tij për të marrë pjesë në konferencën për Ukrainën, në Paris.

Në samitin e Parisit, evropianët u shfaqën të ndarë për këtë çështje.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz beson se diskutimi është i parakohshëm.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë se nuk duan të dërgojnë ushtarë për të siguruar një armëpushim në Ukrainë.

Ukraina është mbrojtur kundër pushtimit rus për gati tre vjet me ndihmën e Perëndimit.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›